“QIKA” i reagon Kurtit: Glorifikoi Akil Gjakovën, derisa po hetohet për dhunë në familje
Organizata Joqeveritare “QIKA” ka reaguar pas “glorifikimit” që iu bë xhudistit Akil Gjakova nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas reprezentimit në Lojërat Olimpike të Parisit, derisa i njëjti është nën hetim nga policia për dhunë fizike ndaj gruas së tij.
Në reagim organizata ka thënë se e konsiderojnë të papranueshme mbështetjen e një personi që është nën hetim për dhunë, që ka ikur nga policia dhe i cili është shpallur si person në kërkim.
“Kryeministri Kurti nga Parisi glorifikoi shpirtin luftarak të Akil Gjakovës, derisa në Kosovë i njëjti është nën hetime për dhunë në familje dhe gjykata i ka vendosur masë ndalese që t’i mos afrohet bashkëshortes në distancë prej 50 metrash për periudhë kohore një vjeçare.
Ne, në QIKA, jemi të vetëdijshme për faktin që rasti i xhudistit Akil Gjakova është duke u trajtuar nga institucionet e drejtësisë dhe respektojmë parimin e prezumimit të pafajësisë, megjithatë kosiderojmë se përkrahja publike e një personi që është nën hetime për dhunë në familje dhe i cili fillimisht ka ikur nga përgjegjësia dhe është shpallur “person në kërkim” nga policia është krejtësisht e papranueshme.” – thuhet në reagim.
“QIKA” ka shtuar tutje se kjo inkurajon abuzuesit e grave dhe përjetëson kulturën e mbeshtetjes së abuzuesve.
“Amnistia e vazhdueshme e kryeministrit për Gjakovën inkurajon abuzuesit e grave dhe përjetëson kulturën ku kryerësit apo të denoncuarit për vepra penale gjejnë strehë dhe mbështetje nga personat publik, ndërkohë që viktimat mbesin në margjina dhe të cenuara. Kjo qasje dërgon një mesazh të rrezikshëm se dhuna ndaj grave mund të minimizohet apo edhe të justifikohet, nëse kryesi i veprës ka arritje sportive apo të tjera. QIKA qëndron përkrah të mbijetuarave të dhunës në familje dhe bën thirrje që drejtësia dhe barazia të jenë të paprekshme, edhe kur Kosova përfaqësohet në lojëra olimpike apo kudo tjetër. Ndërhyrjet publike që glorifikojnë persona nën hetime për vepra të rënda kriminale duhet të ndalen.” – thuhet në fund.