Gratë s’pushojnë as për Bajram, barra e përgatitjeve për këtë festë bie mbi to - NACIONALE

Gratë s’pushojnë as për Bajram, barra e përgatitjeve për këtë festë bie mbi to

3 vjet më parë

nga Halim Kafexholli

Në secilën festë, qoftë fetare apo sekulare, në Kosovë ndihen ndikimet e një shoqërie patriarkati. Gratë punojnë tërë ditën, përgatisin ushqime e shërbejnë, teksa burrat si në poezitë e Çajupit, ‘lozin e kuvendojnë’. Përjashtim nga kjo ‘traditë’ nuk përbën as festa e Bajramit.

Festa Bajramit është festë ku tavolinat e kosovarëve mbushen plot me ushqime e ku dominojnë, kuptueshëm, specialitetet tradicionale, me bakllavanë si ëmbëlsira kryesore e ditës.

Mysafirët e shumtë shkojnë e vijnë e urimet duket se nuk kanë mbarim. Madje për këtë ditë, shteti ofron ditë pushimi, si një formë për t’u çlodhur me familjen.

Por, janë gratë ato që për dy-tri ditë të festës nuk e ndiejnë fare pushimin e ‘dhuruar’ nga shteti kosovar. Sepse, ato janë në qendër të punëve, që shpeshherë janë të pavërejtshme, pasi që konsiderohet si ‘normale’ e punë grash.

Pavarësisht infrastrukturës progresive ligjore, në Kosovë vazhdon të mbretërojë një shoqëri ende patriarkale karshi të drejtave të grave. Të izoluara kryesisht në punë të amvisërisë, vetëm 15.9 për qind e grave sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës janë pjesëmarrëse në tregun e punës krahas 42.8 për qind të burrave.

Përveç punës në sektorin privat, gratë angazhohen me punë shtëpiake edhe pas orarit të rregullt të punës. Sipas një studimi të Institutit Riinvest, gratë shpenzojnë edhe tri orë shtesë për kujdes dhe punë të shtëpisë pas orarit të punës. Kështu në ditë gratë punojnë 10 orë e 30 minuta në mesatare, në atë që njihet si orar i dyfishtë.

Tutje, në studimin e Riinvest-it, del një e dhënë shqetësuese se më shumë se dy në tre gra bëjnë vetë pastrimin e shtëpisë dhe vetëm 1 për qind e burrave angazhohen në këtë punë.

Por, e gjithë kjo punë, e cila rëndohet gjatë festave si Bajrami e viti i ri, nuk paguhet.

Në një prononcim për Gazetën Nacionale, Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, thotë se festa e Bajramit ka patriarkalitet të theksuar brenda. Por për këtë çështje Demolli fajëson edhe institucionet që sipas saj kontribojnë në këtë shtypje.

‘‘Faktikisht është edhe e institucionalizume, njëfarë roli që shteti u jep grave në festat tradicionale siç është bajrami. Shteti i lëshon për shembull më herët gratë me shku në shpi, në ora 12. Edhe në festat tradicionale deri tani janë liru më herët dhe janë promovu qato vlera. Kjo është diçka që më ka pengu çdoherë sepse janë parë gratë me rol të zgjatun, faktikisht edhe ato që kanë punu, i është dhënë një detyrë ekstra që ato të shkojnë në shpi e të përgatitin ushqimet edhe të krijojnë atmosferë në shtëpi edhe të mirëpresin gjithë mysafirët që vijnë’’, argumenton Demolli.

Për Demollin, festa e Bajramit i ngarkon gratë me të gjitha obligimet në shtëpi, sepse janë vetëm ato që kujdesën për ushqimet dhe atmosferën brenda shtëpisë.

“Nuk është në pyetje vetëm pastërtia që ato të fshijnë, por edhe krijojnë atmosferë, nxejnë shtëpitë, kujdesën si me thanë për të gjitha të mirat që janë në tryezë, për të gjitha të mirat që familjet të duken bukur, që të shkëlqejë gjithçka, të gjitha prej duarve të grave”, thotë Demolli.

Sipas saj, Festa e Bajramit shpërfaq edhe një lloj ekzpozimi të privatësisë që sipas saj barra për këtë bie mbi gratë pavarësisht që gruan brenda familjes e quan të paautoritetshme.

“Me u ekspozu me njëfarë mënyra dukja e shtëpisë tënde edhe pasuria jote e privatësia jote me u ekspozu, kjo është e vështirë për gratë, ato edhe ndihen pa autoritet dhe ndihen të përulura, pra nuk kanë autoritet në këto ditë feste, janë të heshtuna. Nuk është askush kundër festave, po ky rol po mbështetet, edhe prej institucioneve edhe vazhdohet që vetëm vajzat e gratë e reja të shërbejnë e gratë e vjetra të përgatisin ushqime”, mendon Demolli, duke thënë se gratë që nuk i kryejnë këto role shihet si të pavlera.

Sipas Arta Avdiut, feministe dhe aktiviste për të drejtat e grave, puna e shtëpive u ngarkohet si rol grave për t’i mbajtur ato të mbyllura e larg nga punët publike.

“Punët e shtëpisë si pastrimi, gatimi, kujdesi për fëmijët e të tjera, u janë lanë grave në mënyrë qe ato të mbahen të mbyllura në shtëpi dhe larg nga sfera publike. Ndërsa këto punë, ndonëse esenciale për jetën dhe shëndetin e njeriut, nuk janë vlerësuar dhe nuk paguhen se kështu do të ndryshonte perceptimi dhe vlerësimi për vetë gratë. Pra është një gjetje gjeniale për t’i prangosur gratë”, thotë Avdiu.

Deri më tani, Ligji për Familjen i Kosovës, si pasuri të përbashkët bashkëshortore e ka konsideruar pasurinë e fituar me punë gjatë vazhdimit të martesës, kontributin e të dy bashkëshortëve, përfshirë këtu edhe pasurinë e fituar përmes lojërave të fatit.

Mirëpo, në praktikat gjyqësore, puna brenda shtëpisë nuk është konsideruar e barazvlefshme me një punë jashtë shtëpisë, e cila paguhet me rrogë.

Megjithatë, viteve të fundit janë shtuar zërat që kërkojnë që puna e shtëpisë të paguhet nga shteti ose t’i njihet statusi sikurse punës së paguar jashtë shtëpisë.

Lajme të ngjashme