Lista GUXO e kërkon postin e ministrit të Shëndetësisë, por kush do ta pasojë Latifin?
Specialisti i kirurgjisë, Rifat Latifi, nuk ka qëndruar as një vit në pozitën e ministrit të Shëndetësisë. Ai të enjten e parë të tetorit dha dorëheqje nga kjo pozitë, vetëm 11 muaj pasi e mori këtë post. Emërimi i Latifit ishte pritur me entuziazëm të madh, duke u parë si shpresë për zgjidhjen e problemeve të shumta në shëndetësinë kosovare.
Sidoqoftë, për pak muaj, shumë nga ata që e kishin mbështetur, u shprehën të zhgënjyer nga puna e tij. Si rrjedhojë, e kërkonin edhe dorëheqjen e Latifit. Tashmë ish-ministri Latifi dorëheqjen e tij e ofroi në Zyrën e Kryeministrit më 6 tetor.
Pas dorëheqjes së Latifit, në publik filluan të qarkullonin emra të mundshëm të personave të cilët potencialisht do të mund ta zinin vendin e Latifit në MSh.
Sipas burimeve të Gazetës Nacionale, si kandidat potencial u përmend Driton Vela.
Vela është asistent në Fakultetin e Mjekësisë së Universitetit të Prishtinës si dhe specialist i mjekësisë interne.
Nacionale e kontaktoi të premten me z. Velën. Ai ka thënë se deri në momentin kur e zhvilloi bisedën me Nacionalen, nuk ka marrë asnjë ofertë apo ftesë për takim nga krerët qeveritarë për të diskuar rreth pozitës së ministrit të Shëndetësisë.
“Nuk mund të hamendësoj asgjë - të flas për një pozitë përderisa s'kam marrë ofertë ose diçka tjetër. Nuk merrem me spekulime. Unë jam shkencëtar, i dua gjërat konkrete", i tha Vela të premten Nacionales.
Vela në vitin 2018 e kishte fituar Çmimin “Shkencëtari i Vitit”. Ai ka botuar libër nga fusha e mjekësisë: “Fiziologjia e Sistemit Kardiovaskular”.
Kujtojmë se Driton Vela, vëllai i shefit të kabinetit të Presidentes Osmani, Blerimit, në vitin 2019 u bë anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Megjithëkëtë, emri i parë që diskutohej për ta pasuar Latifin e për t’u rikthyer si ministër, ishte Arben Vitia. Ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili e kishte lënë këtë detyrë që të kandidonte për kryetar të Prishtinës, në një deklaratë për Nacionalen e ka mohuar mundësinë e rikthimit në MSh.
“Jo, nuk kam asnjë interesim. Nuk kam qenë në dijeni më herët, është lajm ky që sapo ma thatë”, tha Vitia për Nacionalen. Vitia së fundi është emëruar në pozitën e menaxherit në klinikën private, “Olive”.
Rikthimin e Vitisë në krye të Shëndetësisë e ka kërkuar edhe Xhevdet Pozhari, analist i çështjeve politike. Ai e ka lavdëruar ish-ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, duke thënë se shëndetësia nuk ka pasur kurrë ministër më të përkushtuar.
Lista GUXO po e kërkon postin e ministrit të Shëndetësisë
Nuk kaloi shumë kohë e pas lajmit për dorëheqjen e ish-ministrit Rifat Latifi, reaguan zyrtarë të Listës GUXO.
Deputeti i Listës GUXO, Burim Meta, përmes rrjeteve sociale ka ngritur pikëpyetje rreth asaj se kush duhet të bëhet ministër i Shëndetësisë, duke aluduar se kjo pozitë mund t’i takojë Listës në të cilën ai bën pjesë.
Meta në “Info10” i bëri thirrje publikisht kryeministrit Kurti që të diskutojë me Gërvallën e Pecin para se të vendosë për ministrin e ri të këtij institucioni.
“Besoj shumë që partia Guxo në shëndetësi, me kapacitet e saj, do të ndihmojë shumë në këtë sektor. Ne të gjithë mund ta përkrahim edhe doktor Avdylin që të menaxhojë me ministrin e Shëndetësisë. Pavarësisht emrit, pse duhet të diskutohet edhe me ne, është se aktualisht është pozicioni më i rëndësishëm i Qeverisë Kurti 2”, tha ai.
Puna e ish-ministrit Latifi
Synimet kryesore të z. Latifi ishin reforma në sektorin e shëndetësisë kosovare, kthimi i trurit në Kosovë si dhe projekti për telemjekësinë.
“Me ngritjen e kapaciteteve njerëzore si dhe kthimin e trurit të larguar tash e 20 vjet nga Kosova, do të parandalohet largimi i pacientëve tanë për në vendet në rajon dhe, kështu, këtë investim shtetëror dhe individual në spitalet e huaja i kthejmë në shtëpinë tonë dhe i modernizojmë spitalet tona”, kishte thënë Latifi pas marrjes se postit. Sidoqoftë, nuk kaloi kohë e gjatë dhe pritjet filluan të zbeheshin. Për një periudhë shumë të shkurtër, ai u bë ministri më i kritikuar në Qeverinë Kurti.
Kritikat kryesore ndaj Latifit kanë qenë për neglizhencë dhe për mungesë të përgjegjësisë.
Udhëtimi i fundit në Greqi
Gjatë gati një viti qeverisjeje, Latifi ka udhëtuar tetë herë jashtë vendit, siç raportonte, për vizita zyrtare.
Vizitën e fundit në cilësinë e ministrit Rifat Latifi e realizoi në Greqi.
Atje, sipas MSh-së, qëndroi me ftesë të homologut të tij grek. Në atë vizitë u fol për aftësimin e profesionistëve shëndetësorë si dhe për shkëmbimin e kuadrove.
Tri udhëtime në Amerikë
E pak ditë pasi e kishte marrë detyrën e ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi kishte udhëtuar për në ShBA, atje ku për vite të tëra kishte punuar. Vendi po ballafaqohej me mungesë të ilaçeve nga lista esenciale, kushte të punës e mungesë të kuadrove. Sidoqoftë, këto probleme nuk iu dukën të rëndësishme ish-ministrit.
Përgjatë gati një viti menaxhim të MSh-së, ish-ministri Latifi, në periudhën janar –korrik, ka qenë në vizitë në ShBA, një herë për punë personale të tij, për të cilat nga kabineti deklaronin se shpenzimet i ka realizuar me mjete të veta financiare, ndërsa udhëtimi tjetër ka qenë zyrtar.
Në muajin janar, ai udhëtoi për në Shqipëri, në mars Latifi udhëtoi për në Turqi, pastaj në prill për në Norvegji, në korrik dhe në gusht ka qenë në Austri.
Në tetor të këtij viti, ish-ministri Lafiti pati thënë se do të udhëtonte në Amerikë sërish në cilësinë e ministrit, pas ftesës së pranuar nga Kolegji Amerikan i Kirurgëve. Këtë deklaratë Latifi e kishte dhënë pas ftesës së pranuar nga Kolegji Amerikan i Kirurgëve./Nacionale/

