Një universitet ‘u turpërua’ nga një profesor: Pse UP-j nuk guxoi ta shkarkonte profesorin skandaloz Bejta?
Studentët e departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, në Universitetin e Prishtinës, për vite më radhë ishin kërcënuar nga profesori i tyre Bekim Bejta. Por, edhe pse ai u largua nga UP-ja pas një presioni të madh publik, kjo gjë nuk ndodhi nga mekanizmat vendimmarrëse brenda universitetit publik por nga vetë Bejta. A u turpërua UP-ja nga ish-profesori i saj?
“Profesori na ka thënë dikush ka me pësu edhe me jetë, kjo punë nuk ka mu kry me kaq.” – kishte deklaruar një student për Nacionale.
Bejta për vite të tëra kishte vazhduar bullizimin, kërcënimin e shatazhimin e studentëve, deri në pikën ku disa nga ta nuk kishin arritur të diplomonin pasi që Bejta, nuk i kishte kaluar në lendën e tij, por as nuk i kishte lejuar që të hynin në provim.
‘’Kam më të ndjekë edhe më kanun... Veç je vajzë se t‘kisha kallxu ty.... Une merrna me prindin tënd”- këto janë vetëm disa nga fjalët të cilat dëgjohen në audio-incizimin të cilin e ka publikuar ish studentja e anglishtes, Zana Mala, në gazetën Insajderi.
Sipas Malës, ajo ende nuk i ka përfunduar studimet shkaku i Bekim Bejtës.
Bekim Bejta, ishte profesor në departamentin e anglishtes, për hiç më pak se 15 vite, ku gjatë këtyre 15 viteve sjellja e tij kishte qenë tmerruese për studentët.
Çka ndodhi pas publikimit të audio-incizimeve?
Bekim Bejta nuk e kishte hallin vetëm tek studentët. Për të ishte bërë pengesë edhe vet Këshilli i Etikës dhe Rektorati pasi këta të fundit ishin duke e shqyrtuar një ankesë të një studenteje në drejtim të Bejtes.
Sipas Këshillit të Etikës, ish-profesori Bejta, kërcënoi e kanosi menaxhmentin e UP-së, përmes një letre të dërguar, mirëpo ky Këshill nuk kishte ndërmarrë asnjë masë ndaj tij.
Edhe pse në drejtim të këtij Këshillit kishin shkuar më dhjetëra ankesa lidhur më qasjën joprofesionale të Bejtës.
“Më fyente intelegjencën, më quante “shpihune”, më humbte çdo afat provimesh pa marrë parasysh sa mësoja unë, se te ai nota merret/provimi kalohet varësisht sa mirë kalon me të ose jo; madje në afatin e janarit të vitit 2022, një fyerje që s’do ta harroj kurrë, më pati thënë “He (i drejtohet studentes në mbiemër) çka po përdorë, diazepan..” e kishte vazhduar me emra të tjerë ilaqesh që fatkeqësishtë nuk i mbaj mend,” - thuhet në ankesën e studentes transmeton Insajderi.
Bejta i kishte mohuar këto akuza duke thënë se studentja e ka bullizuar atë, duke e ofenduar e fyer gjatë ligjëratave.
“Përkundrazi, ajo ka ushtruar dhunë psikologjike dhe verbale gjatë ligjëratave duke më bullizuar. Më ka bërtitur dhe ofenduar, duke përplasur tavolinën, është afruar te fytyra dhe trupi im përtej privatësisë së tolerueshme,” – kishte pretenduar ai.
Pas këtyre deklarimeve, Bekim Bejta, për një kohë të gjatë u mundua që të arsyetonte sjelljen e tij aspak të mirë karshi studentëve. Mirëpo, më kalimin e ditëve çdo herë e më shumë studentë raportuan sjelljet e tij bullizuese dhe poshtëruese.
Kjo solli deri në organizimin e një protestë ku kërkohej shkarkimi i tij nga posti i profesorit në Universitetin e Prishtinës.
Në UP me sa duket ishin të hutuar më atë se çfarë po ndodhte dhe Senati i UP-së, vendosi që në vend të shkarkimit të pezullonte z. Bejta për 6 muaj nga detyra e profesorit.
