Inspektorati i Punës del në terren, gjen punëtorë të ndërtimtarisë dhe gra shtatzëna duke punuar
Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim të premte për kufizimin e orarit të punës deri me datën 20 korrik për gratë shtatzëna dhe për punëtorët e sektorit të ndërtimtarisë, krejt kjo për shkak të temperaturave të larta.
Rreth këtij vendimit të MSh-së, Inspektorati i Punës ka dal sot në terren për të parë nga afër se a po respektohet vendimi.
Kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi, ka thënë se kanë ndaluar punën në disa lokacione në Prishtinë, Prizren dhe Pejë.
“Ne jemi sot në terren duke mbikëqyrë se a po respektohet vendimi që është nxjerrë nga Ministria e Shëndetësisë. Ne kemi bërë ndalimin e punës në disa lokacione në Prishtinë, në lagjen Dardania, Qendër dhe në Lagjen e Muhaxherëve. Gjithashtu edhe në disa subjekte juridike në Prishtinë, kemi hasur gratë shtatzëna duke punuar, kemi kërkuar nga punëdhënësit e tyre që t’i lirojnë menjëherë në shtëpi.” – ka thënë Nikçi për Telegrafin.
Nikçi tha se inspektorët gjenden edhe në rajonet tjera, ku bëri të ditur se po ashtu kanë ndaluar punën në ndërtimtari në Pejë dhe Prizren.