Realiteti i patriarkatit në sytë e Kadaresë: Fejesa e 10-vjeçares, ndalja nga shkolla dhe biseda e armëve - NACIONALE

Realiteti i patriarkatit në sytë e Kadaresë: Fejesa e 10-vjeçares, ndalja nga shkolla dhe biseda e armëve

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Me vetëm pak fjalë në pak rreshta, kolosi i letërsisë shqipe, Ismail Kadare, me mjeshtëri artistike prek temën e patriarkatit, njëkohësisht tepër normale në shoqërinë shqiptare të shekullit të kaluar, e mjerisht, diku-diku, normale edhe sot.

Nacionale boton artikullin e parë të kësaj serie, fundin e romanit “Lëkura e daulles”, i cili përshkruan dasmën e Katrinës, ku për lexuesin bëhet i qartë edhe momenti kur Katrina 10-vjeçare, porsa kthehet nga shkolla, kupton se ajo ishte dita e saj e fundit në shkollë, si rezultat i patriarkalizmit.

Kjo, pasi babai i saj e kishte fejuar fëmijën. Ndërkohë që pushkët e varura në mur, garantonin se kjo fejesë do të përfundonte siç donin burrat.

Lotët me dënesë bëjnë që fëmija të bjerë në gjumë. E në ëndrrën e saj kërcënohet nga pushkët që shtyhen se kush do ta vrasë e para Katrinën, po t’i “koriste” ajo.

***

... u ktheva nga shkolla dhe kuptova se në kullën tonë kishin ardhur bujtës të largët. Isha dhjetë vjeç. Ngjita shkallët dhe pashë pushkët e varura në mure. Nga brenda dëgjoheshin bisedat e burrave. Nëna me një kushërirën tonë po çonin raki dhe meze matanë.

Nënë, çka janë këta? – pyeta.

— Për ty kanë ardhë, bijë, - tha ajo dhe më vështroi me dhembshuri.

— E pse, nënë?

— Po të fejojmë, të pastë nëna! Gëzohu!

Unë mbeta. E ndjeva turbull se filloi për mua diçka e zymtë dhe e gjatë.

— Prandaj ka ardhur dy-tri herë ai burri me lungë në qafë?

— Po, bijë, prandaj. Ai dhe sot ka ardhur.

— E njoha nga pushka. Ajo pushka e shkurtër është pushka e tij?

— Po, bijë. Ai është shkesi*.

Mua përsëri m’u rrokullisën lot të tjerë dhe nëna më përkëdheli flokët e më puthi në ballë.

Matanë vazhdonte biseda e burrave dhe dëgjohej tringëllima e qelqeve të rakisë. Çdo herë që tringëllinin gotat, unë ndieja se diçka brenda meje thyhej e bëhej copë-copë.

Ishte pasdite e zymtë. Jashtë frynte një erë e ngrohtë, që të merrte frymën. Unë rrija si e humbur pranë dritares dhe vështroja pushkët e varura në mur. I kisha dëgjuar shumë herë se si bisedonin pushkët me njëra-tjetrën, tek qëndronin të varura, me tytat poshtë. Ato tregonin për thirrjet “ah” përpara vdekjes, për njeriun e rrëzuar mbi ujin e burimit. Unë isha mësuar me bisedën e pushkëve, por këtë herë ajo ishte më e ngrysur dhe më e ftohtë.

“Uh, u plakëm”, thoshte njëra pushka e shkurtër.

“Po, për besë”, thoshte pushka e shkurtër.

“Cilin ke ndër mend të vrasësh?”, pyeti një maliher*.

Heshtje.

“Cilin ke ndër mend ta vrasësh?”, pyeti përsëri maliheri.

“Katrinën”, u përgjigj pushka e shkurtër.

“E pse?”

“Në qoftë se ajo bën ndonjë turp e na korit.”

“Në qoftë se ajo bën ndonjë turp e na korit, ka kush e vret!”, tha pushka e babës.

Pushkët një copë herë nuk folën. Tani filluan të pëshpëritnin me njëra-tjetrën shënjestrat, thepat, këmbëzat. Ato tregonin gjithfarë ngjarjesh të vogla, ndërsa pushkët heshtnin.

“Uh, u plakëm”, tha përsëri pushka me tytën më të gjatë.

“U bëmë si gratë. S’po qesim më tym.”

“Të ka marrë malli të qesësh tym?”

“E pse jo? Ne për atë punë jemi bërë, për të vrarë. Ne s’jemi parmenda*, që mbrehemi pas qeve, ne jemi pushkë.”

“Mjaft me marrëzira”, tha maliheri. “Kur të vijë dita për të qitur tym kundër armikut, të gjitha atë punë do të bëjmë.”

“Po prishen zakonet e lashta. Po merret nëpër këmbë kanuni i maleve, kurse ne po heshtim.”

“Tani ne kemi punë me armikun.”

“Ai që prish zakonin, është armik.”

“Përkundrazi.”

“Ti je i paftyrë”, tha pushka e shkurtër.

“Si the, bushtër?”, thirri maliheri.

Ato filluan të grindeshin ashpër dhe unë vija re se si tytat e tyre mundoheshin të ktheheshin kundër njëra-tjetrës, por kjo ishte krejt e pamundur, sepse mungonin duart e njerëzve që t’i drejtonin.

“Mjaft!”, thirri me zë të ngjirur pushka më e moçme. “S’ju vjen turp? U bëtë si gratë, kur grinden te pusi i fshatit”.

Pushkët murmuritën edhe një copë herë nëpër dhëmbë dhe pastaj prapë u bë heshtje.

Kisha më shumë se një orë që po dremitja. Kur burrat filluan të dilnin, u përmenda. Ata merrnin njëri pas tjetrit pushkët dhe, duke i hedhur në sup, iknin, pasi përshëndeteshin me babën.

Ikën të gjithë. Në mur mbeti e varur vetëm pushka e babës.

“Katrinë,” më thirri ai. “Eja këtu. Tani ti je e fejuar. Qysh nesër nuk do të shkosh më në shkollë.”

Unë ia plasa të qarit. Baba u nxeh. Ai ma rrëmbeu librin e këndimit, që nuk e di pse m’u gjend në duar, dhe e flaku në zjarr. Fletët filluan të digjeshin në zhurmë. U dogjën qytetet e bukura, trenat, fushat, ylberet dhe deti i kaltër.

Kështu mbaroi ajo ditë...

Berat, 1967

***

*shkesi – mesiti, mestari.

*maliher – Pushkë e vjetër, e gjatë e me pesë fishekë. Mbushi maliherin. Krisi maliheri.

*parmenda – Vegël bujqësore prej druri, që përbëhet nga përdheci me plor, veshëzat, doraku e shtiza, tërhiqet zakonisht nga një pendë qe dhe përdoret për të lëruar tokën.

Lajme të ngjashme