Përplasje klasash apo fisesh? Dy javët e Grevës së Përgjithshme që e fëlliqën sferën publike - NACIONALE

Përplasje klasash apo fisesh? Dy javët e Grevës së Përgjithshme që e fëlliqën sferën publike

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Greva e Përgjithshme ka mbushur dy javë. Çka ndodhi përgjatë kësaj kohe – dhe a po tingëllon e gjithë kjo më shumë si përplasje ‘fisesh’ apo si përplasje ‘klasash’?

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) shpalli grevën e përgjithshme më 25 gusht. Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, ra nën hijen e sindikalistit frymëzues, Rrahman Jasharajt. Ky i fundit u vu në spikamë, sidomos pas një mori akuzash të ndryshme që mori nga ana e pushtetit – edhe pse thjesht po shprehte kërkesa sindikale.

Klasa

Por, a mund të jetë kjo një përplasje klasore? Klasa e mesme e lartë kundër klasës së mesme të ulët?

Paga e një mësimdhënësi të fillores është vetëm 420 euro e 21 centë. Në anën tjetër, pagat e pushtetarëve – përfshirë mëditjet - arrijnë në pesëfishin e asaj shume.

Ndërkohë, një element i rëndësishëm përgjatë këtyre dy javëve përforcon edhe më shumë këtë luftë: mospërmendja e hendekut të madh në paga që ekziston mes profesorëve universitarë dhe mësimdhënësve parauniversitarë!

Kjo nuk u përmend as nga kryeministri Kurti, as nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, por as nga të tjerë eksponentë të rëndësishëm derisa profesorët universitarë si Blerim Latifi, Shkumbin Istrefi e Fadil Maloku shprehnin moskuptim për kërkesat e atyre që paguheshin shumë më pak.

Në anën tjetër, pa u lodhur që të ofronte mbështetje në prova, grevistët u sulmuan edhe nga kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve, ish gazetari Mehmet Kraja. As Kraja, që natyrisht se është në një klasë tjetër ekonomike, nuk ia doli të kuptonte kërkesat sindikale të punëtorëve që marrin paga prej 420 euro e 21 centë.

Momentet kyçe për të kuptuar se matanë zhurmës politike ka interesa të fshehura klasore përbëjnë datat kur u intensifikua e gjithë protesta qytetare dhe qeveritare anti-grevë: Nuk ishin as 30, 31 gushti e as 1 shtatori ditë të zhurmshme me kundërshtime (në prag të nisjes, dhe në ditën e parë të nisjes së vitit të ri shkollor) por ishin 2 dhe 3 shtatori, dhe pastaj 25 dhe 18 gushti. Kjo nënkupton se reaguesit nuk kishin interesa direkte të lidhura me shkollimin publik që ishte ndërprerë.

Fisi

Megjithatë, përplasjet e këtyre dy javëve jepnin më shumë tingullin e një përplasjeje tribale. Nuk kemi të bëjmë domosdo me ‘fise’ në kuptimin e fjalëpërfjalshëm të fjalës, por kemi të bëjmë me mendësi tribale – ndjesinë e të qenët pjesë e një fisi, grupi, duke luftuar palën tjetër deri në shkatërrim të plotë.

Në një anë kishim Albin Kurtin dhe të tijët dhe në tjetrën kishim Rrahman Jasharajn.

Albin Kurti me të tijët nuk kursyen as ofendimet më të ulëta dhe akuzat më absurde drejtuar Jasharajt dhe përgjithësisht mësimdhënësve. Jasharaj u akuzua për lidhje me Serbinë, lidhje me opozitën, keqpërdorim të fondeve, kërkesa arbitrare dhe madje edhe për gjendjen e keqe në arsim. Asnjë prej këtyre akuzave nuk mbështetej përmes faktesh ose provash të forta, por të gjitha i kontribuan një ndasie të thellë shoqërore ku tribalizmi triumfoi mbi arsyen.

Një ndër rastet tmë të bujshme të këtij tribalizmi ishte kur Elvis Hoxha i Vetëvendosjes më 2 shtator e quajti Rrahman Jasharajn “anëtar të partisë serbe”. Pas zemërimit të madh publik që shkaktoi akuza e tij, fatmirësisht ai u detyrua të kërkonte falje dhe ta pranonte se ishte shërbyer me anë të lajmeve të rreme.

Hoxha nuk besohet të jetë thirrur për intervistim nga ana e Policisë së Kosovës, megjithëse Flutura Kusari – juriste e medieve – bëri thirrje që ai të mbahej përgjegjës penalisht.

Por, ndjesia tribale u përforcua dhe vazhdon të përforcohet me çdo ditë që kalon. Kryeministri i Kosovës kishte nxitur simpatizantët e tij të besonin se kërkesa sindikale ishte (sic) absurde dhe se kërkesa prej 100 eurove ishte arbitrare ose e orkestruar.

Kjo nxiti deputetin e tij, Adnan Rrustemin, të shkonte aq larg sa të pretendonte se kishte gjetur prova se “PDK-ja kishte shkruar kërkesat sindikale më 15 prill” duke treguar një deklaratë të Blerand Stavilecit në atë datë. Por, ai po bënte po ashtu lajm të rremë. Më 12 prill, Qeveria e Kosovës kishte aktualizuar shifrën prej 100 eurove – arbitrarisht mund të thotë dikush – përmes një pakoje ku do të përfitonin shumë kategori shoqërore.

Përveç Hoxhës e Rrustemit, eksponentë tjerë të pushtetit që ishin të zëshëm kundër grevës e në mbrojtje të pushtetit ishin Sadri Ramabaja, Tomë Gashi, Avni Zogiani, Ermal Sadiku e Hysamedin Feraj, asnjëri prej të cilëve nuk është pjesë e sistemit parauniversitar arsimor.

Lajme të ngjashme