Ekocidi i heshtur – Gërmia po vdes nga shpyllëzimi e ndërtimet - NACIONALE

Ekocidi i heshtur – Gërmia po vdes nga shpyllëzimi e ndërtimet

9 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Si pjesa më e skajme e Malësisë së Gollakut, Gërmia është në ditët e saj të fundit si hapësirë relativisht e ruajtur e natyrës. Ndonëse që nga 1987-a është kategorizuar si zonë e mbrojtur, hapësira prej 1126 hektarësh po zvogëlohet nga muaji në muaj e nga java në javë. Në një nga parqet më të mëdha në Rrafshin e Kosovës, tashmë janë hapur dhjetëra vatra natyrëshkatërruese me villa e ndërtime të tjera. Manipulimi me të ashtuquajturën ‘zonë turistike’, nëpërmjet të cilës janë hequr pjesë të tëra nga perimetri i zonës së gjelbër, ka bërë që shpyllëzimi e gërryerjet me makineri të rënda të kafshojnë edhe majat më të larta të Gërmisë.

7 tetor 2025
– Ndërtimet e reja me villa private e rekreacionale do të jenë peizazhi i ri i Parkut Regjional të Gërmisë.

Statusi në letër si zonë e mbrojtur nuk duket se përbën farë garance se sipërfaqet pyjore dhe ato me kullosa nuk do të degradohen.

Hapësira disahektarëshe tash së fundmi janë shpyllëzuar e gërryer me buldozerë në fshatin Butovc.

Shqetësimet e shprehura në mediat sociale dalin të jenë të vërteta.

Nga kundrimet në terren vërehet se janë hapur dy vatra të reja natyrëshkatërruese pranë antenave në Butovc në 1020 metra lartësi mbidetare.

Shpatijet e njërës prej kodrinave kryesore të Gërmisë, afër rrugës së asfaltuar, janë gërryer me buldozerë e makineri të rëndë për t’iu bërë vend ndërtimeve të reja.

Komuna hesht, Ministritë kanë tjera gajle


Gazeta NACIONALE ka kontaktuar të hënën Drejtorinë e Parqeve në Komunën e Prishtinës, porse nuk ka marrë ndonjë përgjigjje nëse janë në dijeni të rastit.

“Ju lutem t’i drejtoheni me pyetje Zyrës për Media pranë Komunës së Prishtinës”, ka qenë ‘përgjigjja’ e vetme.

Përveç Zyrës për Media, përgjigje nuk kanë dhënë as nga Agjencia për Mbrojtjen e Pyjeve të Kosovës që funksionon pranë Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, dhe as nga Departamenti për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ujërave pranë Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Në prill të këtij viti, NACIONALE e pati problematizuar shkatërrimin e Gërmisë sidomos nga ndërtimi i unazës 23-kilometërshe e cila po e çon asfaltin dhe degradimin në zemër të zonës së mbrojtur.

E gjitha kjo duke çrrënjosur masa të tëra pyjore e duke e rrezikuar bashkësitë e varfëruara të florës e faunës.

Lexo edhe: Gërmia — ose rrëfimi për parajsën e humbur

E quajtur si unazë e jashtme e kryeqytetit dhe e menduar nga planifikuesit si shkarkuese e trafikut të stërngarkuar në kryeqytet, projekti në vlerë prej 250-milionë eurosh fare pak i ka llogaritur pasojat mbi bashkësitë e florës dhe faunës.

Rruga që e ngjiti shkatërrimin lart


Shkatërrimit iu hap shtegu qysh më 2015 kur filloi ndërtimi i rrugës Matiqan-Butovc-Kolovicë, e cila u bë ‘lift’ që degradimin e natyrës ta ngjiste deri në 1 mijë metra lartësi mbidetare.

Të dyja anët e rrugës 10-kilometërshe janë bërë vendzbrazje të vazhdueshme dhéu, mbeturinash e lëndësh inerte.

Një protestë në qershorin e 2021-s nga banorët e Butovcit e kishte sprapsur keq Komunën e Prishtinës.

Kjo e fundit vetëm sa e kishte tundur flamurin e bardhë të dorëzimit përballë tjetërsimit të përhershëm të hapësirës që në dokumente zyrtare llogaritej si ‘zonë e gjelbër e mbrojtur’.

