“Kështu s'ka kurrkund në botë” – radhë të gjata të pensionistëve presin në temperatura të larta për verifikim
Me një taxi që i kushtoi goxha, Adem Gjuka nga Prishtina erdhi tek Zyra e Pensioneve në Prishtinë. I nxehti i madh ia vështirësoi pak pritjen Gjukës, që kishte ardhur të paraqitet fizikisht për vazhdimin e pensionit.
Kjo pasi afati që është përcaktuar nga Ministria e Financave për verifikim fizik, skadon nesër. Për pasojë, kush nuk paraqitet, do t’i pezullohet pagesa.
“Me taxi erdha, pak shtrenjtë, po çka me bo. Një lokal kaq i vogël, edhe punëtorët duhet me qenë më mirë, ata pijnë kafe e tregohen njerëz të mëdhenj. Njerëzit që vijnë shumë janë të pashkolluar, punëtori duhet me plotësu çdo kërkesë”, shprehet Gjuka për Nacionalen, përderisa priste në radhë i shoqëruar nga bashkëshortja.

“Qysh jo more bac, duhet me bo një vend, komod e me hapësira”, deklaron ai më tutje.
Sikur Ademi, në radhë po priste edhe Nazmi Gashi. Ai kishte ardhur nga fshati Busi e Mramorit. Në fakt, Nazmiu çdo gjashtë muaj e përsërit të njëjtën rutinë. Verifikimi fizik për ta marrë pensionin, është pak i vështirë, por ai thotë se ligji duhet të zbatohet.
“E mundimshme boll, por ligji ligj. S’ki qare pa ardhë. Erdha për një vendim, ama qeshtu vi edhe unë tjera herë. Ligji ligj është, ka njeri që s'un vjen hiç, unë me 80 vjet, por jam i fortë, a ka njeri që s'un vjen”, shprehet Nazmi Gashi për gazetën Nacionale.
Nazmiu thotë se është ende i fortë për kah shëndeti. 180 eurot e pensionit shprehet se nuk mjaftojnë, por që krahasuar me shokët e tij të moshuar, ai të paktën nuk i shpenzon për ilaçe.

“180 euro e kam pensionin. Vallahi nuk janë boll, po çka me bo. Barna nuk marr, e qata ma lehtë nashta”, deklaron më tutje Nazmi Gashi nga Busia e Mramorit të Prishtinës.
Pritjet e gjata vijnë në kohën kur mjekët bëjnë thirrje tek të moshuarit që të mos dalin nga ora 10:00 deri në 17:00, dhe kur rastet me COVID-19 janë rritur dukshëm. Afati i fundit për verifikim fizik skadon nesër, më 12 gusht 2022.
Pensionet në Kosovë sillen nga 100 deri në 265 euro. Inflacioni, ndërkaq, ka arritur në 14.1 për qind në muajin qershor, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, tregojnë të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).
Ankesa për pensionin dhe pritjen
Pak më larg se Mramori, gjendet fshati Keqekollë. Nga ky fshat e kishte prejardhjen pensionieri tjetër që po priste në Zyrën për Pensione në Prishtinë. Beqir Shahini pasi e kreu procedurën e verifikimit, kërkoi më shumë staf që të moshuarit mos të presin në këmbë.
“Çdo 6 muaj vij rregullisht, nuk kam pasë problem. Nuk prita shumë, 5-6 minuta, 10 minuta. Të lodhshme janë shumë. Pak më shumë ish dashtë me bo punëtorë mos me pritë njerëzit në kamë, pandemia, të lodhur pleqtë. Më shumë me shti njerëz në punë, se goxha larg, goxha nxehtë. Po thonë që disave që nuk lajmërohen kanë me ua ndalë pensionet, nuk bën. Ishalla nuk ua nalin”, shprehet Shahini për Nacionalen.
E kur pyetet nëse janë të mjaftueshme paratë e pensionit, Shahini thotë se shpëtim për të janë fëmijët që jetojnë në mërgatë.

“Unë e marr 190 euro pensionin. Mos me pasë fëmijë jashtë, nuk bën hiç. 48 vjet kam përvojë në Kishnicë, çka ki me bo. Çka dalin ato, edhe ilaçe po pi goxha shumë, nuk dalin. Jam bo operacion prej unazave, nuk di hallku çka po bojnë, se unë apet e kam djalin e çikën jashtë”, përfundoi Beqir Shahini nga Keqekolla.
Burrë e grua nga Fushë Kosova, gjithashtu kishin ardhur për t’u paraqitur në këtë zyrë. Fakti që zyra në komunën e tyre nuk po punonte, ata u obliguan të vijnë në Prishtinë.
Edhe pse shpesh udhëtojnë jashtë vendit tek fëmijët, ata detyrohen të kthehen për ta kryer procedurën e verifikimit që e quajnë të rrallë në Evropë.
“Qysh nuk na lodhin, duhet me mendu krejt për këtë punë për 100 euro. Na jetojmë edhe jashtë te fëmija, prej atjehit vijmë për me u prezantu. Qysh nuk u dashtë shteti me bo diçka ma mirë, kërkun në botë nuk ka kështu. Atje jashtë e ndërprejmë pushimin, e me ardhë në Kosovë puna e qesaj”, deklaroi burri 69-vjeçar nga Fushë Kosova.

Pensionistët tash e sa vjet e kanë obligim të paraqiten çdo 6 muaj për verifikim se janë gjallë, në Zyrat e Pensioneve. Një gjë e tillë u ndërpre përkohësisht në kohën e pandemisë, për shkak të rrezikut nga koronavirusi.
Në muajin prill, Qeveria e Kosovës ka ndarë nga 100 euro shtesë për pensionistët, si dhe disa kategori të tjera të shoqërisë, për t’u ndihmuar të përballojnë çmimet në rritje. Sipas të dhënave zyrtare, në Kosovë aktualisht jetojnë rreth 200.000 pensionistë.
Thirrja e Ministrisë së Financave
Ministria e Financave u kishte bërë thirrje pensionistëve që deri më 12 gusht të paraqiten në Zyrat e Pensioneve. Në të kundërtën, atyre që nuk paraqiten, pensioni do t’u pezullohej.
Qëllimi i paraqitjes fizike, sipas ministrisë, është që të bëhet procedura e verifikimit të përfituesit.
Sipas njoftimit, përfituesit që nuk e kryejnë verifikimin dhe nuk janë lajmëruar brenda 6 muajve të fundit, do të pezullohen nga pagesa.
“Andaj, ftojmë të gjithë përfituesit e këtyre skemave të kryejnë këtë obligim ligjor dhe të bëhet verifikimi i tyre. Përndryshe, çdo përfitues që nuk e kryen këtë obligim ligjor dhe nuk është i lajmëruar brenda 6 muajve të fundit të këtij viti pranë Departamentit të Pensioneve, do të pezullohet nga pagesa sipas procedurave ligjore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.


