Grevë në QKUK: Punëtorët e sigurimit fizik kërkojnë zgjidhje urgjente - NACIONALE

Grevë në QKUK: Punëtorët e sigurimit fizik kërkojnë zgjidhje urgjente

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Punëtorët e sigurimit fizik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) kanë hyrë në grevë, duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme për statusin e tyre të punësimit. Të mbështetur nga Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës, ata kanë paralajmëruar se greva do të vazhdojë çdo ditë nga ora 10:00 deri në 15:00, derisa kërkesat e tyre të plotësohen.

Kryetari i Federatës, Jusuf Azemi, ka akuzuar menaxhmentin e QKUK-së për zvarritjen e procesit të tenderimit, i cili, sipas tij, mund të përmbyllet për tri ditë – apo edhe për tri orë – nëse ekziston vullneti i duhur institucional. "Kemi hulumtuar në KRPP dhe OSHP, dhe të gjitha dyert janë të hapura që ky tender të përmbyllet menjëherë. Zvarritja është e paarsyeshme dhe dyshohet se po shfrytëzohet për përfitime personale", tha Azemi.

Ai shtoi se situata ka përkeqësuar gjendjen ekonomike të qindra punëtorëve, shumë prej të cilëve përballen me kredi e vështirësi jetike. "Ka punëtorë që vijnë nga viset më të largëta dhe që nuk kanë mundësi financiare për të udhëtuar. QKUK e ka të gjithë përgjegjësinë për këtë krizë", nënvizoi ai.

Në grevë është përfshirë edhe Shoqata e Sigurimit Fizik të QKUK-së. Përfaqësuesi i saj, Hakif Sylejmani, kërkoi një sqarim institucional për fatin e punëtorëve, duke theksuar padrejtësitë që, sipas tij, ekzistojnë në menaxhimin e brendshëm të institucionit.

"Jemi të lodhur nga padrejtësitë. Kërkojmë një vendim të qartë – ose menaxhim të brendshëm, ose kontratë të rregullt përmes tenderit. Por duhet vendosur menjëherë", tha Sylejmani.

Ndërkohë, sipas Azemit, Policia e Krimeve Ekonomike ka nisur verifikimin e tenderit, duke shtuar një tjetër dimension serioz në këtë çështje, e cila tashmë ka kaluar çdo afat të arsyeshëm institucional.

Lajme të ngjashme