Duke e shfrytëzuar dorëzimin e qeverisë lokale në rastin e Kolovicës dhe Zllatarit, edhe kjo trysni ia doli që Butovcin ta hiqte nga perimetri i zonës së gjelbër dhe ta kalonte atë në ‘zonë turistike’.

Invazion ndërtimesh, deponi mbeturinash, shkatërrim pyjesh

Prej vitit të kaluar, me dhënien e lejeve të para, sipërfaqe të tëra janë shpyllëzuar për t’i lënë vend ndërtimit të villave të reja.

Vatra natyrëshkatërruese janë hapur pothuajse në të gjitha anët e Gërmisë.

E tillë, fjala vjen, është edhe Lagjja e Gjelbër, një ‘koloni’ prej afro njëqind shtëpish që kanë zënë vend në ato që dikur ishin shpatije gjysmë të pyllëzuara të Gërmisë.

‘Invazioni’ i ndërtimeve tashmë i është afruar edhe lugut të Suteskës që lëshohet nga Butovci në drejtim të fshatit Mramor.

Buldozerë e makineri të rënda kanë lënë gjurmë shkatërruese edhe në bregun e majës së Butovcit (1095 metra lartësi), duke hapur edhe rrugë të reja drejt fshatit Zllatar dhe rrugës së asfaltuar tash së voni.

Pjesa e fundme e Gërmisë, që përbëhet nga një varg sukash mbi Zllatar e Matiqan, paraqet pjesën më të përdhunuar të parkut.

Prej vitesh, aty funksionon një deponi tek e cila zbrazen dhérat e lëndët inerte nga ndërtimet që bëhen kudo në Prishtinë.

‘Rregullore’ që nuk ndalojnë asgjë

Ky brutalitet natyrëshkatërrues kalon me konsekuenca të hiçta.

Një rregullore e brendshme për Parkun e Gërmisë, e miratuar nga Kuvendi Komunal më 2014, i njeh Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe Ndërmarrjen ‘Hortikultura’ si instanca që e udhëheqin Parkun e Gërmisë dhe që kanë tagrin për të shqiptuar masa e gjoba kundërvajtëse.

Sidoqoftë, çdo ‘ndalim’ i kësaj rregullore është i shfuqizuar në praktikë ku shteti dhe komuna bëjnë sehir në pafuqinë e tyre përballë shkatërrimit të plotë të Gërmisë.

Na ishte dikur një Gërmi

Masivi malor i Gërmisë në gjithsejtin e tij ka 62 kilometra katrorë.

Si pjesa më e skajme e malësisë së Gallapit, ‘kufijtë’ e Gërmisë në perëndim nisin nga Kodrina e Vneshtave, kurse në lindje ata ravijëzohen prej shpatijeve të Matiqanit dhe xehrores së Hajvalisë dhe burimit të lumit Graçanica.

Megjithë degradimin nga faktori njeri, kjo hapësirë e shënjuar si ‘park’ shquhet për prani relativisht të pasur në florë, vegjetacion e faunë.

Sipas studimeve, në Gërmi janë identifikuar 600 lloje të florës vaskulare, pesë prej të cilave konsiderohen si endemike.

Po kështu, në këtë hapësirë është identifikuar prania e 5 lloj ujëtokësorësh, 7 lloje rrëshqanorësh, 19 lloje gjitarësh e 30 lloje shpezësh.

Thela më e madhe e sipërfaqes, mbi 75 për qind e saj, përbëhet nga bashkësi drusore të shpardhit, qarrit, bungut dhe ahut.

Në gjithsejtin e saj, hapësira pyjore përfshin 884 hektarë, ajo e kullosave 204 hektarë, kurse zona e ndërtimeve dhe rrugëve 19 hektarë.

Nga viti 1966, një pjesë e masivit malor të Gërmisë është shpallur si ‘Pyje për piknik’, por vetëm më 1987 ishte vendosur që kjo pjesë të vihej nën mbrojtje në kategorinë e parkut rajonal të natyrës. /Nacionale/

Lajme të ngjashme