Njani është djalë, tjetra çikë: Historia e Patriotit dhe Milotit me pak fjalë - NACIONALE

Njani është djalë, tjetra çikë: Historia e Patriotit dhe Milotit me pak fjalë

1 vit më parë

nga Dafina Demaku

Një kujtim për shtëpinë në oborrin e së cilës si fëmijë, luaja me lloç, bashkë me Patriotin dhe Milotin. Por s’e vizitova më kurrë...

Fotografia bardhë e zi më poshtë, e realizuar sot 27 vjet më parë nga fotografi Ilaz Bylykbashi, përjetësoi dy djem me nënën e tij: Patriotin, Milotin dhe Ganimete Demaku – Gjelin.

Ngjarja (e tragjedisë) është kështu;

Në 28 shkurtin e 1998-tës, forcat policore serbe, do të mësyenin Likoshanin dhe Qirezin, aty ku ishte edhe një nga celulat e UÇK-së.

Në lagjen Gjeli, në oborrin e shtëpisë së ushtarit të UÇK-së, Naser Gjelit (babait të Patriotit dhe Milotit) do të luftohej deri në rënien e Naserit bashkë me babain e tij, Muhametin.

Derisa në oborrin e shtëpisë bëhej luftë, brenda saj ishte një grua që quhej Ganimete. Ajo po provonte të shpëtonte fëmijët e saj Patriotin 4 vjeç dhe Milotin 2 vjeç.

Në një seri rrëfimesh, ish e burgosura politike për demonstratat e vitit 1981, Ganimete Demaku-Gjeli, do të tregonte se fëmijët që po i fshihte brenda shtëpisë, do ta pyesnin se ‘çka janë zërat që po dëgjonin’.

Zërat tmerrues që po dëgjonin Patrioti dhe Miloti, ishin të anëtarëve të familjes Ahmetaj, 10 prej të cilëve, forcat serbe i masakruan.

Kur milicët serbë po masakronin djemtë e Ahmetajve, po shihja çmenduri dhe dëgjoja zëra tmerrues. Djalit 4 vjeç ia mbylla sytë me një harrën të bardhë, për mos me pa tmerrin, derisa më pyeste: “Nanë, kush po bërtet?”. - rrëfen Ganimete Demaku – Gjeli momentet e asaj dite të rëndë.

(Foto: Ilaz Bylykbashi, Milot Gjeli 2 vjeçar)

“Njanin djalë, njanin çikë”

Në rrëfimin e saj që kujton ato momente, Ganimete Demaku - Gjeli, veçon çastin kur në oborrin e shtëpisë, një milic serb e kishte pyetur se ‘çka i ki këta fmi”.

Isha me dy djemtë n’oborr, njani 4 vjeç e tjetri 2, kur m’u afrua një milic serb, i armatosur rëndë dhe më pyeti: “Çka i ki kta thmi?”. I thashë me qëllim: “Njanin djalë, e njanin çikë” nga frika se nëse ma vrisnin njërin, të shtëptonte djali tjetër…” – është rrëfimi i Ganimete Demaku - Gjelit, kur kujton ato momente.

Viktimat dhe dëshmorët e Likoshanit dhe Qirezit, do të varroseshin atë ditë të rëndë me pjesëmarrjen e mijëra njerëzve nga Drenica dhe vende të tjera në Kosovë.

Në ditën/kohën kur ndodhi kjo tragjedi, Ganimete Demaku – Gjeli ishte shtatëzënë.

Pak muaj pas tragjedisë, ajo do të lindtte edhe një djalë, që ia la emrin e burrit dëshmor: Naser.

Sot, Ganimete Demaku – Gjeli, jeton me tre djemtë e saj: Patriotin, Milotin dhe Nasin në Austri.

*Për rrëfimet e saj si ish e burgosur politike në vitin 1981, një herë tjetër...

**Në shtëpinë e hallës ku përjetoi tmerrin në 28 shkurtin e vitit 1998, kam qenë shpesh si fëmijë. Për ndjeshmërinë dhe mërzinë nga përjetimet që patën Oti dhe Mili në atë shtëpi, nuk kam mundur/ nuk kam dashur ta vizitoj kurrë më atë vend.

Lajme të ngjashme