Fitoi sharra e bageri, Gërmia në prag të shkatërrimit - NACIONALE

Fitoi sharra e bageri, Gërmia në prag të shkatërrimit

2 javë më parë

nga Col Mehmeti

Komuna e Prishtinës ka vendosur ta kalojë në heshtje të plotë dëmtimin e pakthyeshëm të pjesëve të tëra të Parkut të Gërmisë. Ndonëse në ‘defterët’ e shtetit, një hapësirë prej 1,126 hektarësh ka statusin e peizazhit të mbrojtur, parkut më të madh në Rrafshin e Kosovës po i kafshohen dhjetëra hektarë me pyje e livadhe. Pos indiferencës nga pushteti lokal e ai qendror, në horizont nuk duket asnjë kauzë mjedisore për të zëruar ekocidin në Gërmi. Hera e fundit kur shteti e rrahu teneqenë ishte në gusht të 2020-s. Asokohe, Komuna e Prishtinës u detyrua të shfuqizonte vendimin për ndërtimet pranë liqenit të Badocit. Por, VV-ja sot nuk i ka hasmit e vjetër dhe asaj nuk i hyjnë më në punë kauzat mjedisore për Gërminë.

Col Mehmeti

Një hapësirë prej gati një hektari është sheshuar me buldozerë në Parkun Regjional të Gërmisë.

Aty ku rruga e asfaltuar ka në të majtë Butocin dhe në të djathtë zonën e mbrojtur, kunjat me litarë janë e vetmja shenjë se kjo pjesë tani e tutje do të jetë e veçuar.

I mbiemërzuar shpesh si pasuri natyrore, ky park gjithnjë e më fort ndjehet si shkreti me bashkësi të varfër flore e faunë thuajse inekzistente.

Së paku tri vatra natyrëshkatërruese janë hapur në shpatijet e njërës prej kodrave kryesore të Gërmisë.

Derisa agjencione të patundshmërive tashmë i reklamojnë për shitje ngastrat e planifikuara për ndërtim rezidencial dhe banim individual, Komuna e Prishtinës nuk jep asnjë shpjegim për projektet në fjalë.

Komuna e Prishtinës dhe tri drejtori të saj nuk gajlohen

Përkundër ngulmimit të gazetës Nacionale, Drejtoria e Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, që ka brenda vetes edhe Sektorin e Pylltarisë, nuk ka dhënë përgjigjje nëse ka pasur inspektim në zonat në fjalë për dëmtim të natyrës, tjetërsim të peizazhit dhe asgjësim të lëndës drusore.

As Drejtoria e Parqeve dhe as ajo e Urbanizimit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit nuk kanë dhënë ndonjë sqarim zyrtar nëse ndërtimet e planifikuara prekin zonën e mbrojtur.

Statusi në letër si zonë e mbrojtur nuk duket se ka qenë dekurajim që makineritë e rënda të ngjiten në 1,020 metra lartësi mbidetare.

Mbi ekosistemet tashmë të tjetërsuara të pyjeve dhe kullosave, peizazhi i ri do të jetë me shtëpi, villa e objekte të tjera rekreacionale.

IKMN: “Të verifikohet nëse ka ndërhyrje brenda zonës së mbrojtur”

Në një prononcim për Nacionalen, nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës (IKMN) kanë thënë se Komuna e Prishtinës është instanca e parë që duhet të merret me rastin në fjalë.

Sipas këtij Instituti që funksionon brenda Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, Gërmia e gëzon statusin e zonës së mbrojtur në kategorinë ‘Peizazh i mbrojtur’, dhe kjo nënkupton se të gjitha kompetencat përkatëse i takojnë nivelit komunal.

Kështu, sipas nenit 43 të Ligjit Nr. 03/L-233 për Mbrojtjen e Natyrës, një organ përkatës i Komunës ka përgjegjësinë për dhënien e lejeve për ndërtim apo ndërhyrje në territorin e peizazhit të mbrojtur, duke përcaktuar me këtë rast kushtet e veçanta për mbrojtjen e natyrës.

Nene të tjera nga po i njëjti ligj i ngarkojnë drejtoritë komunale që administrojnë zonat e mbrojtura për të siguruar ligjshmërinë e punimeve (neni 80), ashtu sikurse që organet përgjegjëse të komunës janë ato që japin leje për punime e ndërhyrje në peizazhin e mbrojtur (neni 128).

