Misteri i ‘vrasjes’ apo ‘zhdukjes’ së Ervis Martinajt, biznesmeni që u kthye në kryefjalën e krimit në Shqipëri - NACIONALE

Misteri i ‘vrasjes’ apo ‘zhdukjes’ së Ervis Martinajt, biznesmeni që u kthye në kryefjalën e krimit në Shqipëri

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kushdo që edhe rrallë lexon mediat e Shqipërisë, raportimi për Ervis Martinajn ka qenë pothuajse i përditshëm. Si rezultat, emri i tij nuk është aq i panjohur edhe në Kosovë. Një ish-oficer policie që u lidh me krimin e kazinotë, që së fundmi po raportohet se është gjetur i copëtuar nga bandat rivale. Gazeta Nacionale sjell një përmmbledhje të Martinajt, që u kthye në kryefjalën e krimit në Shqipëri.

Pak më shumë se një muaj më parë, një atentat ndodhi në Fushë Krujë të Shqipërisë. Ajo që dihej qysh në start ishte një luftë bandash, e ku pa dyshim ishte i përfshirë i shumë-kërkuari Ervis Martinaj. Në atentatin ku humbën jetën tre persona, shënjestër ishte pikërisht Ervis Martinaj. Megjithatë, ai nuk ishte në veturën ku një grup tjetër kishte shtënë me qindra herë.

Në këtë atentat u vra Brilant Martinaj, familjar i Ervisit, dhe i dyshuaër për vrasjen e policit Xhulio Prela në Lezhë. Veç tij në këtë atentat u vranë edhe Besmir Hoxha dhe Dikler Vata.

Beteja e bandave në Shqipëri duket se vazhdoi. Para pak ditësh, familja e Ervis Martinajn, kryefjalës së krimit në Shqipëri, e raportoi në Polici si të zhdukur. Familjarët njoftuan se i kanë humbur të gjitha kontaktet me Ervisin. Menjëherë nisin dilemat nëse Ervis Martinaj është likuiduar, apo rrëmbyer nga bandat rivale.

Mediumi Albanian Post duke raportuar në burime brenda Policisë së Shqipërisë, kanë njoftuar se Ervis Martinaj është vrarë dhe trupi i tij është prerë në gjashtë copë.

“Në detaje paraprake, mendohet se ai është nxjerrë nga një person i afërt nga banesa (fortesa) e tij, i cili e ka çuar drejt grupeve rivale, siç mëson Albanian Post. Ajo banesë në Fushë-Kuqe, njihej edhe si vendi më i sigurt ku Martinaj strehohej dhe të afërmit, shpesh, e kanë quajtur edhe kështjella e familjes Martinaj”, thuhet në raportimin e Albanian Post.

Se Martinaj është vrarë, e kanë konfirmuar edhe disa burime të mediumit Vox në Shqipëri. Megjithatë, detajet e tjera në lidhje me rastin nuk dihen.

Kush është Ervis Martinaj?

36-vjeçari Ervis Martinaj është një emër i njohur i botës së krimit në Tiranë. Emri i tij ishte lakuar shpesh pas vitit 2013. Ai u denoncua për kanosje nga një komandant i forcave “Shqiponja” të Policisë së Shtetit në Tiranë. Pas denoncimit, ai u shpall në kërkim.

Kanosja ndodhi pasi Martinajt në vitin 2013 i ishin konfiskuar 400 makineri të lojërave të fatit. Në atë kohë, mediat shkruanin se Martinaj i kishte blerë makineritë nga rivali i tij, Ervis Doçi. Doçi përflitej si njeri i afërt me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe dyshohet se ishte vënë në dijeni para nisjes së operacionit duke i shitur makineritë e lojërave të fatit tek Ervis Martinaj. Po në atë ditë, Ervis Doçi ishte vrarë në afërsi të stadiumit “Selman Stermasi”

Një tjetër ekzekutim i bujshëm ku del sërish emri i Ervis Martinajt ishte vrasja e bankierit Artan Santo, ngjarje e ndodhur po në zonën e ish-bllokut dhe në mes të ditës në qershor të 2014. Emri i Martinajt u përmend kur gjatë një operacioni të policisë në magazinat e bizneseve të tij në Fushë-Kuqe u gjetën dy pjesë motori të ngjashme me ato të dy autorëve që ekzekutuan bankierin Santo.

