Pjesëtari i FSK-së e përfundon intervistimin, mohon përfshirjen në vrasjen e Liridona Murselit
Personi i tretë, i cili është arrestuar si i dyshuar për vrasjen e Liridona Murselit në Prishtinë dy ditë më parë, e ka mohuar përfshirën e tij në këtë vrasje.
Kështu ka bërë të ditur, avokati i të njëjtit, Ahmet Gjinovcin, i cili tha se u caktua për rastin sipas detyrës zyrtare.
Gjinovci për Kallxo.com ka thënë se K.K., (personi i tretë i arrestuar) sapo përfundoi intervistimin ndërsa në deklarimin e tij ka mohuar të jetë i përfshirë në vrasje.
“Ai ka mohuar se është i përfshirë në vrasje, deklaroi se i njeh të dy palët e arrestuar po jo që ka qenë pjesë e këtij rasti”- tha avokati Gjinovci.
Personi me inicialet K.K. është i treti i cili dyshohet se është përfshirë në vrasjen e Liridona Murselit dhe i njëjti është pjesëtarë i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Rreth këtij lajmi kanë reaguar edhe nga Ministrja e Mbrojtjes, të cilët kanë thënë se ky rast do të trajtohet edhe brenda organeve përgjegjëse të FSK-së.
“Në mesin e të arrestuarve si të dyshuar për vrasjen në Prishtinë është edhe pjesëtari i FSK-së, K.K. Organet e drejtësisë janë duke hetuar rastin, por gjithashtu ky rast do të trajtohet edhe brenda organeve përgjegjëse të FSK-së, sipas rregulloreve dhe ligjeve në fuqi. Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës shpreh ngushëllime të sinqerta familjes së viktimës. Siguria dhe mbrojtja e qytetarëve tanë është obligim!” – thuhet në komunikatë.
