Gërmia — ose rrëfimi për parajsën e humbur
Në përshkrime guidash e fletushkash turistike për Prishtinën, Parku i Gërmisë përshkruhet me terma gati edenikë – si një parajsë me florë e faunë të rrallë. Por, ajo tashmë është si titulli i poemës së John Miltonit ‘Paradise Lost’ (Parajsa e Humbur), ku po varfërohet bimësia e po zhduket fauna edhe ashtu e paktë. ‘Rekreacioni’ po paguhet shtrenjtë me tjetërsimin e përjetshëm të peizazhit të saj. Ndërtimi i Unazës 23-kilometërshe po e çon asfaltin dhe degradimin në zemër të Gërmisë duke çrrënjosur masa të tëra pyjore. Ndërkohë, invazioni i shkatërrimit po ngjitet dita-ditës në maje të parkut, në Butovc, ku po ndërtohen villa e shtëpi. Çmimi i tokës ka shkuar në hava ku një ari tokë kushton nga 16 mijë e deri në 22 mijë euro. Është koha për alarm: për pak vite Gërmia do të asgjësohet nga faqja e dheut përballë anarkisë së ndërtimeve
Col Mehmeti
Dyert e Gërmisë hapen me uturima të përhershme buldozerësh, kamionësh e makinerie të rëndë.
Ata po i sheshojnë udhën Unazës së re 23-kilometërshe të kryeqytetit.
Ky projekt mëton që shkarkimin e trafikut të stërngarkuar ta bëjë duke u rrasur brenda njërit prej parqeve më të mëdhenj në Kosovë.
Megjithëse hapësira prej 1126 hektarësh është shpallur si zonë e mbrojtur, peizazhi i saj është duke ndryshuar përjetësisht.
Asfalt, prerje drunjsh e villa
Në shtrirjen e vet si gjysmëhark në krahun verior e lindor të Prishtinës, Parkut të Gërmisë po i kafshohen dhjetra hektarë nga rruga e re që do të përbirojë nga Zllatari në drejtim të Kolovicës.
Ky projekt në vlerë prej 250 milionë eurosh qe shestuar si një mënyrë për ta shkarkuar trafikun e stërngarkuar të kryeqytetit nëpërmjet asaj që planifikuesit e kishin quajtur si unazë e jashtme.

Por, rruga e re Zllatar-Kolovicë nuk është invazioni i vetëm shkatërrimtar në kurriz të njërit prej parqeve më të mëdhenj në Rrafshin e Kosovës.
Nga krahu verior, Gërmisë i është hapur edhe një vatër e re natyrëshkatërruese.
Bëhet fjalë për Lagjen e Gjelbër, kjo ‘koloni’ me afro njëqind shtëpi që ka zënë vend në atë që dikur ishte një nga shpatijet gjysmë të pyllëzuara të Gërmisë.
Kjo masë prej betoni, materialesh ndërtimore e asfalti ka fare pranë përroin ujëpakët të Kolovicës.