Duke folur për rastet e ndërhyrjeve, nga IKMN kanë theksuar se fillimisht është e nevojshme të verifikohet nëse lokacioni i përmendur ndodhet brenda kufijve zyrtarë të Peizazhit të Mbrojtur ‘Gërmia’ sipas dokumentacionit dhe hartave zyrtare.

Në rast se gjatë verifikimeve konfirmohet se ndërhyrjet ndodhen brenda kufijve të zonës së mbrojtur dhe nuk janë në përputhje me kornizën ligjore, sipas nenit 81, paragrafi 4, dhe kushteve për mbrojtjen e natyrës, çështja duhet të trajtohet nga organi menaxhues dhe organet kompetente të inspektoratit, të cilat kanë mandat për ndërmarrjen e veprimeve përkatëse ligjore”, kanë thënë në përgjigjjen zyrtare teksa kanë shprehur përkushtimin për mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e zonave të mbrojtura në përputhje me kompetencat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore.

Një kronikë ekocidi

Kronika e shkatërrimit të Gërmisë ka episode thuajse të përvitshme të ndërhyrjeve me pasoja largvajtëse.

Në prill të vitit të kaluar, Nacionale e problematizoi shkatërrimin e Gërmisë, sidomos nga ndërtimi i unazës 23-kilometërshe e cila e çoi asfaltin dhe degradimin në zemër të zonës së mbrojtur.

E gjitha kjo duke çrrënjosur masa të tëra pyjore e duke e rrezikuar bashkësitë e varfëruara të florës e faunës.

Lexo edhe: Gërmia — ose rrëfimi për parajsën e humbur

E quajtur si unazë e jashtme e kryeqytetit dhe e menduar nga planifikuesit si shkarkuese e trafikut të stërngarkuar në kryeqytet, projekti në vlerë prej 250-milionë eurosh fare pak i ka llogaritur pasojat mbi bashkësitë e florës dhe faunës.

Asfalti e ngjiti shkatërrimin në maje të Parkut

Shkatërrimit iu hap shtegu qysh më 2015 kur filloi ndërtimi i rrugës Matiqan-Butovc-Kolovicë, e cila u bë ‘lift’ që degradimin e natyrës ta ngjiste deri në 1 mijë metra lartësi mbidetare.

Të dyja anët e rrugës 10-kilometërshe janë bërë vendzbrazje të vazhdueshme dhéu, mbeturinash e lëndësh inerte.

Një protestë në qershorin e 2021-s nga banorët e Butocit e kishte sprapsur keq Komunën e Prishtinës.

Kjo e fundit vetëm sa e kishte tundur flamurin e bardhë të dorëzimit përballë tjetërsimit të përhershëm të hapësirës që në dokumente zyrtare llogaritej si ‘zonë e gjelbër e mbrojtur’.

Duke e shfrytëzuar dorëzimin e qeverisë lokale në rastin e Kolovicës dhe Zllatarit, edhe kjo trysni ia doli që Butocin ta hiqte nga perimetri i zonës së gjelbër dhe ta kalonte atë në ‘zonë turistike’.

Lexo edhe: Ekocidi i heshtur – Gërmia po vdes nga shpyllëzimi e ndërtimet

Invazion ndërtimesh, deponi mbeturinash, shkatërrim pyjesh

Prej vitit të kaluar, me dhënien e lejeve të para, sipërfaqe të tëra janë shpyllëzuar për t’i lënë vend ndërtimit të villave të reja.

Kjo ka bërë që të rrokaqiellëzohen çmimet e tokës në këto pjesë.

Nga ç’mëson gazeta, çmimi për një ari tokë shpesh shkon nga 16 deri në 22 mijë euro.

Vatra natyrëshkatërruese janë hapur pothuajse në të gjitha anët e Gërmisë.

E tillë, fjala vjen, është edhe Lagjja e Gjelbër, një ‘koloni’ prej afro njëqind shtëpish që kanë zënë vend në ato që dikur ishin shpatije gjysmë të pyllëzuara të Gërmisë.

