“Kurti na ka premtu, Zhegrën do ta bëjë komunë”: Fshatrat e Kosovës që po kërkojnë të bëhen komuna - NACIONALE

“Kurti na ka premtu, Zhegrën do ta bëjë komunë”: Fshatrat e Kosovës që po kërkojnë të bëhen komuna

1 vit më parë

nga Leonitë Demaku

“Kurti na ka premtuar se Zhegrën do ta ketë prioritet në qeverisje, për t’ia kthyer statusin e Komunës,” - kështu i tha Muhadin Haziri në një bisedë gazetës Nacionale. Si Zhegra, janë edhe 18 fshatra tjera që po kërkojnë të bëhen komuna.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, konfirmoi se janë 17 fshatra që kërkojnë të bëhen komuna, sidoqoftë, Zyra e Komunikimit nga ky dikaster, na tha se janë 19.

Nga MAPL-ja, për gazetën Nacionale kanë bërë të ditur emrat e disa prej këtyre fshatrave, që janë, Zhegra në Gjilan, Vitomerica në Pejë, Orllani në Podujevë, Runiku në Skënderaj dhe Zymi në Prizren.

A mori premtim Zhegra nga Kurti se do të bëhen komunë?

Ministri Krasniqi deklaroi se komunat që kanë aplikuar nuk i plotësojnë kriteret e nevojshme për pranim, por përfaqësuesi i njëres prej tyre, po thotë se kanë marrë edhe premtim nga kryeministri Albin Kurti lidhur me këtë çështje.

Muhadin Haziri, përfaqësues i fshatit të Zhegrës, tha se kërkesën për t’u bërë komunë, e kanë dorëzuar në MAPL që nga viti 2006.

Po ne po mbështesim dhe kemi arsye. Ideja kryesore për formimin e kësaj ishte avokimi për krijimin e komunës së Zhegrës ose që Zhegrës t’i rikthehet statusi i komunës për arsye se deri në vitet 1960, Zhegra ka qenë komunë mjaft funksionale. Ndërsa, përfundimisht, në vitin 1959 komuna e Zhegrës shuhet dhe i bashkohet komunës së Gjilanit, ku edhe vazhdon të jetë pjesë e saj. Më 14 maj 2006 kishim dorëzuar fillimisht kërkesën për themelimin e Komunës së Zhegrës. Kopja u dorëzua në MAPL, Zyrën e Kryeministrit, të përfaqësuesit ndërkombëtarë, Zyra e Presidentit dhe Komuna e Gjilanit”, ka thënë ai.

Haziri për gazetën Nacionale, tha se në rast të ndarjes në aspektin gjeografik, atëherë dy pikat kufitare në Muqibabë dhe Stançiq, bien barrë e Zhegrës.

“Në këtë qendër gravitojnë me dhjetra fshatra të kësaj ane, siç janë: Shurdhani, Demiraj, Haxhaj, Selishta, Kurexhaj, Isufaj, Godeni, Llapashtica, Nasala, Lladrova, Pidiçi, Stançiqi e të tjera. Nëse do të bëhet ndarje në aspektin gjeografik, apo kadastral, atëherë dy pikat kufitare, ajo në fshatin Muqibabë dhe në Stançiq, do të bien barrë e Komunës së Zhegrës,” tha ai.

Në fund, Haziri tha se kanë marrë edhe premtim nga Kurti lidhur me këtë çështje. Madje ai pretendon se kryeministri u ka thënë se do ta ketë proritet Zhegrën.

“Qeveria Kurti na ka premtuar. Na ka thënë jo ende jemi në përgatitje dhe shumë shpejt do ta dërgojmë. Kurti na ka premtuar se Zhegrën do ta ketë prioritet në qeverisje, për t’ia kthyer statusin e Komunës. Kurti na ka premtuar që të gjitha ato kërkesa që janë të deponuara në MAPL, do t’i marrë në konsideratë dhe do t’i ketë parasysh me çdo kusht në kontinuitet me rregullorën, që të na kthehet statusi si Komunë e Zhegrës,” - tha ai.

Lidhur me këto deklarata të Hazirit, gazeta Nacionale ka dërguar pyetje edhe te Zyra e Kryeministrit, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të tekstit.

Shndërrimi nga fshat në komunë

MAPL-ja për gazetën Nacionale ka bërë të ditur se kërkesat e adresuara nga këto fshatra, kanë përshkrim sipërfaqësor dhe nuk thellohen në të dhëna si numri i banorëve, ekonomia, e elemente të tjera të nevojshme për themelimin e komunave të reja.

Ky institucion, ka treguar edhe formën dhe procedurat ligjore që duhet ndjekur për t’u bërë komunë.

“Ligji Nr. 03/L-041 “Për kufijtë administrativ të komunave” parashikon në nenin 10. Mënyrat e Ndryshimit të Kufijve administrativ të Komunave dhe më konkretisht Ndryshimi i kufijve administrativ të komunës bëhet me: a) bashkimin e një apo më shumë komunave me një komunë ekzistuese; b) bashkimin e dy apo më shumë komunave për formimin e një komune të re; c) me ndarjen e një pjese të një komune (apo komunave) për t`iu bashkuar me një komunë tjetër; d) me ndarjen e një pjese të një komune apo komunave për formimin e një komune të re.”

Gjithashtu Neni 11 përcakton përmbajtjen e propozimeve dhe dokumentet mbështetëse për ndryshime të kufijve administrativ të cilat duhet të përfshijnë së paku: a) hartën e territorit apo territoreve, kufijtë administrativ të cilave propozohen të ndryshohen, duke specifikuar kufijtë administrativ e rijnë të propozuar; b) arsyetimin për nevojën e ndryshimeve të tilla dhe lehtësimin ose vështirësimin e qasjes së qytetarëve në shërbime të ofruara nga komuna; c) analizën e efekteve të ndryshimit në aspekt të qëndrueshmërisë ekonomike të komunës; d) arsyetimin që ndryshimet janë në pajtueshmëri me parimin e subsidiaritetit dhe ndikojnë pozitivisht në ushtrimin e kompetencave të komunave; e) materialet shpjeguese për formën e likuidimit të borxheve apo kredive të kontraktuara nga secila komunë; f) raporti i cili përmban mënyrat e konsultimit me qytetarët, rezultatin pro dhe kundër nga këshillimi me qytetarët; dhe g) dokumentet tjera të krijuara nga autoritetet përkatëse gjatë procesit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal”, thuhet në përgjigjen e kësaj komune.

Lajme të ngjashme