Profesor Krasniqi denoncon Këshillin e Prindërve: Ishin skandalozë e të pafytyrë gjatë grevës - NACIONALE

Profesor Krasniqi denoncon Këshillin e Prindërve: Ishin skandalozë e të pafytyrë gjatë grevës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Profesori universitar, Milazim Krasniqi, ka komentuar qëndrimin e Këshilit të Prindërve të Kosovës gjatë kohë së grevës në arsim, duke thënë se ata nuk përfaqësojnë ndjenjat dhe qëndrimet e shumicsë së prindërve.

Krasniqi ka përmendur dy deklarime të këtij Këshilli dhe ka thënë se qëndrimi i tyre për t’i mësuar vetë fëmijët ishte skandaloz dhe fyerje si dhe paralajmërimet e tyre për çregjistrimin e fëmijëve nga shkollat ishte i pafytyrë.

“Shndërrimi i Shoqatës së Prindërve gjatë grevës së fundit të mësuesve/arsimtarëve në arbitër mbi mësuesit, në kërcënues të ligjit mbi arsimin dhe në tutor të fëmijeve është një degradim malinj i rolit të asaj shoqate. Prandaj po e denoncoj këtë degradim, i bindur se ata njerëz në krye të asaj shoqate, nuk përfaqësojnë ndjenjat dhe qëndrimet e shumicës absolute të prindërve.”, ka shkruar ai ndër të tjera në Facebook.

Shkrimi i tij i plotë:

DY FJALË PËR MUJSHARINË TOKSIKE TË SHOQATËS SË PRINDËRVE

Çudia më e madhe që shoqëroi grevën e arsimtarëve, ka qenë qëndrimi i Shoqatës së Prindërve. Qëndrimi i tyre se do të hynin në klasë e t’i mësonin vetë nxënësit, ishte skandaloz. Ishte fyerje e intelegjencës së njerëzve. Si u bëkan mësues njerëzit nga ruga, në mënyrë arbitrare?! Në fakt ajo ka qenë fyerje edhe për autoritetin e qeverisë, sepse ishte deklarim me logjikën e të drejtes revolucionare, për ta shkatërruar sistemin e arsimit para hundës së qeverisë. Ndërsa kërcënimi i shoqatës se do t i çregjistronin fëmijët nga shkollat, ishte jo vetëm skandoz, po edhe skajshmërisht i pafytyrë. Sipas atij qëndrimi, fëmijët po mundka të hiqen nga një vend e të vendosen në një tjetër, si kukullat. Si mund të mendohej se fëmijët nuk kanë ndjenja e emocione të lidhura me shkollën, klasën, me mësuesit?

Më duket e pabesueshme edhe nga perspektiva e kujtimeve të largëta. Mbaj mend prindin tim, kur vinte në shkollë, në mbledhjet e prindërve, ishte plot respekt ndaj mësuesve. Në atë kohë tepër të vështirë, preokupimi i prindërve ka qenë vetëm me suksesin e fëmijës së vet, jo me politika qeveritare e sindikale. (Sipas një dëshmie të njërit nga drejtorët e shkollës, të asaj kohe, vetëm nja tre-katër rankoviqistë përziheshin në punët e shkollës.)

Si prind kam përcjellë shkollimin e tre fëmijëve të mi, me shumë angazhim. Në vitet nëntëdhjetë ne si prindër ndihmonim shkollën edhe me para, duke ble edhe dru për ngrohje.

Shndërrimi i Shoqatës së Prindërve gjatë grevës së fundit të mësuesve/arsimtarëve në arbitër mbi mësuesit, në kërcënues të ligjit mbi arsimin dhe në tutor të fëmijeve është një degradim malinj i rolit të asaj shoqate. Prandaj po e denoncoj këtë degradim, i bindur se ata njerëz në krye të asaj shoqate, nuk përfaqësojnë ndjenjat dhe qëndrimet e shumicës absolute të prindërve.

Lajme të ngjashme