Jena nervozë, kjo është tmerr: Punonjësit shëndetësor të pakënaqur me koeficientin e ri
Qeveria e Kosovës sot bëri të ditur vlerën e koeficientit për vitin 2023, i cili do të jetë 105 euro. Por, a janë të kënaqëur me këtë rritje punonjësit shëndetësor?
Epo, jo edhe aq nëse pyetjet që u bëra sot në oborrin e QKUK-së janë për t'u marrë parasysh.
Qëndrimi im brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ishte më i gjatë se në rastet e tjera kur dal në terren për të marrë përgjigje nga qytetarë apo punonjës publikë, pasi po hasja në rezistencë të vazhdueshme për përgjigje.
Disave duke u shkuar nga prapa në ecje e sipër, e disave pasi i kapja në befasi, sidoqoftë, e rëndësishme është se arrita të sigurojë disa përgjigje.
Dy gra mantelbardha po vinin në drejtim timin dhe unë po ua brohorisja nga larg pyetjen, "a bën një pyetje, është për vlerën e koeficientit, a jeni të kënaqura?" po i pyesja.
Ecja e tyre po vazhdonte, derisa njëra po thoshte "ja ja, hiç, se jena nervozë nuk e dina çka folim..."
Tjetra u përgjigj me "jo" kur i thashë "105 për koeficient, po mendoni që nuk është e mjaftueshme a?"
Pak metra më poshtë, takova dy punonjëse tjera shëndetësore, të cilave u parashtrova të njëjtën pyetje.
"Jo, hiç [s'jemi të kënaqura]," tha njëra, derisa çuditërisht potencoi se "ka me na u zbritë nashta", kur i thashë "sa keni me pasë rrogën tash me koeficientin e ri?"
Duke u kërkuar të njëjtave të zbulojnë se sa mendojnë se ish dashur të ishte rritja, ato njëzëri thanë 130.
"S'jena të kënaqur," tha një e treta.
"Mesatarja duhët me qenë 130. Unë do t'i marr qaq sa e kom, u rrit 20 euro nashta,” potencoi një tjetër.
Pothuajse asnjë nga punonjësit shëndetësor nuk ishte i kënaqur, derisa përgjigja e vetme që ishte tjetër nga pakënaqësia ishte "nuk e di".
Shikoni videon më poshtë.
