Lija e majmunit: A është duke u përsëritur historia? - NACIONALE

Lija e majmunit: A është duke u përsëritur historia?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Çdokush mund të preket nga lija e majmunit, por vala aktuale e virusit në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA po prek kryesisht homoseksualët, biseksualët dhe meshkuj të tjerë që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj. “Jam bërë shumë i zoti në veçimin e ndjenjave; ky ishte një nga mekanizmat e mi mbrojtës”, thotë Ron Goldberg, libri i të cilit Boy With The Bullhorn: A Memoir And History Of Act Up New York flet mbi periudhën që ai kaloi në grupin e aktivistëve për çështje të sidës midis viteve 1987 dhe mesit të viteve 1990. “Por fakti që lija e majmunëve prek komunitetin gej... a do të thotë kjo se homoseksualët do të denigrohen sërish?”.

Duke qenë se lija e majmunëve (e shpallur emergjencë globale shëndetësore nga Organizata Botërore e Shëndetësisë) mbërriti gjatë një pandemie tjetër, mund të pritej për një përgjigje më të menjëhershme nga qeveritë dhe organizatat shëndetësore. Por jo vetëm që qeveria amerikane ishte e ngadaltë në pranimin e përhapjes së pandemisë, por edhe shpërndarja e vaksinave në nivel botëror ka qenë deri tani edhe katastrofike, me mijëra doza të humbura, të ruajtura dhe të dërguara në mënyrë të papërshtatshme, dhe takime të pamjaftueshme vaksinimi.

“Agjencia Britanike e Sigurisë Shëndetësore nuk ka komunikuar mjaftueshëm me përfaqësuesit e komunitetit”, shton Greg Owen, aktivist dhe bashkëthemelues i “I Want PrEP Now”, një organizatë që përkrah ata që kanë nevojë për të marrë një pilulë për t’u mbrojtur nga HIV-i. “Ne jemi vija e parë e mbrojtjes dhe e kontaktit për komunitetin e gjerë, kështu që kur dëgjojmë vetëm mesazhe sipërfaqësore, atëherë mendojmë më të keqen”.

“Duket sikur refuzimi për të mësuar nga ajo që sapo ka ndodhur është i qëllimshëm”, thotë Caleb LoSchiavo, një studiues i shëndetit publik dhe student i doktoraturës pranë Shkollës së Shëndetit Publik Rutgers.

Për shkak të reagimit në botë, janë bërë krahasime mes epidemisë së lisë së majmunit dhe krizës së HIV/AIDS, e cila gjithashtu u prit në fillim me heshtje nga organet shëndetësore dhe qeveritë. Mesazhi i përcjellë lidhur me linë e majmunëve, thotë Owen, ishte po kaq konfuz: “Kjo nuk është një sëmundje homoseksuale, megjithatë duhet t’u kushtoni vëmendje atyre që janë prekur prej saj.

Mendoni pak, pse reagimi ndaj Covid-it ishte i shpejtë dhe si u bë i mundur vaksinimi masiv brenda një viti”, thotë ai më tej. Nëse lija e majmunëve do të ishte një problem shëndetësor që prekte në mënyrë disproporcionale meshkujt e bardhë heteroseksualë të klasës së mesme, nuk do të ishim duke folur për këtë çështje”.

Ndoshta gjëja më e bezdisshme nga të gjitha? Gjatë konferencës për shtyp, OBSH-ja raportoi se nuk është siguruar asnjë vaksinë për shtetet afrikane, i vetmi kontinent ku lija e majmunëve është endemike. “Ky është racizëm”, thotë LoSchiavo. “Urgjenca rreth lisë së majmunit [duhet] të përkthehet në ofrimin e kujdesit më të madh në këto zona, por nuk pres që kjo të ndodhë”.

Për Goldberg, vaksina kundër lisë së majmunit po nxjerr në pah pabarazi më të theksuara shëndetësore midis komuniteteve LGBTQIA+ në mbarë botën. “Në Nju Jork, ata janë përpjekur vazhdimisht për t’u vaksinuar në lagjet e populluara nga njerëzit me ngjyrë, sepse këto komunitete nuk kanë gjithmonë të njëjtën qasje në kujdesin shëndetësor. Por kush do të paraqitet në këto takime për t’u vaksinuar? Meshkujt e bardhë që mund të marrin leje nga puna”.

Pasi e ka përjetuar këtë më parë, komuniteti LGBTQIA+ nuk do të lejojë që margjinalizimi me të cilin u përball gjatë kulmit të krizës së sidës të përsëritet. “Act Up NY” doli në rrugë për të kërkuar dispozita më të mira të kujdesit shëndetësor dhe financim emergjent në kohë krizash për ata që rezultojnë pozitivë, ndërsa anëtarët e tjerë të komunitetit kanë mbushur rrjetet sociale me informacione të përditësuara mbi takimet për vaksinimin. “Është e mahnitshme”, shton Goldberg, “por fakti që jemi ne ende ata që duhet ta bëjmë këtë? Do të doja të ishte ndryshe”.

Alim Kheraj është shkrimtar i pavarur dhe drejtues i podkastit “Queer Spaces”. Libri i tij i parë “Queer London”, është një udhërrëfyes i LGBTQIA+ për Londrën, për të kaluarën dhe të tashmen. Marrë nga Service 95.

Lajme të ngjashme