‘Mbytja’ e dy lumenjve
Me një vrull të tillë ndërtimesh, dy rrjedhat e vetme ujore që burojnë nga masivi vargmalor i Gërmisë – lumthi Prishtina dhe Vellusha – rrezikojnë që të thahen e humbasin.
E gjithë kjo si pasojë e ndryshimit të shtretërve natyrorë.
I pari është lumthi i Vellushës që gurrëzon nga Sofalia – pellgu i tij sipas matjeve ka një sipërfaqe prej 12.05 kilometrash katrorë dhe perimetër prej 17.07 kilometrash.
Prej burimit të tij, gjarpërimit midis lagjeve lindore të kryeqytetit e në fund bashkimit me lumthin Prishtina, Vellusha
ka një gjatësi prej 6.82 kilometrash.
Lumthi Prishtina buron nga kodrinat midis Kolovice e Makovci, dhe gjatësia e tij deri në vendderdhjen në Sitnicë është 8.4 kilometra.
Shkatërrimi i Gërmisë e kishte zezuar Prishtinën më 1889
Tabloja e Prishtinës së udhëpërshkruar në kapërcyell të shekujve 19-të e 20-të ishte e tillë që këta dy lumtha merreshin si filli i qytetit.
Te libri Pamje nga Kosova, i autoruar më 1895 nga diplomati dhe publicisti serb, Mijoko Veselinoviq, Prishtina përbëhej nga këto dy rrjedha ujore.
“…ajo ndodhet mes dy lumenjve, Vellusha dhe Lumi i Madh, dhe nga bashkimi i tyre ajo ngadalë ngjitet në kodrina, ku mëhalla e Varoshit veçse është në kodër, dhe në mes këtyre dy lumenjve. Vellusha zbret nga Mali Gërmia dhe përshkon skajin juglindor të Prishtinës, kurse Lumi i Madh përmes skajit veriperëndimor të të Prishtinës; ata pikëtakohen diku poshtë qytetit ku e humbin emrin, e prej aty quhen lumi Prishtina, e kështu derdhen në Sitnicë”, shkruante Veselinoviq.
Në sytë e Branisllav Nushiqit, i cili qe konsull serb në Prishtinë, Vellusha ishte lum më i vogël, por më i rrezikshëm.
Te libri i tij Kosovo, i botuar më 1902, ai shkruan se ky lumth mblidhte në vete përrenj malorë dhe kur dëbora shkrinte, Vellusha mbufatej dhe e vërshonte gjysmën e Prishtinës, siç ngjau me vërshimet në vitin 1889.
Vetë diplomati austriak, Theodor Ippen
qysh më 1892 vuri re se papërgjegjësia e njerëzve në prerjen e pyjeve në kodrinat e Gërmisë ishte sebep për vërshimet shkatërruese.
Ai vërente se ato ishin zhveshur krejtësisht nga masa pyjore, siç ngjante kudo nëpër qytetet në Turqi, dhe kjo ishte bërë, sipas tij, “në një mënyrë krejtësisht të papërgjegjshme” (in ganz unvernünftiger Weise).
Sipas tij, shpyllëzimi (Entwaldung) i maleve pas Prishtinës ishte arsyeja kryesore për vërshimet e papritura e të dhunshme që e përlanin qytetin.
Deponitë e mbeturinave midis parkut
Entwaldung-i bashkëkohor nuk është e vetmja murtajë që i ka rënë Gërmisë.
E nisur më 2015 dhe e përfunduar katër vjet më vonë, rruga Matiqan-Butovc-Kolovicë është bërë ‘lifti’ që shkatërrimin e ka ngjitur deri në 1 metra lartësi mbidetare.
Të dyja anët e rrugës 10-kilometërshe janë bërë vendzbrazje të vazhdueshme dhéu, mbeturinash e lëndësh inerte.
Sukat malore të Butovcit nuk janë as hija e atyre që ishin para ndërtimit të rrugës që e vrau parkun e mbrojtur anëepërtej.
Me ngarendje të potershme e gara me motoçikleta, motorë me katër rrota e vetura, secili cep livadhor gëlon nga kanaqe, shishe, faculeta letre e peceta menstruale.
Pas tyre zgjaten edhe rrugë të reja të hapura andej-e-këndej me traktorë e kamionë të atyre që në dritë të diellit me sharra e prejnë lëndën e paktë drusore të parkut.

Komuna u dorëzua përballë ‘hunit e drunit’
Një ‘protestë’ në qershorin e 2021-s e banorëve të Butovcit e kishte sprapsur keq Komunën e Prishtinës.
Kjo e fundit vetëm sa e kishte tundur flamurin e bardhë të dorëzimit përballë tjetërsimit të përhershëm të hapësirës që në dokumente zyrtare llogaritej si ‘zonë e gjelbër e mbrojtur’.
Duke e shfrytëzuar dorëzimin e qeverisë lokale në rastin e Kolovicës dhe Zllatarit, edhe kjo trysni ia doli që Butovcin ta hiqte nga perimetri i zonës së gjelbër dhe ta kalonte atë në ‘zonë turistike’.
Prej vitit të kaluar, me dhënien e lejeve të para, sipërfaqe të tëra janë shpyllëzuar për t’i lënë vend ndërtimit të villave të reja.
Nga ç’thonë privatisht banorët e atyshëm, edhe çmimet e tokës janë kripur në mënyrë të pabesueshme. Nga 16 mijë deri në 22 mijë euro është çmimi që i vihet një ari tokë.
Kudo mes shkurresh zbardhin tabela me ‘Shitet parcela’ e ‘Shitet toka’ me numrin e pronarit të panjohur 044…

Shkatërrimi drejt Mramorit dhe Zllatarit
‘Invazioni’ i ndërtimeve tashmë i është afruar edhe lugut të Suteskës që lëshohet nga Butovci në drejtim të fshatit Mramor.
Buldozerë e makineri e rëndë kanë zaptuar edhe bregun e majës së Butovcit (1095 metra lartësi), duke lënë pas vete shkatërrim të pakthyeshëm të peizazhit.
Prej Restaurant ‘Mullirit’, të cilit komuna vjet ia aviti asfaltin fare pranë, buldozerë po kapilarizojnë rrugë të reja edhe drejt fshatit Zllatar dhe rrugës së asfaltuar tash vonë.
Pjesa e fundme e Gërmisë, që përbëhet nga një varg sukash mbi Zllatar e Matiqan, paraqet pjesën më të përdhunuar të parkut.
Prej vitesh, aty funksionon një deponi te e cila zbrazen dhérat e lëndët inerte nga ndërtimet që bëhen kudo në Prishtinë.

