Fillon mbledhja e naftëtarëve, pritet diskutimi për çmimet e larta dhe mbylljen e pompave - NACIONALE

Fillon mbledhja e naftëtarëve, pritet diskutimi për çmimet e larta dhe mbylljen e pompave

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës ka filluar mbledhjen pas raportimeve se Qeveria e Kosovës do të ndërhyjë në çmimet e naftës në vend.

Gazetarja e Nacionale nga kjo mbledhje ka bërë të ditur se anëtarët e kësaj shoqate janë parë të tensionuar dhe dyert për media i kanë mbyllur.

Gazeta Nacionale do t'ju mbajë të informuar për vendimet që do të dalin nga kjo shoqatë.

Çka kanë paralajmëruar naftëtarët e Kosovës?

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, për Gazetën Nacionale tha se në takimin e sotëm do të flasin për hapat e mëtutjeshëm, pasi takimi i tyre me përfaqësuesit e Ministrisë së Tregtisë nuk rezultoi i suksesshëm.

Ai madje ka deklaruar se Ministria nuk mund të marrë asnjë vendim pa palët e interesit.

“Sot e kemi pasur takimin me përfaqësuesit e ministrisë së tregtisë. Ne jemi hisedarë në vendime. Me ligj. Duhet të pyetemi. Jetojmë në shekullin 21. Nuk merret vendimi pa palët e interesit, pra të jenë të kënaqur të gjithë”, tha fillimisht Berjani.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, nëpërmjet një projektligji, po synon që ta kufizojë fitimin e naftëtarëve.

Siç ka kuptuar Nacionale, në bazë të projektligjit tashmë të draftuar, MINT po planifikon të kufizojë fitimin në 2-3 centë për një litër naftë për shitësit me shumicë, ndërsa 6-10 centë do të jetë fitimi për shitësit me pakicë.

Ndërkaq, për subjektet joimportuese, fitimi për shitje me pakicë parashihet të jetë 10 centë për litër.

Një planifikim i tillë ka nervozuar Berjanin, i cili i tha Nacionales se kufizimi që parashihet të bëhet nëpërmjet projektligjit është i dëmshëm. Sipas tij, Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, po tenton të zvogëlojë marzhën e fitimit për naftëtarët, teksa paralajmëron ndikime të dëmshme për këtë sektor.

“Sot në 09:30 do të mbahet një takim. Lidhur me vendimin e ri të cilin Ministria e Tregtisë po pretendon ta marrë, që është një vendim i dëmshëm dhe i paqëndrueshëm. Synohet zvogëlimi i marzhës së fitimit. Ashtu nuk mbijetojnë pikat e karburantit. Po ashtu me këtë aktualen nuk jemi duke fituar, të paktën të jetë treg i hapur dhe liberal”, vazhdoi ai.

Në anën tjetër, një temë e rëndësishme që pritet të diskutohet në këtë mbledhje është edhe mbyllja e pompave që disa kompani tashmë kanë paralajmëruar.

Tutje, Nacionale ka pyetur edhe Berjanin në lidhje me mbylljen e mundshme të pompave në shenjë proteste ndaj nismës ligjore të Qeverisë.

Ai tha se një gjë e tillë duhet të vendoset nga përfaqësuesit e kompanive që do të jenë prezentë në takim. Megjithatë, ai nuk ka treguar nëse kompanitë tashmë janë dakorduar për këtë çështje.

“Mbyllja e pompave nuk varet nga unë. Në 09:30 do të flasim. Varet nga të gjithë. Unë i udhëheqi politikat e shoqatës së naftëtarëve. Vendimin do ta marrin të gjitha kompanitë që do të jenë të pranishme. Sot do të vendosin çka do të bëjnë e si do të sillen. Por, unë mendoj që kryeministri Kurti nuk e merr një vendim që dëmton biznesin. Jam i bindur”, përfundoi Berjani.

Ndërkohë, 1.82 euro ishte çmimi i litrës së naftës të mërkurën në Kosovë. Ky çmim pësoi ndryshim ditëve të fundit, me arsyen se në tregun ndërkombëtar ka rritje të çmimeve.

Heqja e akcizës ishte parë si zgjidhje për stabilizimin e ngritjes së çmimit të naftës para disa muajsh. Por, ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, nuk kishte pohuar se do ta aplikojnë një gjë të tillë.

Lajme të ngjashme