E konfirmon Ministria e Mbrojtjes: Në mesin e të arrestuarve për vrasjen e Liridonës është një pjesëtar i FSK-së
Ministrja e Mbrojtjes e ka konfirmuar se një pjesëtar i FSK-së është arrestuar për vrasjen e Liridona Musliut, dy ditë më parë në Prishtinë.
Ministrja e Mbrojtjes ka bërë të ditur ky rast do të trajtohet edhe brenda organeve përgjegjëse të FSK-së.
“Në mesin e të arrestuarve si të dyshuar për vrasjen në Prishtinë është edhe pjesëtari i FSK-së, K.K. Organet e drejtësisë janë duke hetuar rastin, por gjithashtu ky rast do të trajtohet edhe brenda organeve përgjegjëse të FSK-së, sipas rregulloreve dhe ligjeve në fuqi. Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës shpreh ngushëllime të sinqerta familjes së viktimës. Siguria dhe mbrojtja e qytetarëve tanë është obligim!” – thuhet në komunikatë.
Zhvillimet e fundit
Pasditën e së premtes është konfirmuar që Naim Murseli dyshohet të jetë i përfshirë në vrasjen e bashkëshortes së tij. Ai është arrestuar nga Policia e Kosovës bashkë me një person tjetër, i dyshuar si dorasi.
Në lidhje e këtë çështje u deklaruan Policia dhe Prokuroria përmes një komunikate të përbashkët:
“Sipas urdhëresës së Prokurorit të Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’ rast nga ky aksion janë arrestuar personat G.P. (dorasi) dhe N.M. (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës, si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast…” – thuhej në komunikatë.
Po ashtu, për Nacionalen foli edhe prokurorja e rastit, Besa Limani, e cila ka thënë se ende nuk është caktuar se kur do të mbahet seanca.
“Unë jam Prokurorja e rastit, po do të kërkojmë 30 ditë paraburgim, ende nuk e dimë se kur do të mbahet seanca, dhe ajo do të mbahet sipas ligjeve dhe afateve të parapara që janë në procedurë penale. Nuk e di saktë, sepse ende jemi në fillim dhe këta janë të ndaluar për momentin.” – ka bërë të ditur Limani për Nacionalen.
Ndërkaq, sipas raportimeve të mediave, Murseli dyshohet se kishte për të paguar rreth 30 mijë euro dorasin për vrasjen e bashkëshortes së tij.
Burime të “Betimi për Drejtësi” bëjnë të ditur se i dyshuari Murseli ia kishte dhënë të dyshuarit G.P., 15 mijë euro para vrasjes, e 15 mijë të tjera do t’ia jepte pas kryerjes së veprës.
Familja e Liridonës, siç ka mësuar Nacionale janë lajmëruar në polici ku kanë kërkuar zhvarrosjen e trupit të të bijës së tyre nga fshati i Naim Murselit.
Familja e këtij të fundit ndërkaq, ka njoftuar se kanë anuluar të pamen pas zhvillimeve të fundit.