‘Rregullore’ e pafuqishme përballë anarkisë
Ky brutalitet natyrëshkatërrues kalon me konsekuenca të hiçta.
Një rregullore e brendshme për Parkun e Gërmisë, e miratuar nga Kuvendi Komunal më 2014, i njeh Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe Ndërmarrjen ‘Hortikultura’ si instanca që e udhëheqin Parkun e Gërmisë dhe që kanë tagrin për të shqiptuar masa e gjoba kundërvajtëse.
Sidoqoftë, çdo ‘ndalim’ i kësaj rregullore është i shfuqizuar në praktikë ku shteti dhe komuna bëjnë sehir në pafuqinë e tyre përballë shkatërrimit të plotë të Gërmisë.
Në ‘Marigona Hill’ jeton ministri i Mjedisit
Në këtë panoramë pafuqie ku vdes ligji, rregulli e mbrojtja e natyrës, paradokalisht, si në shuplakë dore duket lagjja ‘Marigona Hill’.
Ajo është lagjja elitare me një planimetri të rregullt ku ndërtesa të larta e shtëpi luksi shijojnë jetën e qetë e të patrazuar.
Mes tyre duhet të jenë diku edhe dy shtëpitë e ministrit të Mjedisit, Liburn Aliu…
Një enciklopedi e vogël për Gërminë
Masivi malor i Gërmisë në gjithsejtin e tij ka 62 kilometra katrorë.
Si pjesa më e skajme e malësisë së Gallapit, ‘kufijtë’ e Gërmisë në perëndim nisin nga Kodrina e Vneshtave, kurse në lindje ata ravijëzohen prej shpatijeve të Matiqanit dhe xehrores së Hajvalisë dhe burimit të lumit Graçanica.
Megjithë degradimin nga faktori njeri, kjo hapësirë e shënjuar si ‘park’ shquhet për prani relativisht të pasur në florë, vegjetacion e faunë.
Sipas studimeve, në Gërmi janë identifikuar 600 lloje të florës vaskulare, pesë prej të cilave konsiderohen si endemike.
Po kështu, në këtë hapësirë është identifikuar prania e 5 lloj ujëtokësorësh, 7 lloje rrëshqanorësh, 19 lloje gjitarësh e 30 lloje shpezësh.
Thela më e madhe e sipërfaqes, mbi 75 për qind e saj, përbëhet nga bashkësi drusore të shpardhit, qarrit, bungut dhe ahut.
Në gjithsejtin e saj, hapësira pyjore përfshin 884 hektarë, ajo e kullosave 204 hektarë, kurse zona e ndërtimeve dhe rrugëve 19 hektarë.
Nga viti 1966, një pjesë e masivit malor të Gërmisë është shpallur si ‘Pyje për piknik’, por vetëm më 1987 ishte vendosur që kjo pjesë të vihej nën mbrojtje në kategorinë e parkut rajonal të natyrës.

Ndoshta ilirisht, ndoshta sllavisht
Në studimet e gjertanishme nuk ka ndonjë shqyrtim për punën e emërtimit Gërmi.
Në mungesë të burimeve të shkruara se kur është përmendur për herë të parë, Gërmia mund të lidhet me bullgarishten грм ose грмен me kuptimin ,,shkurre’’ (Bŭlgarski etimologichen rechnik, 1971, f.289).
Por, në anën tjetër, forma si Germai (Γερμαή), Germanos (Γερμανός), Germene (Γερμεννε), Germas (Γέρμας), Germe (Γερμή), Germai (Γέρμαι), etj, përmenden si emra të vjetër të qytetit të Kystendilit në Bullgari.
Sipas ndonjë gjuhëtari, ky toponim lidhet me fjalën thrake γερμ- (germ) me kuptimin ,,nxehtë’’, njësoj si greqishtja Θερμός (thermos).
Gjithnjë sipas gjuhëtarëve, kjo formë mund të jetë prototipi gjuhësor i fjalëve shqipe zjarm/zjerm dhe gjirmë ose gjermë që shënjon vendin ku ndezet zjarri, vatra.
Por, shumë më i hershëm sesa emri i Gërmisë është ai i Butovcit.
Për aq sa shkojnë burimet e shkruara, ky toponim në formën Butovac (Бутоваъць) përmendet në krisobullën e Graçanicës më 1321, vit që lidhet me ndërtimin e manastirit të atyshëm. NACIONALE/