Konjufca gazmor në Kuvend, "i mërzitshëm" në Facebook – e përdor rrallë dhe gati veç për ngushëllime - NACIONALE

Konjufca gazmor në Kuvend, "i mërzitshëm" në Facebook – e përdor rrallë dhe gati veç për ngushëllime

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Glauk Konjufca është kryetar i Kuvendit. Si anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, ai është një nga njerëzit më të votuar të Kosovës në zgjedhjet e fundit të 14 shkurtit të vitit 2021. Ai shpesh është vlerësuar si një udhëheqës “shik” i Kuvendit, duke e drejtuar me shumë sharmë, batuta e momente interesante.

Ai jo rrallëherë prodhon momente gazmore në Kuvend, duke i bërë për pak çaste të buzëqeshur deputetët e mërrolur. Atëherë kur është në element, z.Konjufca nuk përton të ngacmojë edhe deptuetët e partisë së tij, e madje as ministrat e Qeverisë së udhëhequr nga miku i tij, Albin Kurti.

Megjithatë, ai nuk ka hezituar të përplaset edhe publikisht me Kurtin, që e ka shef në parti. Në një moment të kapur nga kamerat, Konjufca dhe Kurti u panë të nxehur në “muhabet”, me shefin e Kuvendit që nuk lëshoi pe.

Andaj, ai është bërë ndër figurat më të pëlqyera të politikës kosovare, duke marrë mbi 200 mijë vota më 14 shkurt.

Por, z.Konjufca krejt ndryshe paraqitet në Facebook. Ai, në fakt, është krejt i zakonshëm në faqen e tij, e cila i ka hiç më pak se 111 mijë ndjekës. Ndërsa, vetë Konjufca i ndjek vetëm dy faqe, atë të Albin Kurtit dhe të Lëvizjes Vetëvendosje.

Për dallim nga paraqitja në Kuvend, ku është gazmor, i gjallë, me humor, Konjufca në Facebook është një politikan i "pavërejtshëm". Dhe për këtë ka një arsye.

Ai e përdorë rrallë, shumë rrallë faqen e tij në Facebook. Përkundër që është kryetar i Kuvendit dhe një nga figurat më të rëndësishme të LVV-së, ai poston jo shpesh në Facebok. Në krahasim me politikanët e tjerë, z.Konjufca del të mos jetë merakli i rrjetit social Facebook, që është pronë e miliarderit amerikan, Mark Zuckerberg.

Tash që është dita e fundit e muajit tetor, z.Konjufca numëron veç tri postime në Facebook gjatë 31 ditëve. Pra çdo të dhjetën ditë, z.Konjufca zgjodhi të shkruajë diçka.

Postimi i fundit, i bërë me 16 tetor, erdhi menjëherë pas kafes që e piu me kryeministrin Kurti. Nëpërmjet ndryshimit të fotos së “coverit”, Konjufca ftoi qytetarët të kursejnë energjinë, një krizë për të cilën ka paralajmëruar që një kohë Qeveria Kurti. Mesazhi i tij për kursim të energjisë u pëlqye nga 1 mijë e 600 ndjekës.

Me ndjekësit e tij, Konjufca shpërdau edhe fjalimin në Seminarin e 102-të të Rose Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-së.

Pak më aktiv ishte në muajin shtator, duke postuar 9 shkrime, nga të cilat 3 qenë ngushëllime për vdekjen e mbretëreshës Elizabeth II dhe përkujtim për 11 shtatorin, datë në të cilën ndodhën sulmet terroriste në SHBA.

Natyrisht, ai nuk harroi të shkruajë në lidhje me zgjedhjet në Lëvizjen Vetëvendosje, nënkryetar i sëcilës është zgjedhur së fundmi.

Nga skanimi i faqes së tij, del se Konjufca e përdorë shumë rrallë Facebook për të bërë publik ndonjë qëndrim politik.

Ndryshe, z.Konjufca është i vonshëm në Facebook. Vetëm në mars të vitit 2019, Konjufca vendosi t’i bashkohet karvanit të gjatë të politikanëve që atëbotë qenë prezent në Facebook. Megjithatë, Konjufca nga ndjekësit e tij është vlerësuar me një notë të lartë, saktëissht 4.8 nga 5 sa është e mundur.

Lajme të ngjashme