Pse filozofi slloven që përkrahu Kurtin po mbron Dalai Lamën që i tha një fëmije “thithma gjuhën”?
Sllavoj Zhizhek, filozofi marksist slloven, kishte përkrahur kryeministrin Kurti në garën e tij për të marrë pushtetin në Kosovë. Prej asaj kohe, ai ka qëndruar i heshtur për Kosovën, megjithatë një opinion i tij ka marrë shumë vëmendje: Ai po e mbron Dalai Lamën për gjestin që u dënua gjerësisht.
Zhizhek e kishte përkrahur Kurtin në zgjedhjet e shkurtit 2021, duke thënë mes tjerash edhe se ishte kundër agjendave nacionaliste të partive tjera përkundër që VV-ja kishte pasur agjendë nacionaliste po ashtu.
Sidoqoftë, kësaj here ai u vu në mbrojtje të Dalai Lamës duke e interpretuar gjestin e tij – ku i thotë një fëmije 7-vjeçar “thithma gjuhën” – si pjesë të praktikës tibetiane.
“Në fakt, fraza korrekte tibetiane është “Che le sa,” që mund ta përkthejmë si “hama gjuhën.” Gjyshërit shpesh e përdorin me dashuri për t’i ngucur nipërit, si për t’ju thënë: “Të kam dhënë gjithçka, prandaj e vetmja gjë që më ka mbetur është të ma hash edhe gjuhën.” S’është nevoja të thuhet, që kuptimi ishte humbur në përkthim. (Ani që anglishtja është gjuha e dytë e Dalai Lamës, ai nuk e njeh aq mirë sa gjuhën amtare.)” – shkruan z. Zhizhek në një opinion botuar në Project-Syndicate dhe të titulluar “Thithma gjuhën, shtypmi k*qet!”
Megjithatë, thithja e gjuhës nuk është krejtësisht pjesë e praktikës tibetiane. Vetë Zhizhek nuk ofron shembuj të një gjëje të tillë, por të një praktike tjetër që ka të bëjë me nxjerrjen e gjuhës jashtë.
Ai shpjegon në atë shkrim nevojën për psikanalizë duke shprehur se momenti i saj “vetëm sa ka arritur”.
Tjetërçka për Kosovën?
Zhizhek megjithatë e kishte përkrahur idenë e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, ide kjo që ishte refuzuar fuqishëm nga kryeministri aktual Albin Kurti.
“Shokët nga Kosova më thanë mua se qenë detyruar të fusnin një autostradë në mes, Tirana e Prishtina. Ata pjesërisht e ndërtuan në mënyrë të jashtligjshme. Mendoj që këtu duhet të mendojmë në mënyrë shumë jokonvencionale. Tash do të them një gjë të tmerrshme. Është disi si “politikë primitive nga hani”, por kjo mund të funksionojë realisht. Pse nuk ka ardhur deri te disa shkëmbime territoriale, që mua më duken padyshim racionale, ndërmjet Serbisë dhe Kosovës? Për Kosovën, që të marrë një pjesë të Sanxhakut dhe t'i japë ato pjesë të Kosovës të banuara kryesisht me serbë,” – kishte thënë z. Zhizhek.

