Mësimi online dhe nxënësit e klasës së parë në shkolla publike në Kosovë: Këndvështrimi i mësimdhënësve - NACIONALE

Mësimi online dhe nxënësit e klasës së parë në shkolla publike në Kosovë: Këndvështrimi i mësimdhënësve

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Nora Nimani - Musa

Në vitet e fundit në botë është intensifikuar debati për rëndësinë e teknologjisë dhe integrimin e saj në mësimdhënie. Mirëpo ishte pandemia COVID-19 që dëshmoi edhe një herë se sa i rëndësishëm dhe i pashmangshëm është ky integrim. Edhe në Kosovë është folur dhe është planifikuar për zhvillim të shkathtësive për shfrytëzim të teknologjisë në mësimdhënie dhe mësimxënie.

Në strategjinë e arsimit të Kosovës për vitet 2017-2021 është theksuar shkalla e lartë e përdorimit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, ku sipas vlerësimeve zyrtare, 76.6% e popullsisë së Kosovës e përdorin internetin. Pavarësisht faktit që interneti më së shumti përdoret për qëllime argëtuese, kjo është përqindje shumë e lartë dhe mbi mesataren e rajonit. Në anën tjetër, mundësia e përdorimit të teknologjisë nëpër shkolla është e limituar si rezultat i mungesës së pajisjeve; p.sh. një kompjuter është për 46 nxënës ndërsa vetëm 57% e personelit mësimor janë të trajnuar për ECDL (Patenta Evropiane për Përdorimin e Kompjuterit). Duke u nisur nga këto fakte, MASHTI ka paraparë që gjatë viteve 2017-2021 do të punohet në përmirësim të këtyre parakushteve për një zbatim të drejtë dhe më të gjerë të teknologjisë në mësimdhënie dhe mësimxënie. Rrjedhimisht, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë si BE-ja dhe USAID-i, ishte punuar në blerjen e kompjuterëve dhe zhvillimin e përmbajtjes elektronike dhe mirëmbajtjen e pajisjeve të TIK-ut nëpër shkolla.

Sipas raportit të MASHTI-t për vlerësimin e kësaj strategjie 5 vjeçare, shkalla e kyçjes së shkollave në internet është rritur pothuajve 80%, megjithatë raportohet se sistemi arsimor ka qasje të ulët në teknologji të informimit dhe komunikimit, dhe teknologjia bashkëkohore ende nuk është integruar në mënyrë të përshtatshme në kurrikulë, mësimdhënie dhe menaxhim të sistemit arsimor në tërësi. Ky raport i MASHTI-t po ashtu thekson nevojën e investimit dhe forcimit të këtyre mekanizmave. Mirëpo, pavarësisht këtyre raporteve, nëse shkojmë nëpër shkolla të Kosovës, mund të vërejmë se interneti është zakonisht në zyra të drejtorëve dhe aty këtu në ndonjë kabinet, ndërsa mësimdhënia në klasa bëhet kryesisht me projektorë.

Sfidat e mësimdhënësve gjatë mësimit online me nxënësit e klasëve të para

Pavarësisht planifikimeve të MESTI për shtrirje të teknologjisë në sistemin arsimor, pandemia që goditi botën në vitin 2019 e gjeti sistemin e arsimit në Kosovë të papërgatitur, sidomos sa i përket aftësive të mësimdhënësve në teknologji. Siç dëshmojnë të dhënat preliminare të hululmtimit lidhur me ndikimin e pandemisë në fushën e arsimit, pasojat e kësaj mospërgatitjeje do të jenë afatgjata. Mësimdhënësit janë ballafaquar me probleme prej më të ndryshmeve, duke filluar nga mosnjohuritë mbi përdorimin e teknologjisë, puna me kurrikulën dhe tekstet e reja shkollore, pamundësia e nxënësve për t’u kyçur në mësimin online. Si rrjedhojë, shumica dërrmuese e mësimdhënësve të intervistuar nuk preferojnë mësimin online dhe pa dyshim favorizojnë mësimin me prezencë fizike në shkollë.

