Gratë në Kosovë punojnë pa pagesë 44 për qind më shumë se burrat - NACIONALE

Gratë në Kosovë punojnë pa pagesë 44 për qind më shumë se burrat

3 vjet më parë

nga Arta Avdiu

Dhuna ndaj grave, posaçërisht ajo fizike e seksuale, ka shënuar rritje viteve të fundit. Por, një hulumtim i sapopublikuar hedh dritë edhe mbi një të vërtetë tjetër, atë të pabarazisë gjinore në domenin e shtëpisë. Gratë në krahasim me burrat shpenzojnë më shumë kohë në punë përkujdesi që nuk paguhet.

Instituti "Musine Kokolari" që drejtohet nga Visar Ymeri, analist i njohur, ka publikuar një raport në lidhje me punën e papaguar të grave.

Sipas raportit hulumtues, të titulluar "Who Cares - Përkujdesi si punë e papaguar në Kosovë", del se gratë shpenzojnë mesatarisht 6.2 orë në punë përkujdesi të papaguar apo 44% më shumë punë të papaguar se burrat.

"Përderisa një individ shpenzon mesatarisht 4.9 orë në punë përkujdesjeje të papaguar në Kosovë (në mënyrë të drejtpërdrejt apo të tërthortë), gratë shpenzojnë 2.7 orë ose 44% më shumë për punë të papaguar se burrat, përkatësisht gratë shpenzojnë 4.73 orë duke bërë punë shtëpie, 1.97 orë në kujdesin e fëmijëve dhe 1.15 orë në kujdesin e të moshuarve", theksohet në raport.

Shfrytëzimi i grave

Autorja e raportit hulumtues «Who Cares – Përkujdesi si punë e papaguar në Kosovë », të Institutit për Politika Sociale "Musine Kokalari", Marigona Drevinja tha se përkujdesi nuk është i njohur si kategori pune në Kosovë.

Në një përgjigje për gazetën Nacionale, Drevinja vlerësoi se punët e shtëpisë në Kosovë kuptohet parasëgjithash si punë grash.

Përkujdesi si punë e papaguar nuk është e njohur si kategori pune në Kosovë. Punët e përkujdesit, të cilat mund t’i ndajmë gjërësisht si punët rreth kujdesit për fëmijët, për të moshurit dhe personave të tjerë si dhe punët e shtëpisë, në shoqërinë Kosovare merren si punë të mirëqena të grave dhe nuk jane pjesë e diskursit publik”, tha Drevinja.

Përveç hendekut të madh gjinor, ajo shpjegon edhe arsyet dhe dallimin në përkujdesin si punë e papaguar ndërmjet burrave dhe grave.

Këtu duhet diskutuar disa çështje: Së pari, dallimi në kohë është i madh, por nuk mbetet vetem çështja e sasisë – problemi qëndron edhe tek llojet e punëve të përkujdesit. Studimi zbulon se burrat edhe nëse përkujdesen për fëmijët e tyre, zakonisht janë të përfshirë në punë intelektuale (p.sh. detyrat e shtëpisë), por jo edhe të ushqyerit e fëmijës ose ndërrimi i pampersit për bebet. Së dyti, punësimi del të jetë faktori kryesor që zvogëlon kohën e kaluar në punë të përkujdesit të papaguar tek gratë. Së treti, prezenca e fëmijëve dhe personave të moshuar në njësinë shtëpiake e rrit dukshëm punën e përkujdesit nga gratë. Së treti, zona e banimit luan rol të rëndësishëm në rritjen apo zovgëlimin e kohës së kaluar në punë të përkujdesit në përgjithësi (mungesa e infrastrukturës në zona rurale)”, shpjegoi ajo.

Drevinja, më tej, apeloi që këto gjetje të bëhen pjesë e diskursit publik dhe që ky lloj i punës të njihet dhe të vlerësohet.

Këto gjetje duhet të diskutohen dhe të trajtohen nga të gjithë akterët që marrin pjesë në diskutimin publik e social. Ky lloj i punës ka implikime të mëdha në mirëqenien e njeriut, të shoqërisë e rrjedhimisht edhe ekonomisë. Pabarazia në shtëpi e sjell pabarazinë në punë.”, tha ajo.

Gjetjet e raportit hulumtues "Who Cares – Përkujdesi si punë e papaguar në Kosovë" të Institutit për Politika Sociale Musine Kokalari, i ka komentuar edhe aktivistja për të drejtat e grave, Leonita Molliqaj.

Në një përgjigje për gazetën Nacionale, Molliqaj tha se këto të dhëna tregojnë për shfrytëzimin e grave brenda shtëpisë me punët e pastërtisë e kujdesit ndaj të tjerëve.

Këto të dhëna janë një dëshmi për ndarjen e pabarabartë të punëve brenda familjes dhe flasin qartë për shfrytëzimin e grave brenda shtëpisë me punët e pastërtisë e kujdesit ndaj të tjerëve”.

Molliqaj shpjegon tutje se shfrytëzimi ndodh duke ua marrë shumicën e kohës së punës me punë të papaguar.

Punët e shtëpisë e përkujdesit që padrejtësisht quhen “punë të grave” marrin shumicën e kohës së grave gjatë ditës. Krejt kjo punë e madhe që bëjnë gratë shihet si obligim i natyrshëm i tyre për shkak të ndarjeve tradicionale të roleve gjinore. Punët e shtëpisë janë nënçmuar historikisht dhe në fakt vazhdojnë të mos njihen as si punë”, tha ajo.

Hendeku...

Sipas analizës së Oxfam, organizatë ndërkombëtare për bamirësi dhe barazi, nëse gratë në gjithë botën do të merrnin një rrogë minimale për punët e shtëpisë dhe përkujdesjen e familjarëve, totali i të ardhurave të tyre do të shkonte në 10.9 trilion dollar. Një shifër alaramante e cila tejkalon edhe të ardhurat e kompanive më të mëdha në botë si Walmart, Apple dhe Amazon, shkruan New York Times.

Nga shpërndarja e punës së papaguar në shtete të ndryshme, India rezulton të jetë vendi me hendekun më të madh gjinor, pasi gratë shpenzojnë 6 orë në ditë për përkujdesje, ndërsa burrat vetëm 52 minuta. Në shtetet skandinave përkujdesi bëhet përmes programeve të ofruara nga sigurimet shoqërore. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gratë shpenzojnë 4 orë në ditë ndërsa burrat 2 orë e gjysëm në ditë.

Sipas Forumit Ekonomik Botëror, do të duhet edhe një shekull për të arritur barazia gjinore në çdo shtet.

Lajme të ngjashme