Flet për Nacionalen prokurorja e rastit: Do të kërkojmë 30 ditë paraburgim për të dyshuarit e vrasjes së Liridona Murselit - NACIONALE

Flet për Nacionalen prokurorja e rastit: Do të kërkojmë 30 ditë paraburgim për të dyshuarit e vrasjes së Liridona Murselit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Prokuroria e Shtetit do të kërkojnë 30 ditë paraburgim për dy personat që dyshohen për vrasjen e Liridona Murselit dy ditë më parë, ku të arrestuar janë Naim Murseli, bashkëshorti i Liridonës dhe vrasësi.

Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Nacionale Prokurorja e rastit, Besa Limani, e cila ka thënë se ende nuk është caktuar se kur do të mbahet seanca.

“Unë jam Prokurorja e rastit, po do të kërkojmë 30 ditë paraburgim, ende nuk e dimë se kur do të mbahet seanca, dhe ajo do të mbahet sipas ligjeve dhe afateve të parapara që janë në procedurë penale. Nuk e di saktë, sepse ende jemi në fillim dhe këta janë të ndaluar për momentin.” – ka bërë të ditur Limani për Nacionalen.

Çka dihet deri më tash?

Tashmë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka konfirmuar se njëri nga të arrestuarit për vrasjen e Liridona Murselit, është bashkëshorti i saj, Naim Murseli.

Këtë ajo e ka bërë të ditur përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook.

“Me punë intesive, angazhim dhe bashkëpunim ndërmjet policisë dhe prokurorisë, janë arrestuar dy persona të cilët dyshohen për vrasjen e gruas në Prishtinë. Njëri nga personat e arrestuar është bashkëshorti i të ndjerës Liridonës, i cili ishte përpjekur ta fshihte krimin e rëndë duke thënë që ishin cak i një grabitje.” – ka thënë ajo.

Liridona Murseli u vra të mërkurën pas një grabitje të armatosur, derisa po udhëtonte me veturë me bashkëshortin e saj, Naim Murseli, ish-këshilltar i Behgjet Pacollit, dhe dy fëmijët e tyre.

Nacionale ka mësuar se të arrestuarit janë i dyshuar për vrasjen dhe vet Naim Murseli.

Burimet tona kanë bërë me dije se Policia fillimisht ka arrestuar të dyshuarin për vrasje, i cili më pas ka treguar se Murseli porositi vrasjen e saj.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka konfirmuar se sot janë arrestuar dy persona si të dyshuar për lidhje me rastin.

“Pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprimeve intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin e sipër shënuar.” – ka thënë ajo.

Veç kësaj, Policia ka konfirmuar se po vazhdojnë bastisjet në dy lokacione në Gjakovë, prej ku vjen Murseli.

“Njësiti i hetimeve të përgjithshme të Prishtinës në koordinim me Prokurorinë është duke e vazhduar operacionin e bastisjes në dy lokacione në Gjakovë.” - ka thënë Ahmeti.

Lajme të ngjashme