Djemtë punonin, burri e mbante Ramazanin: Për iftar te Ferdonije Qerkezi - NACIONALE

Djemtë punonin, burri e mbante Ramazanin: Për iftar te Ferdonije Qerkezi

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Në një fotografi të shkrepur para disa vitesh dukej Ferdonije Qerkezi e ulur e vetme në një tavolinë ku ishin shërbyer me pjata të gjithë anëtarët e familjes së saj. Dy djemtë e vrarë dhe burri me dy djemtë e tjerë të zhdukur. Kjo fotografi la mbresa të pashlyeshme te të gjithë shqiptarët e Kosovës. Ne shkuam për një iftar te Ferdonija për të kuptuar më shumë për kujtimet dhe për jetën që bënte.

Këto kujtime që flasin për “shyhretin” e shtëpisë së saj duken sikur vijnë nga ndonjë farë utopie, edhe pse në fakt burimin e kanë te e tashmja distopike të cilën e përjeton ajo. Duke provuar që të mos na rëndonte me dhimbjen, ajo në këtë iftar na tregoi historisë e saj private.

Ramazani me syfyra të hareshëm dhe Qebaptorja me shumë punë

Është një ndër ditët e fundit të Ramazanit. Ajo ka përgaditur për ne ushqim të shijshëm. Është kohë iftari. Zonja Ferdonije nuk agjëron por shtron iftar kur i vijnë mysafirë. Përgatitja e ushqimit për të tjerët, është edhe një formë për të mbajtur gjallë kujtimin për kohën kur Ramazani kishte krejt tjetër kuptim, falë bashkëshortit dhe katër djemve të saj. Çdo Ramazan pas 27 marsit 1999 e këtej, nuk ka ndonjë histori që ja vlen të përmendet, përpos rikujtimit të vuajtjes për mungesën e djemve dhe bashkëshortit. Megjithatë, sërish, historitë nga jeta para 27 marsit, janë më të forta se sa mungesa e 20 viteve të fundit.

“Prej krejt neve, veç Halimi (bashkëshorti i Ferdonijes, ende i pagjetur v.j) ka agjëru. Djemtë (dy prej të cilëve janë të pagjetur) kur u rritën, ja nisën me punu edhe s’kishin kohë,” - rrëfen ajo.

Ferdonija na dërgon në fundvitet ‘80 dhe fillimvitet ’90. Në atë kohë e kishin një Qebaptore si biznes familjar e me të cilën krenoheshin. Kur kujton histori nga koha e Ramazanit, asaj ndërmed i vjen i burri. Ende i kujtohen recetat e tij të preferuara për syfyr, i dhimbset ende që “s’ka mujtë me bo iftar rehat prej punës në Qebaptore” dhe se do të donte t’ia hekuroste edhe një herë këmishat.

Çdo detaj i jetës së përbashkët me Halimin, ende është pjesë e jetës së saj, duke mbajtur gjallë kujtimin për të, përderisa pret të dijë për fatin e tij.

“Me Halimin, jemi martuar me mësit, por me pëlqimin tim. Kur kanë ardhë me më lyp më kanë than a po t’pëlqen, kur e pash më pëlqej se i mirë u doke. Tani jemi martu, kanë ardhë me më marrë me 13 kerre. Qejizin e kam krye te një shoqe se na dyja s’kem shku n’shkolle, veç 8 vjeçaren e kem kry, s’kam pas shumë kohë me bo qejizin gati se veç dy vjet m’ka ra se jam martu e re kur I kam pas 17 vjet; tani mas 4 vjete martese e kom lind djalin e madh. Gëzim ma t’madh s’kam pas në jetë se kur e kam lind djalin e madh. Se u bana nanë për herën e parë”, rrëfen zonja Ferdonije.

“Çdo ditëlindje ja u kom festu djemve, bile kur I kam ba synet te 3 perniher, kom ba zijafet ni banket t’madh ne restorant edhe tani e kem bo edhe djalin e katërt synet”, shton më pas, si me nxitim duke mos dashur që rrëfimi për bashkëshortin e saj të përjashtojë kujtimet me 4 djemt e saj.

Kujton sërish festat e Bajramit, kur i blinte rroba të reja.

“Kur janë kanë djemtë, ju bleshjim tesha ja u lejshim te kryet, kur u çojshin në natje i veshshin, varësisht qysh Ish koha, kanë vesh patika ne atë kohe se janë kanë ne mode”, rrëfen zonja Ferdonije.

