Nga viti 2010, deri më 2019: Si i përkrahte dikur LVV sindikatat, të cilat po i ‘lufton’ ashpër në pushtet - NACIONALE

Nga viti 2010, deri më 2019: Si i përkrahte dikur LVV sindikatat, të cilat po i ‘lufton’ ashpër në pushtet

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kërcënimet e ministrive ndaj grevistëve të cilët po kërkojnë 100 euro shtesë deri në miratimin e Ligjit të Pagave, kanë vazhduar gjatë gjithë ditës së djeshme. Kjo është bërë me Email, duke kërkuar listat e punëtorëve që po mbajnë greva.

Kundër grevave të Sindikatave kanë dalur eksponentët kryesorë të Vetëvendosjes, e përkrahësit e këtyre të fundit në anën tjetër, kanë shpërthyer edhe në linçime e ofendime.

Megjithatë, dikur, Vetëvendosje sa ishte në opozitë, nuk kishte kritika për Sindikatat. Madje, i përkrahte ato në greva dhe realizimin e kërkesave të tyre. Kjo histori e përkrahjes së VV-së ndaj Sindikatave, daton nga viti 2010, e deri më 2019 para se të vinin në pushtet.

VITI 2010: Një protestë të thirrur nga Sindikatat për 1 maj të vitit 2010, e kishte përkrahur partia e Albin Kurtit. Në një komunikatë për media të cilën ende e kanë publike, thuhej se punëtorët në atë kohë, ofendohen e diskriminohen.

“Ndërkohë që janë pikërisht këta punëtorë, minatorë, arsimtarë, mjek, shërbyes civil e pensionist të cilët sot janë hedhur në fund të ngrehinës sonë shoqërore, së bashku me studentët e bujqit, të lënë pa mbështetje e pa perspektivë, duke mos pasur mundësi që ta sigurojnë madje as bukën e gojës. Ndërkohë që përditë fyhen dhe lëndohen nga rritja e vazhdueshme dhe e paprekshme e pasurisë së politikanëve dhe tregtarëve që mbështeten dhe i mbështesin ata. Dhe përditë dëgjojnë se si po u dashka të presin edhe pak sepse për një kohë të shkurtër do t’u vijë mirëqenia dhe dinjiteti nëse e kanë durimin dhe tregohen të urtë. E ajo nuk erdhi kurrë, dhe nuk shihet të vijë as nesër”, thuhej në komunikatën e VV-së të vitit 2010.

VITI 2018: Më 26 dhjetor 2018, Vetëvendosje bashkë me LDK-në, aso kohe parti opozitare, kishin dalur në një konferencë për media ku e përkrahnin grevën e punëtorëve të shëndetësisë. Folës ishin Fatmire Kollçaku e Naser Rugova.

“Dy deputetët e Lëvizjes dhe LDK-së deklaruan se kanë marrë hapat procedurial me mbledhjen e nënshkrimeve që për këtë çështje të thirret një seancë e jashtëzakonshme që kërkesat të përmbushen menjëherë, pra të votohet projektligji me amendamentet e komisionit, greva të ndërpritet dhe qytetarët të marrin shërbimet jetike shëndetësore. Qeveria që ia rriti 100 fish pagat vetes e pati sjellë projektligjin për pagat me klasifikim të turpshëm të koeficientëve”, thuhej në komunikatën e Vetëvendosjes pas kësaj konference.

VITI 2019: E i zëshëm në përkrahje të Sindikatave, ishte dikur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Në një tryezë me përfaqësuesit e Sindikatave, iu jepte përkrahje për të gjitha kërkesat.

“Në një shtet të mirëqenies sociale sindikatat dhe shteti janë partnerë për të rritur mirëqenien dhe standardin jetësor të punëtorit dhe jo konkurrente me njëra-tjetrën. Negociatat e sindikatave duhet të ndodhin për bindjen tonë në nivel industrial e sektorial jo vetëm me shtetin dhe përmes shtetit sepse kjo edhe ngapak i ka pasivizuar sindikatat. Ne duam që sindikatat të forcohen sepse të drejtat e punëtorëve mbrohen më së miri kur sindikatat janë të fuqishme e sindikatat e fuqishme i mbrojnë punëtoret nga arbitrariteti i punëdhënësit, duke përfshirë edhe shtetin si punëdhënësontratat në vendin e punës, respektimi i orarit, paga minimale, pushimi dhe të drejtat tjera”, deklaronte Kurti.

Nacionale dje ka publikuar edhe deklaratat e ministrave të qeverisë Kurti, të cilët sa ishin në opozitë, përkrahnin edhe grevat e mësimdhënësve.

Lajme të ngjashme