Gjermania nis përgatitjet për dimër, kursen gazin dhe shton përdorimin e qymyrit
Ministri i Ekonomisë i Gjermanisë tha të dielën se vendi do të kufizojë përdorimin e gazit natyror për prodhimin e energjisë elektrike mes shqetësimeve për mungesat e mundshme të shkaktuara nga një ndërprerje e furnizimeve nga Rusia.
Associated Press raporton se, ministri i Ekonomisë Robert Habeck ka thënë se Gjermania do të përpiqet të kompensojë këtë masë duke rritur djegien e qymyrit, një lëndë djegëse fosile më ndotëse.
"Kjo është e hidhur, por është thjesht e nevojshme në këtë situatë të ulet përdorimi i gazit," tha Habeck, anëtar i partisë ambientaliste të Gjelbër.
Kompania ruse e gazit Gazprom njoftoi javën e kaluar se po reduktonte ndjeshëm furnizimet përmes gazsjellësit Nord Stream 1 për arsye teknike, por që Habeck tha se ky reduktim ishte i motivuar politikisht.
Gjermania, e cila prej kohësh është mbështetur shumë në importet e energjisë nga Rusia, filloi të zvogëlojë ndjeshëm importet e saj për shkak të luftës në Ukrainë.
Megjithatë, qeveria ka këmbëngulur se gazi rus do të nevojitet për një kohë derisa burimet alternative të energjisë, si LNG-ja e sjellë me anije, të jenë të disponueshme. Gjatë muajve të fundit, qeveria gjermane ka marrë masa për të mbushur objektet e magazinimit të gazit deri në 90% të kapacitetit deri në nëntor për të siguruar që të ketë gaz të mjaftueshëm si lëndë djegëse për ngrohje gjatë dimrit.
Habeck tha se objektet e magazinimit, ishin ende në gjendje të plotësonin mungesën nga Rusia me blerje nga vende të tjera, por megjithatë e përshkroi situatën si “serioze” dhe tha se mund të nevojiten masa të mëtejshme.
Qeveria gjermane kohët e fundit u ka bërë thirrje qytetarëve që të reduktojnë edhe përdorimin e energjisë.
“Është e qartë se strategjia e Putinit është të na shqetësojë duke rritur çmimin dhe duke na ndarë,” tha Habeck duke shtuar se, “nuk do ta lejojmë të ndodhë.”