Fëmijët e lënduar në aksidentin në rrugën Prishtinë – Podujevë, jashtë rrezikut për jetë - NACIONALE

Fëmijët e lënduar në aksidentin në rrugën Prishtinë – Podujevë, jashtë rrezikut për jetë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

E PËRDITËSUAR (09:37)

Gjendja e dy fëmijëve të lënduar në aksidentin që ndodhi në rrugën Prishtinë – Podujevë, është jashtë rrezikut për jetë.

Lajmin e ka konfirmuar për gazetën Nacionale, doktori kujdestar Ejup Govori.

Ai ka thënë se njëri fëmijë është 5 e tjetri 3 vjeçar.

“Kanë pasur frakturë në ekstremitetin e poshtëm. Të gjitha kontrollet e nevojshme ua kemi bërë. Janë jashtë rrezikut për jetën”, ka thënë Govori për Nacionalen.

“Njëri është 5 e tjetri 3 vjet”, theksoi ai.

Gazeta Nacionale ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga kompania Dita që ishte e përfshirë në aksident, por që ata nuk janë përgjigjur.

Dy të vdekur e dy fëmijë të lënduar, detaje nga aksidenti tragjik në rrugën Prishtinë – Podujevë

Dy persona kanë mbetur të vdekur, e dy fëmijë janë lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur në rrugën Prishtinë-Podujevë. Më saktësisht në fshatin Sibovc.

Lajmin për mediat e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë së KosoVës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ajo ka bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur mes një autobusi dhe një veture, e cila ka qenë me targa të huaja.

“Rreth orës 04:40 kemi pranuar informatën se në rrugën Prishtinë – Podujevë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, një veturë (me targa të huaja) e cila ka qenë në lëvizje dhe një autobus. Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar katër persona, dy prej tyre nuk kanë arritë të përballojnë plagët dhe të njëjtit kanë ndërruar jetë”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti ka bërë të ditur edhe moshën dhe inicialet e personave që humbën jetën e u lënduan nga ky aksident.

“Ahmeti ka bërë me dije se viktimat janë një 35-vjeçare me inicialet M.S dhe një 36-vjeçar me inicialet Sh.S, derisa të lënduar kanë mbetur dy fëmijë”, ka thënë Ahmeti

Në anën tjetër, gazeta Nacionale ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes.

Forca të shtuara të Policisë e zjarrfikës shihen në vendin ku ka ndodhur aksidenti, duke e bërë largimin e veturës dhe autobusit.

Autobusi i përfshirë në aksident duket se i takon kompanisë “Dita”.

Deri më tash, nuk dihen ende arsyet që kanë dërguar deri te ky aksident tragjik.

Gazeta Nacionale ka tentuar të kontaktojë edhe me Emergjencën në QKUK për të kuptuar detaje rreth gjendjes shëndetësore të dy fëmijëve të lënduar, por që për momentin nuk ka përgjigje.

Policia e Kosovës ka bërë thirrje kohëve të fundit vazhdimisht, për kujdes në trafik.

Pas ardhjes së mërgimtarëve, është shtuar edhe qarkullimi i veturave, që ka ndikuar edhe në shtimin e aksidenteve.

Lajme të ngjashme