KEDS reagon në lidhje me storjen e Nacionales për 25 shtëpitë e Dresnikut pa rrymë
KEDS e ka bërë një reagim në lidhje me video-storien e publikuar nga Nacionale ditë më parë nga Dresniku i Klinës.
KEDS thotë që e vërteta është “shtrembëruar” nga gazeta Nacionale në lidhje me rastin në fjalë.
Më tej, shtohet se “Komuna e Klinës nuk guxon të luajë politika populiste para mediave, por duhet ta sqarojë trup se a kanë leje ato shtëpi a jo, a janë të ndërtuara në zonë arkeologjike apo jo dhe a janë në bazë të planifikimit urban apo jo”
Po ju paraqesim reagimin e plotë dhe pa ndërhyrje që KEDS e ka dërguar në redaksinë tonë përmes zëdhënësit Lulzim Krasniqi:
Te nderuar,
KEDS sqaron se sa u përket disa shtëpive në fshatin Dresnik të Klinës, që qenkan pa rrymë tash e një kohë të gjatë, është shtrembëruar e vërteta nga gazeta Nacionale.
Aty mbrohet paligjshmëria dhe sulmohet KEDS pa të drejtë. Komuna e Klinës nuk guxon të luajë politika populiste para mediave, por duhet ta sqarojë trup se a kanë leje ato shtëpi a jo, a janë të ndërtuara në zonë arkeologjike apo jo dhe a janë në bazë të planifikimit urban apo jo?
KEDS nuk mund të kyçë paushall askënd duke anashkaluar disa ligje dhe rregullore njëherësh. Madje, disa shtëpi aty janë të ndërtuara nën largpërçues, që është rreptësisht e ndaluar dhe e rrezikshme për vetë banorët aty. KEDS nuk guxon ta anashkalojë as këtë situatë faktike. Njëkohësisht, rregulloret për kyçje të konsumatorëve të rinj e specifikojnë qartë se konsumatorët duhet të bëjnë kërkesë për kyçje, por pasi ta kenë marrë pëlqimin për kyçje dhe të kenë vepruar konform tij. Pa pëlqim nuk mund të aplikohet as për leje ndërtimore. Kur janë anashkaluar disa ligje dhe rregullore, mediat e kanë detyrë të mbrojnë ligjshmërinë dhe jo ta stimulojnë shkeljen e ligjit. Përkundrazi, duhet ta denoncojnë atë. Bile, përmes trajtimit të kësaj çështjeje, dhe atë në mënyrë totalisht të njëanshme, Nacionale po inkurajon konsumatorët që të shpërfillin ligjet dhe të rrezikojnë jetët e tyre. Madje, Gazeta Nacionale nuk i ka lexuar të plota as përgjigjet e KEDS-it, përkundër kërkesës sonë që përgjigjet të publikoheshin të plota. Pra, nuk mund të flitej vetëm një pjesë e tyre.
Në këto rrethana, kërkojmë nga Gazeta Nacionale të jetë në funksion të së vërtetës dhe të ketë qasje profesionale ndaj temave që kanë të bëjnë me energjetikën.
Me respekt,
Lulzim Krasniqi
Zedhenes i KEDS-it
Ndërkohë, më poshtë keni edhe videon e Nacionales: