Ministria e Shëndetësisë nuk po paguan qindra luftëtarë të angazhuar në luftën antiCovid-19
Në llogaritë e tyre bankare, qindra punëtorëve të angazhuar nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë për luftimin e pandemisë me Covid-19, nuk u kanë dalë pagat e muajit mars. Ndonëse të njëjtit ka disa muaj që janë angazhuar nga ana e MSh-së si staf mbështetës në ndihmë të shumë spitaleve të QMF-së për ndihmë në luftën ndaj koronavirusit.
Thotë se punon me mund e me zell. Por puna e F. Spahiut, i angazhuar si infermier në SHSKUK nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë si staf mbështetës për luftën ndaj koronavirusit, siç duket nuk po shpërblehet.
Atij në llogarinë bankare nuk i ka dalë paga e muajit mars për punën që e ka bërë.
Në një bisedë me Nacionalen, infermieri i cili nuk ka pranuar të flasë me emër, ka deklaruar se po ndihen të diskriminuar nga shteti, pasi ata nuk kanë marrë as 100 eurot e ndara nga Qeveria në kuadër të Pakos së Rimëkëmbjes.
“Në vitin 2021 jam angazhuar pas thirrjes nga konkursi për rekrutim si staf mbështetës, vendosa të aplikoj përmes konkursit. U pranova. Por pagën tash s’po na e qesin. Në muajin mars s’e kemi marrë një cent. Kam pyetë në Ministri, e kot, më thanë që janë duke bisedu me ministritë. Nuk e di se ku është problemi. As 100 eurot e Qeverisë ne ende s’i kemi marrë”, thotë infermieri.
E punëtorët që shërbejnë në spitalin e Gjilanit si staf mbështetës, as ata nuk janë paguar.
“Me ata çka pata mundësi të diskutoj, disave nuk u kanë dalë pagat. Pra ka disa punëtorë tanë që s’kanë marrë pagë”, ka deklaruar për Nacionalen drejtori i Spitalit Rajonal të Gjilanit, Arsim Emini.
Ministria e Shëndetësisë: Jemi duke u marrë me këtë çështje
Ministria e Shëndetësisë krejt këtë problematikë e këto ankesa të punonjësve shëndetësorë e ka sqaruar me një fjali të shkurtër duke thënë se me Ministrinë e Financave janë duke e shqyrtuar këtë problematikë.
“Edhe MSh edhe MF janë duke u marrë me këtë çështje. Janë duke u kërkuar modalitetet për procedimin e pagesave për krejt stafin e angazhuar për ballafaqim me COVID-19”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.
E gazeta Nacionale ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Financave sa i përket kësaj çështjeje. Nga MF thanë se për këtë punë merret ekskluzivisht Ministria e Shëndetësisë.
Kur dhe për çka janë angazhuar këta profesionistë shëndetësorë?
Në muajin gusht të vitit 2021, Ministria e Shëndetësisë pati hapur konkurs për angazhimin e përkohshëm të profesionistëve shëndetësorë dhe stafit mbështetës gjatë pandemisë COVID-19.

Me anë të këtij konkursi, Ministria e Shëndetësisë synonte të punësojë 1 mijë e 116 pozita në shtatë Spitalet Rajonale, në Qendrat rajonale të IKSHPK-së, Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare nëpër komuna dhe Inspektorë Sanitarë.

“Bazuar në Ligjin Nr. 07/L-006 Për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës, Rregulloren (SHËNDETËSI) Nr.05.2020 Për angazhimin e përkohshëm të profesionistëve shëndetësorë dhe stafit mbështetës gjatë pandemisë COVID-19 dhe Vendimin e Qeverisë nr.03/27 të dt.18.08.2021 së Republikës së Kosovës, Ministria e Shëndetësisë, shpall K O N K U R S”, thuhet në njoftimin MSh-së për konkursin në fjalë. /Nacionale.com/