‘Invazioni’ i ndërtimeve tashmë i është afruar edhe lugut të Suteskës që lëshohet nga Butovci në drejtim të fshatit Mramor.

Buldozerë e makineri të rënda kanë lënë gjurmë shkatërruese edhe në bregun e majës së Butocit (1095 metra lartësi), duke hapur edhe rrugë të reja drejt fshatit Zllatar dhe rrugës së asfaltuar tash së voni.

Pjesa e fundme e Gërmisë, që përbëhet nga një varg sukash mbi Zllatar e Matiqan, paraqet pjesën më të përdhunuar të parkut.

Prej vitesh, aty funksionon një deponi tek e cila zbrazen dhérat e lëndët inerte nga ndërtimet që bëhen kudo në Prishtinë.

‘Rregullore’ që nuk ndalojnë asgjë

Ky brutalitet natyrëshkatërrues kalon me konsekuenca të hiçta.

Një rregullore e brendshme për Parkun e Gërmisë, e miratuar nga Kuvendi Komunal më 2014, i njeh Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe Ndërmarrjen ‘Hortikultura’ si instanca që e udhëheqin Parkun e Gërmisë dhe që kanë tagrin për të shqiptuar masa e gjoba kundërvajtëse.

Sidoqoftë, çdo ‘ndalim’ i kësaj rregullore është i shfuqizuar në praktikë ku shteti dhe komuna bëjnë sehir në pafuqinë e tyre përballë shkatërrimit të plotë të Gërmisë.

Standarde të dyfishta të ambientalistëve

Në kohën e vitit pandemik, një nga çështjet që kishte ngritur pluhur në opinion ishin ndërtimet e planifikuara fare pranë liqenit të Badocit.

Një pjesë e OJQ-ve dhe aktivistëve ambientalistë, shumë prej të cilëve mbanin lidhje të afërta me Vetëvendosjen, kishin organizuar protesta e forma të tjera trysnie për ta sprapsur Komunën e Prishtinës.

Në gusht të po atij viti, Ministria e Ambientit, që udhëhiqej prej Lumir Abdixhikut në koalicionin VV-LDK, e kishte marrë vendimin që e detyronte Komunën e Prishtinës të shfuqizonte kushtet e ndërtimit për projektin ku arkitekt kishte qenë Përparim Rama.

Në sfond të kësaj përplasje nuk dukej se ishin preokupimet ekologjike e as ndërgjegjja mjedisore.

VV e LDK bashkoheshin nga kauza politike për kundërvënie ndaj pushtetit lokal në Prishtinë që asokohe udhëhiqej nga Shpend Ahmeti.

Na ishte dikur një Gërmi

Masivi malor i Gërmisë në gjithsejtin e tij ka 62 kilometra katrorë.

Si pjesa më e skajme e malësisë së Gallapit, ‘kufijtë’ e Gërmisë në perëndim nisin nga Kodrina e Vneshtave, kurse në lindje ata ravijëzohen prej shpatijeve të Matiqanit dhe xehrores së Hajvalisë dhe burimit të lumit Graçanica.

Megjithë degradimin nga faktori njeri, kjo hapësirë e shënjuar si ‘park’ shquhet për prani relativisht të pasur në florë, vegjetacion e faunë.

Sipas studimeve, në Gërmi janë identifikuar 600 lloje të florës vaskulare, pesë prej të cilave konsiderohen si endemike.

Po kështu, në këtë hapësirë është identifikuar prania e 5 lloj ujëtokësorësh, 7 lloje rrëshqanorësh, 19 lloje gjitarësh e 30 lloje shpezësh.

Thela më e madhe e sipërfaqes, mbi 75 për qind e saj, përbëhet nga bashkësi drusore të shpardhit, qarrit, bungut dhe ahut.

Në gjithsejtin e saj, hapësira pyjore përfshin 884 hektarë, ajo e kullosave 204 hektarë, kurse zona e ndërtimeve dhe rrugëve 19 hektarë.

Nga viti 1966, një pjesë e masivit malor të Gërmisë është shpallur si ‘Pyje për piknik’, por vetëm më 1987 ishte vendosur që kjo pjesë të vihej nën mbrojtje në kategorinë e parkut rajonal të natyrës. /Nacionale/

Lajme të ngjashme