Në mungesë të përgatitjes paraprake, gjatë pandemisë, fillimisht mësimdhënësit filluan të përdonin platformën Zoom për të mbajtur mësimin, platformë kjo plotësisht e panjohur për ta. Siç tregon mësimdhënësja 1:

“Deri te mësimi online, këto platformat, ne nuk i kemi ditur as që ekzistojnë. Madje unë e kisha klasën e pestë kur ka filluar pandemia, edhe i kisha fëmijët e motrës në një shkollë tjetër fillore në Prishtinë, dhe ata veç kishin pasë filluar. Djali im, që ishte në klasën e tretë dhe vijonte edhe një kurs të teknologjisë, më tha që është shumë e lehtë, se edhe mësuesesja kishte hapë platformën… Ai krijoi një llogari edhe për mua, dhe kam qenë e para në shkollë që kam filluar me Zoom.”

MASHT-i kishte ofruar tri lloje të skenarëve për mësimin gjatë pandemisë dhe të gjitha shkollave u është dhënë mundësina të zgjedhin metodologjinë e punës së tyre në mënyrë autonome. Në shumë shkolla, nxënësit e klasës së parë e kishin filluar mësimin online, mirëpo edhe shumë prej sosh e kishin filluar me prani fizike në shkollë.

Ka shumë fëmijë të cilët shpesh nuk marrin pjesë në mësimin online, dhe kjo ndodh për arsye të ndryshme.

“Me thënë të drejtën, në njërën anë më mirë mos me mbetë pa mësim hiç. Më mirë me zoom se hiç. E kam një numër të nxënësve që materialisht nuk qëndrojnë mirë. E kanë një telefon, dhe në të njëjtën kohë hyjnë motra ose vëllai, dhe përparësitë janë te fëmijët nëpër klasa më të larta”, thotë mësimdhënësja 2 nga një shkollë në periferi të Prishtinës, e cila tregon për sfidat ekonomike me të cilat ballafaqohen nxënësit e shkollës së saj.

Në disa shkolla, përkundër kalimit të ciklit të lartë në skenarin C, pra në mësimin online, mësimdhënësit kishin vendosur që mësimin me klasët e para ta fillonin me prezencë fizike dhe kishin ndarë nxënësit në dy grupe me qëllim të parandalimit të shpërndarjes së virusit COVID-19. Mësimin me prezencë fizike mësimdhënësit e quajnë fat të mirë. Sipas mësimdhënëses 1,

“Fatmirësisht, vitin e kaluar nuk na ka rënë me pasë shumë shkëputje - vetëm 2 javë - sepse kemi bërë çmos dhe na ka ndihmuar kjo puna e skenarit B. Punonim me dy grupe, në dy ndërrime. Ka qenë vështirë, kemi dezinfektuar, jemi munduar ta mirëmbajmë shkollën dhe klasat, e fatmirësisht fëmijët janë shpërblyer dhe nuk kemi pasur shkëputje të madhe.”

Implementimi i kurrikulës gjatë mësimit online

Sipas praktikës tashmë të etablauar, gjatë mësimit online, kryesisht mbahen tri orë mësimore dhe një orë mësimore zgjat rreth 30 minuta me fokus në lëndën e matematikës, gjuhës shqipe, njeriu dhe natyra si dhe shkathtësi për jetë. Kjo e pamundëson implementimin e plotë të kurrikulës. Prandaj, humbësit më të mëdhenj gjatë mësimit online janë klasët e para. Gjatë klasës së parë nxënësit e marrin bazën e shkrim-leximit, mësojnë gjërat bazike në matematikë, krijojnë shprehitë e mira, mësojnë përgjegjësitë e tyre, punën në grupe, si dhe shumë shkathtësi tjera të cilat u nevojiten gjatë gjithë jetës.

“Të them të vërtetën, mësimi online është zhvilluar vetëm në mënyrë sipërfaqësore për arsye se kemi punuar me kurrikulë të re. Për ne është dashur kohë derisa e kemi pranu dhe jemi shkri në atë kurrikulë, ka qenë pak ma vështirë me ndryshu. E tash mos të flasim për prindërit të cilët nuk e kanë ditur ndoshta çka po ndodh”, thotë mësimdhënësja 1 lidhur me vështirësitë e implementimit të kurrikulës së re, të cilat ishin edhe më të mëdha gjatë mësimit online.

