Rrëfimi i politikanit serb: U bëmë bashkë me shqiptarët për të shuar zjarrin
Shqiptarë e serbë janë bërë bashkë ne Zveçan për të shuar zjarrin i cili ka përfshirë disa fshatra të Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut. Politikani serb, Aleksandar Arsenijeviq i cili bashkë me shokun e tij dhe disa shqiptarë së bashku “luftuan” me zjarret, për gazetën Nacionale ka rrëfyer ngjarjen në detaje.
Sipas Arsejineviq, ai dhe shoku i tij sapo kanë parë zjarrin, i kanë huazuar disa lopata nga zjarrfikësit që ndodheshin në vendin e ngjarjes, dhe kanë shkuar ta shuajnë një shteg që çon për te shtëpitë shqiptare.
Por siç rrëfen z. Arsenijeviq, i cili njihet merret edhe me politikë, në një moment derisa po përballeshin me zjarrin e madh, dy shqiptarë u dolën në ndihmë bashke me një zjarrfikës, të cilët kishin marrë edhe mjete të tjera me vete.

“Kur e pamë zjarrin, unë dhe një shok i imi tentuam që ta shuanim me disa lopata që na i dhanë zjarrfikësit. Po shuanim një shteg që të çon në shtëpitë shqiptare në mal dhe aty gjetëm një kamion me dy zjarrfikës. Më pas filluam shuarjen e zjarrit rreth shtëpive shqiptare dhe e shuam zjarrin, dhe një zjarrfikës qëndroi për të ndjekur zjarrin, pastaj shkuam në kamionin e zjarrfikësve kur zjarrfikësit u thirrën urgjentisht për të ardhur në Zveçan sepse era kishte ndezur zjarrin që tashmë kishte arritur në shtëpitë ku jetojnë serbët. Unë isha duke fikur një pjesë ku në një moment pashë se dy fqinjët shqiptarë po më vinin në ndihmë me një zjarrfikës, një lopatë dhe një fshesë për të shuar zjarrin dhe në fund arritëm të shuanim zjarrin në atë pjesë”, ka rrëfyer ai për gazetën Nacionale.
Arsejineviq tutje ka shtuar se shqiptarët që i dolën në ndihmë ishin të rinj, diku të moshës 20 vjeçare.
“Ishim panik nga tymi i madh, kështu që nuk e vura re as kur erdhën tek unë. Zjarri ka rrezikuar t'i djegë shtëpitë serbe dhe shqiptare, sepse ka arritur vetëm disa metra larg shtëpive. Përveç lopatës, fqinjët përdornin edhe zorrë uji nga oborret e tyre. Ky ishte thjesht një veprim fqinjësor i mirë që na detyroi kjo fatkeqësi që ta bëjmë. Fqinjët shqiptarë ishin të rinj. Ishin rreth 20 vjeçarë”, ka thënë ai për gazetën Nacionale.
Situata me zjarret në Mitrovicë
Temperaturat gjatë ditës së sotme kanë qenë më të lartat, që prej kur ka filluar vera në Kosovë. Kjo ka bërë që Mitrovica e Jugut dhe ajo e Veriut të përballen me zjarre, të cilat fatmirësisht nuk kanë shënuar viktima.
Sidoqoftë, shkaktari nuk dihet ende zyrtarisht, por zjarri i madh i është afruar shumë zonave të banimit dhe banorët janë alarmuar nga situata.
Në një prononcim për Gazeten Nacionale, nënkryetari i Mitrovicës Arian Tahiri, më herët ka thënë se situata tashmë është nën kontrolle pasi që kanë intervenuar të gjitha njësitet emergjente.
“Sot gjatë ditës situate ka qënë më e rënde pasi që janë rrezikuar edhe banorët e fshatit Zasellë, mirëpo ekipet emergjente te policisë, zjarrfikësve dhe KFOR-it kanë intervenuar në kohë, ku dhe kanë arritur të lokalizojnë zjarrin”, tha Tahiri për Nacionale.
Tahiri ka deklaruar se komuna e Mitrovicës ka kërkuar ndihmë edhe nga ekipet e zjarrfikësve nga komunat e Skenderajt dhe Vushtrrrisë.
“Ne kemi kërkuar ndihmë edhe nga komunat përreth ajo e Skenderajt dhe Vushtrrisë, ku na u jnaë pergjigjur menjëhere, deshiroj edhe te i falënderoj publikisht për ndihmën të gjitha institucionët policinë, zjarrëfikësit dhe KFOR-in, ku më ndihmën e tyre kemi evituar demët më të medha”, tha ai për Nacionale.
Ndërsa i pyetur se sa hektarë pyje janë djegur deri më tani, Tahiri ka thënë se ende është herët për ta konfirmuar, pasi që zjarret nuk janë shuar.
Ndërkaq, lajmin për gazetën Nacionale e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës për rajonin e Mitrovicës.
Fexhrije Pllana natha se përveç zjarrfikësve, në terren kanë dalur edhe pjesëtarët e KFOR-it dhe FSK-së.
“Sot rreth orës 15:08 është raportuar për një zjarr në Cërrnushë. Policia, zjarrfikësit, FSK dhe zjarrfikësit e KFOR-it janë në vendngjarje duke u munduar ta lokalizojnë zjarrin”, ka thënë Pllana për Nacionalen.
Tahiri, po ashtu ka deklaruar se njësitet emergjente janë ende në terren.