Një vit më vonë, Ervis Martinaj do të rikthehej sërish në qendër të kronikës së zezë, por këtë herë jo më si i dyshuar, por i përfshirë drejtpërdrejtë në vrasjen e Enton Nikës, ngjarje e ndodhur në parkingun e një lokali në zonën e Linzës, e filmuar edhe nga kamerat e sigurisë. Sipas asaj që u zbardh më vonë në procesin gjyqësor, mes viktimës dhe Ervis Doçit ka pasur një debat. Martinaj, thuhet në dosjen hetimore, gjatë qëndrimit në lokal ka dëgjuar Enton Nikën të flasë nën zë dhe ka kujtuar se e ka ofenduar.

Ervis Martinaj kishte mbetur i plagosur gjithashtu në një incident që kishte ndodhur në zonën Blloku të Tiranës, ku ishte përfshirë edhe truproja i këngëtares, Elvana Gjata.

Miqtë e Ervis Martinajt ishin eleminuar një nga një, duke kulmuar me rastin e fundit në Fushë-Krujë. Kush u vra?

Santiago Malko, 26-vjeçari, ishte pjesë e bandës së Ervis Martinajt. Edhe Malko ka qenë i përfshirë në ngjarjen e 4 tetorit të 2018-s, kur ndodhi vrasja e Fabian Gaxhës.

Ai u ekzekutua ne 2019, me 10 plumba në zonën e Xhamllikut në Tiranë.

Në maj të vitit 2020 në aksin rrugor Laç-Mamurras u vra Bujar Lika, edhe ky mik i ngushtë me Ervis Martinajn. Pranë tij u gjet një armë zjarri. I vrarë mbeti gjithashtu edhe Paulin Gjergji. Por policia dyshonte se “shënjestër” e atentatit ishte Bujar Lika, pikërisht për shkak të miqesise dhe lidhjeve me Ervis Martinajn.

Vazhdon misteri

Mediat në Shqipëri vazhdojnë të hedhin pikëpyetje në lidhje me situatën e Ervis Martinajt. Është vrarë? Është zhdukur? Apo vetëm një inskenim për ta zhvendosur vëmendjen.

Lapsi.al ka publikuar disa skenarë në lidhje me situatën:

Inskenim për të çorientuar kundërshtarët: Duke qenë se shokët dhe të afërmit e Ervis Martinajt u eliminuan njëri pas tjetrit nga bandat rivale, atij nuk i ka mbetur tjetër vetëm se të çorientojë kundërshtarët për të fituar kohë. Ky është një shpjegim për denoncimin e nënës dhe xhaxhait të tij në polici, që thanë se kanë humbur kontaktet, megjithëse ai ishte shpallur prej muajsh në kërkim.

Largimi nga Shqipëria: Një teori tjetër që përflitet, është se ai është larguar përfundimisht nga Shqipëria drejt Dubait. Duke qenë se paratë nuk i mungojnë, Martinaj mund të jetë zhvendosur drejt strehës më të sigurtë për shqiptarët e shpallur në kërkim për të nisur një jetë të re.

Ekzekutimi: Pista tjetër është që ai të jetë vrarë dhe që shqetësimi i familjes të jetë real. Martinajt i kanë mbetur shumë pak të besuar dhe nuk është çudi që kandili i tij të jetë fikur tashmë. Martinaj mund të jetë tradhtuar nga njerëzit që e strehonin, të cilët kanë kuptuar se armiqtë e tij ishin shumë më të fortë.

Por deri tani asgjë nuk është e sigurtë. Lajmet për Ervis Martinajn vazhdojnë të mbushin faqet e portaleve dhe shkrimet për të janë një trend i pandalshëm, për shkak të historisë së komplikuar që e ndjek pas.

Lajme të ngjashme