Maliqi: Kosova e hipnotizuar nga kulti i personalitetit, shpresojmë se dëmi nga kjo dehje nuk është fatal
Opinionisti, Agon Maliqi, ka komentuar veprimet e fundit qeveritare, krahas kërkesave të ndërkombëtarëve, dhe situatës së tensionuar në terren.
Sipas Maliqiti, në Kosovë ekziston kulti i perosnalitetit, e nuk ka vend për reflektim kritik, dhe për këtë arsye Maliqi thotë se nuk sheh zgjidhje tjetër, përpos të i lëshohet rrugë popullizmit për të arritur i pa penguar në përfundimin e vet logjik.
Sipas Maliqit, në tërë këtë situatë, duhet shpresuar vetëm për një gjë, e ajo është se kjo “dehje” të mos jetë fatale.
Stausi i plotë i Maliqit:
“Mundohen njerëzit me vite të tëra me ju paralajmëru se cili është realiteti i raportit të forcave në marrëdhënie ndërkombëtare; se çfarë do të ndodh nëse ndjekim kurs të gabuar dhe të ndërtuar mbi iluzione kolektive dhe moralizime naive - për me u akuzu në fund, kur këto paralajmërime materializohen, se është në fakt faji i kritikëve dhe "armiqve të brendshëm" që Kosova nuk po ka sukses dhe mbështetje të mjaftueshme. Madje, e shohim një thellim dhe vendosshmëri edhe më të madhe për ta ndjekur të njëjtin kurs, sepse thjesht vullneti - të cilin me bollëk e kanë edhe kurdët e palestinezët - na qenka çelësi i suksesit! Dorën në zemër, në Kosovën e hipnotizuar nga kulti i personalitetit dhe nga papjekuria kolektive emocionale, sot nuk ka hapësirë për reflektim kritik përtej gjeopolitikës së kafeneve dhe inateve e frustrimeve të mbështjella me gjuhë morale nën petkun e "dinjitetit". Për këtë arsye, nuk shoh zgjidhje tjetër përveç se me i lëshu rrugë popullizmit për të arritur i papenguar në përfundimin e vet logjik, dhe thjesht me shpresu se dëmi nga kjo dehje nuk është fatal”