Mësimdhënësit mundohen që orët e humbura, qoftë si rezultat i mosprezencës së fëmijëve në klasat online, apo si pasojë e pamundësisë për të mbuluar të gjitha fushat kurrikulare, t’i kompenzojnë me anë të mësimit plotësues pas kthimit të nxënësve nëpër shkolla. Gjithsesi, pasojat e humbjes së orëve apo pamundësisë për të mbuluar të gjitha fushat kurrikulare mbesin të pariparueshme.

Zhvillimi profesional i mësimdhënësve

Në strategjinë e arsimit të Kosovës për vitet 2017-2021 është paraparë edhe nevoja dhe rëndësia e zhvillimit profesional të mësimdhënësve. MASHTI gjatë kohës së pandemisë, kishte vepruar shpejtë duke përgatitur emisione të cilat janë transmetuar në televizionin publik të Kosovës, RTK, sipas orareve të caktuara për grupe të caktuara të fëmijëve, varësisht prej klasave që ata vijonin. Më vonë u krijua edhe platforma e-shkollori ku përveç mësimdhënies, paraqitjes së materialeve të ndryshme shkollore, bëhet edhe vlerësimi dhe notimi i nxënësve. E për këtë platformë mësimdhënësit kishin vijuar një trajnim njëditor. Ky ishte njëherit edhe trajnimi i vetëm që mësimdhënësit e kishin vijuar për integrim të teknologjisë në mësimdhënie, pas trajnimit për ECDL shumë vite më parë. Trajnimi ECDL bëhet për t’u mësuar mësimdhënësve shkathësitë bazë për përdorimin e sistemit operativ windows.

Mësuesja 3 tregon se “Ka trajnime të ndryshme të cilat na ofrohen, por jo për integrim të teknologjisë në mësimdhënie. Përveç trajnimit njëditor për e-shkollori që është mbajtur në shkollë”.

Ka shumë trajnime të cilat u ofrohen mësimdhënësve në Kosovë, mirëpo zakonisht ato nuk shihen si shumë të dobishme. “Po. Ka shumë trajnime, disa nuk janë hiç për ne. Kemi pasë shumë trajnime që kurrë nuk na kanë hyrë në punë”, tregon mësimdhënësja 1.

Ashtu si mësimdhënësit të cilët kërkojnë t’u ofrohen trajnime më atraktive të cilat u hyjnë në punë, në të njëjtën mënyrë edhe nxënësit kanë nevojë që këta mësimdhënës t’u ofrojnë një orë mësimore më atraktive. E që kjo të jetë e mundur, nevojitet integrimi i teknologjisë. Të gjithë fëmijët tashmë kanë qasje në pajisje teknologjike, qoftë si dëgjues e shikues aktivë apo pasivë të kanaleve të ndryshme në YouTube, televizor, apo duke luajtur lojëra të ndryshme në internet. Andaj, edhe në klasat e tyre duhet të ketë larmi të ngjyrave dhe aktiviteteve, të ketë gërshetim të imazheve dhe sqarimeve nga mësimdhënësit, pra, të dilet përtej teksteve shkollore.

Në mënyrë që mësimdhënësit të jenë të gatshëm të integrojnë teknologjinë në mësimdhënie, ata duhet të kenë sa ma shumë mundësi për avancim profesional dhe të jenë në trend me kohën dhe zhvillimet e fundit në edukim. Por, në të njëjtën kohë, duhet ta kenë edhe infrastrukturën teknologjike që u mundëson krijimin e aktiviteteve të ndryshme për zbatim të kurrikulës dhe arritjen e kompetencave të nxënësve. Kësisoj, shkolla u bëhet fëmijëve edhe kënaqësi.

Artikulli është pjesë e një projekti kërkimor prodhuar në kuadër të Bursës Kosovare për Hulumtime dhe Analiza, mbështetur nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur.

Lajme të ngjashme