Rritja e rasteve dhe vdekjeve nga COVID 19: Prishtina e hap edhe një qendër testimi - NACIONALE

Rritja e rasteve dhe vdekjeve nga COVID 19: Prishtina e hap edhe një qendër testimi

4 vjet më parë

nga Trina Zuka

Vdekjet nga koronavirusi dhe numri i të infektuarve janë shtuar dukshëm javët e fundit. Andaj nisur nga kjo, komuna e Prishtinës, ka hapur edhe një qendër të re testimi, për të gjithë ata persona të cilët dyshojnë se janë të infektuar me COVID-19.

Kështu ka bërë të ditur, drejtori i Shëndetësisë në komunën e Prishtinës, Izet Sadiku.

Ai ka thënë se kjo qendër shtesë, është hapur si shkak i rritjes së numrit të rasteve me COVID 19.

“Duke parë që ditëve të fundit është rritur numri i rasteve me COVID-19 dhe kërkesa për testim, kemi hapur nga sot edhe një qendër për testim në Qendrën e Mjekësisë Familjare IV në Xhemail Ibish. Javën e fundit kemi pasur rreth 400 kërkesa për testim”, ka thënë Sadiku.

Tutje ai tregon se kjo qendër, do të jetë e hapur nga ora 8 e mëngjesit deri në ora 15:00.

Përveç shtimit të kërkesës për t’u testuar, në Qendrën Klinike dhe spitale të përgjitshme është rritur numri i të hospitalizuarve nga ky virus.

Shërbimi Spitalor ka bërë të ditur gjatë ditës së sotme janë duke u trajtuar 95 pacientë me COVID-19.

“Nga raportimet e datës 25 korrik 2022, në klinikat e QKUK-së dhe spitalet e përgjithshme, janë duke u trajtuar 95 pacientë me Covid-19.

Raporti sipas klinikave dhe spitaleve të përgjithshme:Klinika Infektive, 27 pacientë + 2 pacientë në Mjekim Intensiv, Klinika e Pediatrisë, 6 pacientë, Klinika e Gjinekologjisë, 15 pacientë, Klinika e Neonatologjisë, 2 foshnje, Spitali i Gjakovës,17 pacientë, Spitali i Pejës,11 pacientë, Spitali i Gjilanit,13 pacientë dhe Spitali i Mitrovicës, 10 pacientë”, thuhet në njoftimin e SHKSUK-së..

Si është gjendja me COVID në vend?

Vetëm gjatë ditës së sotme është shënuar një vdekje dhe 582 raste të reja me COVID-19.

Gjatë javës së kaluar, nga ky virus kanë ndërruar jetë 15 persona, përderisa janë infektuar 8459 persona.

E numri më i madh i rasteve me të infektuar ishte me 20 korrik, ku nga gjithsej 4513 testime, pozitiv rezultuan 1793 persona.

Profesionistët shëndetësor e Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, gjatë tërë kohës janë dukë bërë apel që qytetarët të kujdesen nga kjo rritje e rasteve me koronavirus.

IKSHPK gjatë ditës së djeshme apeloi që qytetarët të vendosin maskën në ambiente të mbyllura dhe të vaksinohen.

“Ju lutemi bartni maskat në ambiente të mbyllura dhe vaksinohuni!

Kosova po vazhdon të shënojë shtim të rasteve të reja të COVID-19 me tendencë të rritjes ditët në vijim.

Fatkeqësisht sot janë raportuar katër raste të vdekjes nga kjo sëmundje!

Në vende të ndryshme të botës, po regjistrohen raste të shumta të COVID-19, sepse pandemia COVID-19 nuk ka mbaruar.

IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik andaj të gjithë personat me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështërsi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Vaksinimi në vend po vazhdohet të jetë në trendin e uljes, sepse shumë pak persona po vaksinohen.

“BE-ja të përgatitet për valën e re të pandemisë”

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian duhet të nisin përgatitjet për valën e re të pandemisë COVID-19, që mund të ndodhë në vjeshtë dhe dimër, tha gjatë ditës së sotme shefja shëndetësore e bllokut, Stella Kyriakides, duke theksuar se ka pasur “rritje shqetësuese” të shpërthimeve të virusit.

Komisionarja për Shëndetësi dhe Siguri Ushqimore e BE-së, Stella Kyriakides, po ashtu paralajmëroi se nuk ka vend për vetëkënaqësi, pasi pandemia nuk ka përfunduar.

“Fatkeqësisht, pandemia ka treguar rritje shqetësuese në disa shtete”, tha ajo për radion shtetërore të Qipros.

Lajme të ngjashme