Kurti s'i ndalë interpretimet e rrejshme të treguesve ekonomikë, lavdërohet për eksportet që u tkurrën për 100 milionë euro
Kur kanë mbetur edhe pak muaj për të plotësuar mandatin e tij 4-vjeçar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur një fushatë në rrjetet e tij sociale për bilancin e punës në të gjithë qeverinë. Në njerën nga postimet ku Kurti renditi "arritjet" e qeverisjes së tij, ai përmendi indikatorë si rritjen mesatare ekonomike dhe dyfishimin e eksporteve si "dëshmi të një qeverisjeje të suksesshme". Megjithatë, realiteti ekonomik i këtyre indikatorëve mbetet vite dritë larg përdredhjeve të kreut të qeverisë.
Rritja mesatare ekonomike, dyfishimi i eksporteve, përmirësimi i raportit eksport-import, mbi 400 mijë vende pune etj., janë disa nga treguesit që sipas Kurtit janë dëshmi e qëndrimit “krenar ballëhapur”.
Të parën mes “arritjeve”, Kurti e vendosi rritjen mesatare ekonomike (6.3%) në 3 vjet qeverisje. Sigurisht, Kurti i është shmangur shpjegimit se në këtë mesatare ka kontribuar rritja ekonomike prej 10.7 për qind e vitit 2021, vit në të cilin kur filloi punën qeveria Kurti, rritja reale veçse kishte arritur në 16.32 për qind në fund të tremujorit të parë.
Kurti pretendoi edhe përmirësim të raportit eksport-import në kohën kur të dhënat për Tregtinë e Jashtme të Mallrave në Kosovë gjatë vitit 2023, të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), tregojnë për një rrjedhë shumë negative të eksporteve dhe thellim të deficitit.
Përgjatë muajve të vitit 2023, raportet e tregtisë se jashtme të Kosovës, të publikuara nga ASK-ja, treguan për një rritje të theksuar të deficitit tregtar në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Nënkryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Suat Berisha, në një prononcim për Nacionalen tregoi se vendi është përballur me deficit të lartë tregtar gjatë vitit 2023.
Berisha tha se krahasuar me një vit më parë, eksportet e Kosovës në vitin 2023 shënuan rënie prej 100 milionë euro.
“Kosova në vitin 2023 është përballur me një deficit tregtar në rritje (mbi 4,7 mlrd euro), në raport të mbulimit të importit me eksport, me që rast importi është mbuluar vetëm 15.3% me eksport. Sipas analizave dhe të dhënave të AKB-së, Kosova gjatë vitit 2023, ka pas import në vlerë prej 5.6 miliardë euro, ndërkohë që eksporti ka qenë vetëm 820 milionë euro, çka, krahasuar me vitin 2022 është shënuar rënie prej 100 milionë euro pasi që një vit më parë, vlera ishte 920 milionë euro. Aleanca Kosovare e Biznesve është e shqetësuar me debalancin tregtar-deficitin, ngase bizneset e Kosovës eksportuan 100 milionë euro produkte dhe shërbime më pak në tregjet globale në vitin e kaluar”, tha ai.
Ai hedh dritë mbi disa nga arsyet për këtë përkeqësim të performancës ekonomike, duke përfshirë mungesën e subvencioneve, inflacionin dhe mungesën e mbështetjes për prodhimet vendore nga qeveria.
“Mos-subvencionimi i duhur i eksportit, mungesa e burimeve të lira financiare, ngritja e çmimeve të lëndëve të para inflacioni, mos përkrahja e promovimit të prodhimeve vendore në Kosovë dhe jashtë saj, politikat fiskale jo favorizuese për prodhuesit vendor si dhe mungesa e strategjisë të qeverisë, që përmes ambasadorëve dhe atasheve ekonomik jashtë Kosovës të promovoj oroduktet vendore në tregjet ndërkombëtare.” – tha ai.