"Anti-vlera": Përdhunimi i 11-vjeçares nxit konflikte të qytetarëve me vlera të ndryshme shoqërore - NACIONALE

"Anti-vlera": Përdhunimi i 11-vjeçares nxit konflikte të qytetarëve me vlera të ndryshme shoqërore

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Përdhunimi i një vajze të mitur nga pesë persona i nxori me të drejtë piskamën shoqërisë kosovare. Por, piskama menjëherë u politizua nga segmente të caktuara të shoqërisë që mbrojnë vlera të ndryshme shoqërore e të cilat megjithatë nuk përmendën fjalën kyçe në këtë mes "patriarkalitetin". Cilat ishin këto konflikte?

Historia e djeshme e dhunës seksuale ndaj 11 vjeçares në Prishtinë ishte më e ndryshme se rastet tronditëse të tjera. Tre nga katër të arrestuarit janë të mitur, çka e bën edhe më brengosëse gjeneratën e re të djemve kosovarë të lindur pas luftës.

Sidoqoftë, konfliktet shoqërore nga kampe të ndryshme vlerash vazhdojnë t’i japin rastit intepretime të përkundërta.

I.

Ish zv. Ministri i Punëve të Jashtme Anton Berisha reagoi ndër të parët duke i dhënë ngjyrim fetar rastit.

“Kur anë e mbanë vërshojnë promovimet e antivlerave, komercializime, ligjërime se mosha e pjekurisë së femrës mund të zbritet në 16, pastaj në 9 vjeç; atëherë bishat nuk e mendojnë dy herë vërsuljen, në Prishtinë kësaj here viktimë ishte vajza e shkretë 11 vjeçare.” shkroi ai duke nxitur reagime të ashpra nga komuniteti mysliman në vend.

Me ligjërimet në fjalë ai si duket e kishte fjalën për hoxhallarët në vendin tonë, që shpesh po ashtu kanë prodhuar reagime të shumta.

Në një status tjetër të shkruar në mëngjesin e sotëm si rrjedhojë e reagimeve të shumta që mori, Berisha provoi të arsyetohej duke shtuar “antivlera... janë ligjërime në rritje se femra është objekt e jo pjesë e barabartë e shoqërisë, që nuk ka moshë pjekurie të barabartë me gjininë mashkullore 18 vjeç, e kështu me radhë.”

II.

Në të njëjtën vijë argumentimi ishte edhe një aktivist i Vetëvendosjes me emrin Durim Elshani, që denoncoi hoxhën Enes Goga për disa deklarata të dhëna në platformën Twitter.

“Një tip me emrin Hoxhë Enes Goga para disa dite në një Space në Twitter thoshte që: vajza e arrin pjekurinë në moshën e pubertetit (11-15 vjeç dmth) e duhet me u mbulu për me ju dhanë mesazh djemve që mos ta ngacmojnë seksualisht. Pra, ky Enes Goga e shihte një fëmijë 11 vjeçar të gatshëm për veprimtari erotike, prandaj duhet në atë moshë me qenë e mbuluar thoshte ai,” – shkruante aktivisti.

III.

Ndërkohë, aktivistja Zana Avdiu ka shpërndarë një postim të një qytetari me emrin Ilir Avdiu që shprehej si vijon:

“Reaguan presidentja, kryeministri dhe liderët opozitarë. Gjithashtu shoqëria civile, gazetarë, profesorë të ndryshëm, por deri më tani nuk pashë reagimin e asnjë hoxhe.”

Deri më tash, nuk ka pasur ndonjë reagim nga ana e hoxhallarëve më të famshëm të vendit tonë.

Megjithatë, reagimet më të shumta ishin kundër institucioneve të vendit pasi u mor vesh se personi i vetëm i arrestuar i rrit (26 ose 27 vjeçar) kishte pasur edhe të tjera vepra penale por ishte lënë i lirë.

Gjatë ditës së nesërme është organizuar protestë kundër reagimit të ngathtë të institucioneve të vendit por edhe vlerave patriarkale të shoqërisë.

Lajme të ngjashme