Profesori i Fakultetit të Filologjisë, Bekim Bejta, është përjashtuar nga procesi mësimor dhe nga të gjitha aktivitetet akademike në Universitetin e Prishtinës. Pas reagimit të Këshillit Studentor në Fakultetin e Filologjisë, lidhur me shkeljet e vazhdueshme disiplinore të denoncuara nga studentet, Senati largon përkohësisht nga puna profesorin Bekim Bejta ku sipas fakteve dhe denoncimeve ai pritet te përjashtohet përfundimisht së shpejti.” – thuhet në reagimin e tyre.
“Universiteti nuk është institucion për rehabilitim dhe integrim, e as arenë e sporteve luftarake!” – thuhej tutje.
Nga organizata studentore ‘’Levizja Studentore Feministe’’, për Nacionale thanë se UP-ja nuk e ka pasur guximin që të përjashtonin nga puna Bekim Bejten, andaj dhe i kanë dhëne një masë lehtësuese siç është suspendimi.
“Problemi është se UP-ja, nuk e ka pasur guximin me përjashtu që nga fillimi Bekim Bejtën. Arsyeja pse e kanë suspenduar është vetëm pse ka bëre bujë mediale, pasi që para se të behej bujë mediale kanë dalë më propozimin ‘’të bisedojmë me të në atmosfere akademike e profesionale’’- gjë e cila ka qenë skandal i llojit të vetë. Ka qenë i dyshimtë suspendimi, pasi që i ka lenë hapësirë që pas gjashtë muajve të rikthehet prapë në pozitën se ku ka qenë. Tash në dokumentacion i shkruan dorëheqje jo suspendim për shkak të dhunës sistematike psikikë që ka shkaktuar mbi studentët. Kjo veç e tregon qartë dështimin e UP-se si institucion me perjashtu një abuzues, për te cilin i kane pase krejt faktet e mundshme qe e dëshmojnë qe ai o abuzues. Edhe e tregon dështimin e UP-se për te ofruar hapësira te sigurta për studentët”- thanë nga LFS për Nacionale.
Ndërsa rektori i Universitetit të Prishtinës Qerim Qerimi, në një prononcim për media pas vendimit të pezullimit kishte deklaruar se nuk kanë pasur ndonjë rekomandim për shkarkimin e Bekim Bejtes.
“Ne nuk kemi pasur ndonjë rekomandim të tillë, ankesë apo ndonjë denoncim institucional zyrtar. Krejt ajo se cfarë kemi pasur ka qenë vendimi i fundit i Këshillit të Etikës i cili gjithashtu nuk rekomandon ndonjë masë specifike,”- ka deklaruar Qerimi.
Nacionale ka kontaktuar më Universitetin e Prishtinës, për të parë se deri në cilën pikë ka shkuar procesi i suspendimit të Bekim Bejtes.
“Ju njoftoj se senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në mbledhjen e mbajtur më 12 prill 2023, ka marrë vendim që z. Bejta të suspendohet nga pozita e mësimdhënësit në UP. Më 19 korrik 2023, z. Bekim Bejta ka dorëzuar zyrtarisht një dokument me të cilin njofton Universitetin e Prishtinës se do të lë punën në këtë institucion.”- thuhet në përgjigjen e rektoratit për Nacionale.
Për ti venë kapakun të gjithë ngjarjes, UP-ja, nuk e kishtë shkarkuar Bekim Bejten, duke i lenë hapësirë këtij të fundit për të dhëne dorëheqje.
Lajmin e ka bërë të ditur vet profesori Bejta, i cili përmes një letre e ka njoftuar senatin e universitetit për veprimin e tij.
“Unë, Bekim Bejta, profesor dhe hulumtues shkencor i Universitetit të Poitiers, Francë, po ju njoftoj që nga dita e sotme, nuk jam më profesor i Universitetit të Prishtinës. Domethënë unë po e braktisi (lë, lëshoj) këtë vend pune,” - ka shkruar ai në letrën që ia ka dërguar senatit.