"Harmonizimi i dy fjalëve" pengon marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë për të zhdukurit - NACIONALE

"Harmonizimi i dy fjalëve" pengon marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë për të zhdukurit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

30 gushti është Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve.

Kjo ngjarje shënohet edhe në vendin tonë, vit pas viti. Siç edhe dihet tashmë, janë gjithsej 1617 të zhdukur kosovarë nga lufta e fundit në vendin tonë, shumica prej tyre shqiptarë.

Kosova dhe Serbia edhe më tutje nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët për ta nënshkruar marrëveshjen që do të mundësonte kthimin e tyre në atdhe.

"Harmonizimi i dy fjalëve"

Këtë vit, gjegjësisht në muajin Prill, nga Bashkimi Evropian kishin bërë të ditur se marrëveshja mes Kosovës e Serbisë për të zhdukurit është shumë afër, porse po mungon vetëm harmonizimi i dy fjalëve.

Përderisa pala kosovare kërkon që në marrëveshje të përdoret termi "të zhdukur me dhunë", ajo serbe kërkon që të jenë vetëm të zhdukur.

“...ne insistojmë që të theksohet që kjo [zhdukja] është bërë me forcë, është bërë me dhunë, sepse ata nuk janë persona të pagjetur si shkak i fatkeqësive natyrore, të llojit të vërshimeve, zjarreve apo tërmeteve”, ka thënë Kurti.

Ky i fundit ndërkaq, sot ka qenë në vizitë te Ferdonije Qerkezi, gruaja dhe nëna që tash e 23 vite po pret kthimin e burrit dhe katër djemve të saj.

Përmes një postimi në rrjetin social "Facebook" ai potencoi se bënë homazhe dhe vendosën lule te përmendorja dedikuar të zhdukurve me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

"Mëngjesin e sotëm e nisëm në shtëpinë muze të Nënës Ferdonije. Qëndresa e saj, e nënës Nesrete, Luljeta, e shumë nënave anëmbanë Kosovës, na mbanë të fortë të gjithëve.Në Ditën Ndërkombëtare të personave të zhdukur me dhunë, bëmë homazhe dhe vendosëm lule te përmendorja dedikuar të zhdukurve me dhunë gjatë luftës në Kosovë.Bashkë me familjarët e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës në Kosovës, ritheksuam zotimin tonë për të mos rreshtur së kërkuari drejtësi për krimet e luftës.Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për të zbardhur zhdukjet me dhunë gjatë luftës, e për t'i dhënë fund pritjes në ankthin më të tmerrshëm pas luftës.Ballafaqimin me të kaluarën e kemi vënë si kapitull të veçantë në kornizën e përgjithshme qё do duhej ta përfshinte marrëveshja finale me Serbinë. Nuk mund të ecim drejt të ardhmes, pa e adresuar të kaluarën, pa u ballafaquar me të", shkroi ndër tjerash kryeministri.

Marrëveshja gati

Kosova është duke e fajësuar Serbinë, kurse kjo e fundit Kosovën.

Disa burime diplomatike i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se marrëveshja është gati, pra është e harmonizuar plotësisht, ndërsa nuk precizojnë arsyen pse një gjë e tillë nuk po ndodhë.

Takimi i fundit mes palëve ka qenë me 18 gusht.

Në mbledhjen e qeverisë të mbajtur javën e kaluar ku kreu i ekzekutuvit bëri të ditur atë që u bisedua në kryeqendrën evropiane, shpalosi edhe detaje rreth kërkesës së tij për të biseduar për të zhdukurit.

Madje, sipas Kurtit, e njëjta ka mundur të nënshkruhet atë ditë kur u diskutua për reciprocitetin.

“Pra, për marrëveshjen për të pagjeturit ekziston teksti me përmbajtje dhe me germa të dakorduara, por nuk ekziston nënshkrimi, pa fajin tonë. Është pala tjetër ajo, e cila nuk ka pranuar. Kjo ka mundur të nënshkruhet të enjten që shkoi [më 18 gusht]”, ka deklaruar Kurti ditë më parë.

Lajme të ngjashme