Cakolli: Vetëm qytetarët e Kosovës nuk kanë asnjë informacion për propozimin franko-gjerman
Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se të vetmit që nuk kanë asnjë informacion për propozimin franko-gjerman për dialogun janë qytetarët e Kosovës.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se në vend se të ketë një qëndrim të institucioneve dhe liderëve politik, qytetarët duhet të pozicionohen 'për' ose 'kundër' një marrëveshje eventuale me Serbinë.
“Në shumë qarqe ndërkombëtare, por edhe nga secili delegacion që po viziton Kosovën, po konfirmohet përkrahja për të ashtuquajturin propozim franko-gjerman për dialogun. Të vetmit që nuk kanë asnjë informacion zyrtar mbi këtë propozim janë qytetarët e Kosovës. Në vend se ne të kemi qëndrimin e institucioneve dhe liderëve tanë politik, neve na duhet që pozicionimin 'për' ose 'kundër' një marrëveshje eventuale ta bazojmë mbi deklarimet e emisarëve të dialogut”, ka shkruar ai.