Humbja e favorit të SHBA-së, Kosova rrezikon të mbetet “periferi e interesimit” amerikan
Janë mbi gjashtë vite që Albin Kurti i Vetëvendosjes qeveris me shtetin, ndërsa rruga e tij nuk ka kaluar asnjëherë në Shtëpinë e Bardhë.
Me një administratë si ajo e Donald Trump-it, që priret dhe njihet të ndërveprojë në mënyrë tranzaksionale me shtete, marrëdhënia Kosovë–SHBA është kërkuar të ruhet me kujdes edhe më të shtuar.
Por, ky shqetësim nuk ka gjetur deri më sot vend në konsideratën e udhëheqësit në detyrë të Kosovës.
Nga pezullimi i Dialogut Strategjik, që u lidh me veprimet e qeverisë Kurti, deri te refuzimi i projekteve amerikane të gazit dhe infrastrukturës energjetike, shqetësimi për humbjen e favorizimit amerikan është rritur.
Kjo venitje e duksheme e marrëdhënieve Prishtinë–Uashington bëhet më shqetësuese me faktin se Beogradi zyrtar tashmë ka nisur Dialogun Strategjik me Shtetet e Bashkuara.
Nga partitë opozitare është ngritur alarmi se Kosova mund të mbetet vetëm “periferi e interesimit amerikan”.
Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka paralajmëruar se “vëmendja amerikane nuk është e pafund”, duke i bërë thirrje Kurtit të përfundojë procesin e shqyrtimit dhe të rikthehet me përgjigje pozitive ndaj ofertave amerikane për gazin.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar qeverinë në detyrë të Kurtit për raportet me aleatët ndërkombëtarë.
“Përderisa tash e gjashtë vjet Kosova vazhdon të jetë e izoluar, Serbia po e thellon bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara”, ka shkruar Çitaku.
Ajo reagoi pas Dialogut Strategjik SHBA–Serbi, duke akuzuar qeverinë se ka zëvendësuar diplomacinë me propagandë.
“Sot, për fat të keq, po rrëshqet në periferi të interesimit”, tha ajo.
Hovenier, në një intervistë për REL, deklaroi se Kosova mund të humbë besimin e SHBA-së nëse nuk shfrytëzon mundësitë e bashkëpunimit.
“Është e rëndësishme të shfrytëzohen mundësitë që ofrohen dhe të gjenden fusha të përbashkëta bashkëpunimi”, tha ai.
Duke folur për projektet energjetike dhe LNG-në amerikane, Hovenier tha se fqinjët e Kosovës tashmë janë pjesë e marrëveshjeve me SHBA-në.
Ai shtoi se nuk e kupton pse për Kosovën duhet të jetë ndryshe dhe kërkoi nga qeveria Kurti të rikthehet me ide konkrete.
Zyrtari i AAK-së, Avni Arifi, ka kritikuar gjithashtu raportet me SHBA-në, duke pretenduar se Kosova është përjashtuar nga planifikimi për Dialog Strategjik.
Ai publikoi një letër të vitit 2025 nga Departamenti amerikan i Shtetit dhe tha se lidhet me veprimet e Kurtit.
“Kjo fitore të madhe Serbisë ia dha Kurti”, shkroi Arifi, duke shtuar se Kosova duhet të “shihet në pasqyrë”.
Nëntë muaj më parë, Departamenti amerikan i Shtetit pati thënë për gazetën Nacionale se pezullimi i Dialogut Strategjik me Kosovën ishte “krejtësisht i bazuar në veprimet e qeverisë kujdestare të Kosovës”.
DASH-i hodhi poshtë pretendimet e Kurtit se vendimi lidhej me Serbinë apo aktorë të jashtëm.
Zëdhënësi i DASh theksonte se SHBA-ja mbetet partnere e Kosovës, por kërkon një partner që shmang veprimet destabilizuese.
Deklarata erdhi pas kritikave ndaj qëndrimeve të Kurtit gjatë një vizite në SHBA, ku ai kundërshtoi qasjen amerikane ndaj veriut të Kosovës dhe Serbisë.