“Kalimi nga qymyri në burimet tjera të energjisë nuk do të jetë i lehtë, por ia vlen” - NACIONALE

“Kalimi nga qymyri në burimet tjera të energjisë nuk do të jetë i lehtë, por ia vlen”

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shkruan dhe intervistoi: Arbër Selmani

Kosova është një prej shteteve pjesëmarrëse në Iniciativën për Rajonet e Qymyrit në tranzicion në Ballkanin Perëndimor dhe në Ukrainë. Nisma e tillë, e cila takimin e saj vjetor të hapur për publikun do ta ketë në nëntor të këtij viti, u lansua në dhjetor të vitit 2020 dhe si e tillë synon të ndihmojë rajonet që të largohen nga qymyri drejt një ekonomie neutrale ndaj karbonit, duke u siguruar që ky tranzicion të jetë i drejtë. Pos Kosovës, edhe Bosnja e Hercegovina, Serbia, Ukraina, Mali i Zi e Maqedonia e Veriut janë pjesë e kësaj platforme.

Lulzim Korenica, Zyrtar për Çështje Mjedisore dhe Sociale në Ministrinë e Ekonomisë, është njëri prej pjesëmarrësve në shkëmbimin e parë në kuadër të këtij programi. Shtatë përfaqësues nga Kosova dhe të tjerë nga Polonia udhëtuan për në Pellgun e Qymyrit në Silesinë e Epërme, në vendin e quajtur Silesian Voivodeship, ku u diskutua për sfidat e transformimit të ndërmarrjeve dhe bizneseve me bazë qymyrin dhe komuniteteve lokale drejt epokës së pas qymyrit.

‘Një nga arsyet kryesore pse jemi bërë pjesë e këtij programi bazohet në zhvillimet e fundit në rajon e më gjerë sa i përket mbrojtjes së mjedisit dhe në varshmërinë e lartë nga burimet fosile për gjenerimin e energjisë elektrike te ne. Për të qenë një hap më afër me kërkesat e komunitetit të energjisë në Evropën Juglindore, një tranzicion i tillë nga qymyri, linjiti në rastin tonë, në përdorimin e llojeve tjera të energjisë, po përmend këtu burimet e ripërtëritshme, energjinë nga era, panelet solare, hidrocentralet, është i nevojshëm dhe gradualisht ndihmon edhe imazhin tonë, anipse nuk është proces i lehtë’ tregon Korenica.

Korenica ka të drejtë. Procesi i kalimit nga qymyri në një tjetër burim energjie do të jetë i vështirë. Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonelata qymyr dhe si e tillë është vendi i pestë në botë dhe i treti në Evropë për nga sasia e këtij resursi. Sasinë më të madhe të energjisë elektrike, Kosova e prodhon nga djegia e qymyrit në termocentralet Kosova A dhe B, me lokacion në Obiliq. Madje, në listën e pjesëmarrësve nga Kosova, në këtë Iniciativë të menaxhuar nga Komisioni Evropian, shihet edhe Lulzim Mjekiqi – Bashkëpunëtor Profesional Mjedisor nga Komuna e Obiliqit, më e prekura në Kosovë nga qymyri.

Korenica na tregon që, në fakt, edhe Strategjia e Energjisë e Republikës së Kosovës 2022 – 2031, e cila së shpejti do të kalojë edhe në lexim në Kuvendin e Kosovës e më pas në gazetën zyrtare, konfirmon se qymyri kontribuon në ndotjen e ajrit.

Ja çka thuhet në një pjesë të kësaj draft-strategjie:

‘[Rritja e pjesëmarrjes së burimeve të ripërtëritshme në sektorin e energjisë elektrike është thelbësore për të arritur objektivat e dekarbonizimit dhe për të siguruar një tranzicion të drejtë energjetik në Kosovë. Diversifikimi i miksit të energjisë është jetik për përpjekjet e Kosovës për dekarbonizimin dhe ruajtjen e sigurisë së furnizimit] …… [Procesi i tranzicionit të energjisë do të kërkoj politika për promovimin e biokarburanteve, reformimin e flotës së veturave drejt atyre hibride dhe elektrike, reformimin e politikave të trafikut për efiçiencë, mobilitet dhe siguri]’

‘Një tranzicion i tillë i energjisë parashihet edhe në këtë dokument strategjik, është në vizionet tona kryesore’ tregon Korenica.

Grupi nga Kosova, gjatë qëndrimit në Poloni prezantoi synimet e Kosovës në këtë fushë por edhe sfidat me të cilat Kosova ballafaqohet në këtë tranzicion të drejtë.

‘Jemi çuditur se si Polonia ka bërë kalimin nga energjia me qymyr në lloje të tjera të energjisë, por edhe në trazicion pa e kompenzuar direkt me energji. Kemi parë ripërdorimin e zonave post-miniera dhe post-industriale, të kthyera në parqe, në shteg biciklistësh, në hapësira gjelbërimi. Në disa vende madje janë ofruar edhe kushte të favorshme për bizneset aty. Sidomos në një zonë ku qëndruam, në Pawlowice, më shumë kishte të punësuar në atë fshat sesa që kishte banorë vendas. Me politika të mira dhe joshëse sidomos për bizneset, lokacionet post-qymyrore kanë ardhur në jetë në Poloni në forma të ndryshme. Në një mënyrë na është dhënë një guxim të tentojmë të propozojmë diçka të tillë për zonat post-miniera në rrethinën e KEK-ut këtu në Kosovë’ tregon Lulzim Korenica.

‘Polonia, në krahasim me neve, qëndron shumë më mirë në procesin e tranzicionit të energjisë, por edhe duhet ta dijmë që është pjesë e BE-së dhe ka mundësi të përdorë fonde e mekanizma ku ne e kemi të pamundur. Atje, gjatë vizitës studimore, na tregonin se si edhe ata kanë marrë dikur të tilla trajnime e seminare nga përfaqësuesit e shteteve tjera të BE-së, ndërsa sot qëndrojnë më mirë dhe po na trajnojnë neve’ tregon Korenica.

Në këtë program, nga Kosova përfaqësohet Korporata Energjetike e Kosovës, Zyra e Kryeministrit, Ministria e Ekonomisë dhe Komuna e Obiliqit. Edhe të tjera vizita të tilla studimore do të mbahen në rajone tjera ku duhet të ndodhë tranzicioni i qymyrit. Pjesëmarrësit e programit të shkëmbimit po zhvillojnë udhërrëfyes të saktë të shkëmbimeve të tyre.

Krejt për fund, Korenica na tregon edhe për hapin e radhës në kuadër të Kosovës si pjesë e kësaj Iniciative.

‘Hapi i ardhshëm i Kosovës është edhe punëtoria kombëtare, besoj në fillim të vitit tjetër, ku do të jemi nikoqirë dhe së bashku me akterët tjerë në Iniciativë do të tregojmë përvojat tona, për ta vazhduar tutje përpara procesin e tranzicionit të drejtë’ përfundon Korenica.

Iniciativa për Rajonet e Qymyrit në tranzicion në Ballkanin Perëndimor dhe në Ukrainë implementohet nga Komisioni Evropian këta partnerë ndërkombëtarë: Banka Botërore, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, Banka Evropiane për Investim, Fondi Kombëtar Poal për Menaxhim të Ujit dhe Mbrojtje të Mjedisit dhe Kolegji i Evropës në Natolin.

Lajme të ngjashme