FMN: Rënia e fertilitetit dhe plakja e popullsisë paraqesin sfida serioze për shumë ekonomi
Bota është duke përjetuar ndryshime të frikshme demografike, me më shumë se gjysmën e ekonomive të botës me norma të lindshmërisë nën nivelin e zëvendësimit prej 2.1 fëmijë për grua, sipas një publikimi të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Plakja e popullsisë dhe tkurrja e normave të lindshmërisë po konsiderohen si sfidë serioze për ekonomitë e shumë vendeve.
Sipas parashikimeve, viti 2064 pritet të jetë viti i parë në historinë moderne ku shkalla globale e vdekjeve tejkalon nivelin e lindjeve.
“Ndryshime të mëdha demografike janë duke u zhvilluar në pjesën më të madhe të botës. Mbi gjysma e ekonomive të botës, që përbëjnë dy të tretat e popullsisë globale, tani kanë norma të lindshmërisë nën nivelin e zëvendësimit të fertilitetit prej 2.1 fëmijë për grua. Pa veprim, këto popullata do të plaken dhe do të zvogëlohen me kalimin e kohës.” – thuhet në publikimin e FMN-së.
Sipas një stduimi nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), rënia e nivelit të lindjeve pritet të ndryshojë përgjithmonë përbërjen demografike të ekonomive më të mëdha në botë gjatë dekadës së ardhshme.
Sipas FMN, vende si Italia, Japonia dhe Gjermania po ndjejnë tashmë efektet e këtij tranzicioni demografik. Tkurrja e popullsisë në moshë pune po ndikon në produktivitetin ekonomik dhe po rrit presionin mbi sistemet e mbështetjes sociale.
“Vende të tilla si Italia, Japonia dhe Gjermania tashmë po përjetojnë efektet e këtij tranzicioni demografik. Normat më të ulëta të lindjeve rezultojnë në një popullsi më të vogël në moshë pune, e cila nga ana tjetër ndikon në produktivitetin ekonomik dhe rrit barrën në sistemet e mbështetjes sociale”, thuhet më tej.
Sipas FMN-së kjo është duke thelluar raportin e pensionistëve ndaj punëtorëve, duke çuar në kosto më të larta për pensionet dhe kujdesin shëndetësor dhe duke ushtruar presion mbi financat publike.
Në përgjigje të këtyre sfidave, disa vende po zbatimin e disa politikave të reja për t’iu kundërpërgjigjur sfidave.
“Vendet nordike ofrojnë leje prindërore bujare dhe kujdes të subvencionuar për fëmijët për të inkurajuar nivele më të larta të lindjeve. Në mënyrë të ngjashme, Singapori ofron stimuj financiarë për familjet që të kenë më shumë fëmijë.” – thuhet në publikim.
Fenomeni i rënies së fertilitetit ka prekur edhe Kosovën. Ndonëse krahasuar me vendet e tjera Kosova ende konsiderohet se posedon një shkallë të mirë të lindshmërisë, statistikat e numrit të lindjeve tregojnë rënie graduale të numrit.
- Burimi: Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Nga ana tjetër, vendet në Afrikë si Republika Demokratike e Kongos (DRC), Nigeria dhe disa zona në Lindjen e Mesme ende ruajnë norma të larta të lindshmërisë mbi pesë fëmijë për grua.