Tani menjëherë i kujtohen mundimi i tyre me Qebabatoren:

“Si janë çu ne sabah ne ora 7 kanë shku, deri në ora 12 kurrë pa ndalë, kaniherë kanë ardhë në shtëpi në kohë të drekës kanë pushu ka 1 orë po ma shumë nuk kanë ardhë. Djali i dytë Armendi, kur ka ardhë një ditë prej punës, qaq qe ka punua tan ditën prej mëngjesit si i ka hjek çorapët, ju kan hjek bashke me lëkurë, ja kem shti me një legen e I kem qit kryp me ju shënosh varra. Shumë kanë punu djemtë pa ndal kurrë”.

Ecajaket nëpër momente e histori të ndryshme të kombinuara me detaje që tregohen me një gjuhë të thjeshtë, e bëjnë zonjën Ferdonije një rrëfimtare të shkëlqyer por mbi të gjitha një njeri të jashtëzakonshëm që nuk ka lejuar të shuhet familja e saj përkundër mungesës fizike të anëtarëve.

Djemtë e vyeshëm

“I madhi ka pas qejf me u bo elektriqar… i dyti historinë shumë e ka dashtë edhe ka pas dëshirë me shku ne akademi ushtarake. Krejt kanë pas qejf mu shkollu po u prish situata tani Halimi i majti ngat vete”.

Kur zonja Ferdonije thotë “u prish situata” flet për periudhën prej vitit 1989 e tutje, kur Kosova humbi statusin e krahinës autonome, duke u përcjellë në vitet ‘90 që karakterizohet me një shtypje kolektive ndaj shqiptarëve dhe që përfundon me 27 mars 1999 kur bashkëshorti dhe katër djemt u morën nga forcat e ushtrisë serbe për të mos u kthyer më të gjallë.

“I kom pas djemtë e vyen, e janë kanë t punës, kush zanin nuk ja u ka ni, fort kanë punu ne qebaptore,” - thotë ajo me krenari të një nënë që është shndërruar në një inspirim për mijëra nëna që kanë humbur fëmijët e tyre e mbi 1500 nëna të tjera që ende presin të kuptojnë për fatin e familjarëve të tyre.

“I madhi ka pas qejf me ja vesh te dytit teshat ma shumë, po edhe I treti ja u veshke po se kishin gajle veç i pari me t’dytin kapak u përlajshin kur ja veshin teshat shoqi-shoqit. Kurrë s’kanë pas qejf me dalë jashtë, kanë pas qejf me nejt në Gjakovë, se atëherë në vitet 9ç-ta e kemi çelë qebabtoren”, rrëfen zonja Ferdonije.

Krejt shtëpia e saj është e mbushur me kujtime dërmuese.

“Çdo ditë më mungojnë jo vec për festa, se janë hi e janë dalë tanë ditën, se kom pas shpinë vet. U kanë kënaqësi me i pa qashtu tu hi e tu dalë. M’kanë thirrë gjithë Abe, për çkado që kanë pasë. Çdo ditë, çdo minutë, çdo sekondë më mungojnë”, thotë Ferdonija duke na kthyer në kohën, ku dhimbja nga pritja, lehtë mund të shndërrohet në ankth.

Si me lehtësi mbyllë dhe hapë sytë, dhe çehrja i vjen sërish teksa fokusohet në një fotografi dhe gjësendet tjera që e rrethojnë e janë të vendosura në krejt dhomat.

Në dhomat e dy djemve të mëdhenj janë ende fotografitë nga dasma e tyre, në të njejtën mënyrë si kanë qenë para 27 marsit 1999.

“I kam kasetat e dasmës hala, po si kam këqyr moti”, thotë zonja Ferdonije.

Ajo është e vëtëdijshme se jetesa në shtëpinë muze, ku çdo gjë i kujton tragjedinë e saj dhe ia rikujton faktin se tre prej anëtarëve të familjes nuk dihen as ku janë, por ajo këtë e bënë për të vetmin qëllim që kanë edhe historitë që i ndau me ne: të mos shuhet familja e saj dhe të mos harrohen krimet ndaj qindra e mijëra familjeve të tjera në Kosovë.

“Çka me bo, nuk është lehtë kur në shtëpi I ki 8 persona që kanë hi e kanë dal e tash kam met vet. Kjo shtëpi muze është me ju tregu krejtve qe kjo shpi u kanë plot dikur, e me pa që serbët I kanë marrë, i kanë vra, e sot kam mbetë veç vet”.

Lajme të ngjashme