Akademia që po “shkatërron” stereotipet: Qysh po trajnohen çikat e gratë e Drenasit për programim? - NACIONALE

Akademia që po “shkatërron” stereotipet: Qysh po trajnohen çikat e gratë e Drenasit për programim?

1 vit më parë

nga Anita Nikaj

Në Drenas, një qytet i relativisht i vogël jo shumë larg Prishtinës, më shumë se 500 njerëz janë trajnuar për një vit në fushën e programimit (IT). “Flutura Academy”, që po aftëson kryesisht çikat dhe gratë e Drenasit, ka një mision më të madh: rikthimin e grave në programim, që në fakt, dikur ishte seksi dominues në këtë fushë.

Ndonëse ende kjo fushë është e mbisunduar nga burrat, gjuha e parë programuese është krijuar në vitin 1840 nga një grua e quajtur Ada Lovelace.

Nga këta 500 persona, të cilët tash e një vit janë duke u trajnuar falas në akademinë “Flutra”, janë vajza dhe gra te moshave të ndryshme.

Akademia pranon të gjithë njerëzit mbi moshën 10-vjeçe, gjersa plan-programi është i ndarë për fëmijët e shkollave fillore dhe për ata të shkollave te mesme.

Planprogramet dallojnë, i kemi te ndara për shkollat fillore dhe ato të mesme, ku për shkollat e mesme, programet janë më të avancuara. Mësohen bazat e programimit, dizajnit dhe rrjetave. Po ashtu, i mësojmë edhe gjuhët gjermane dhe angleze’’, tha koordinatorja e akademisë, Rina Shabani, për gazetën Nacionale.

Profesioni i programimit, apo siç njihet, IT, kryesisht është i fokusuar dhe orientuar për burra, mirëpo “Flutura Academy” është duke tentuar që ta ndryshojë këtë mendësi. Brenda akademisë është krijuar një grup që përbehet nga vajzat, i quajtur “FluturaOnStemp’’, që ka për qëllim që ta rris numrin e vajzave dhe grave në këtë fushë.

Kemi një numër në rritje të vajzave dhe grave që janë të interesuara për programim, kemi krijuar një grup, ‘’Flutura Stemp’’, i cili është duke avokuar me e rritë numrin e grave dhe vajzave në fushën e programimit”, tha Rina Shabani.

U drejtuam drejt një klase, ku ishin të gjitha vajza, pikërisht nga grupi “FluturaOnStemp’’, të cilat, përveç trajnimit që janë duke e marrë, kanë edhe qëllim që të sjellin sa më shumë vajza dhe gra të tjera në akademi.

Ato punojnë në fusha të ndryshme, që nga krijimi i gjërave më të thjeshta, deri te krijimi i një faqeje për shit-blerje në internet, e për të vazhduar te lojërat në internet, të cilat dinë të jenë goxha te komplikuara.

Entuziazmi i tyre shihej në mënyrën se si tentonin të më shpjegonin së çfarë kanë krijuar që ca muaj që gjenden në akademi.

Njëra nga vajzat po tregonte se si programimi ia ka ndërruar idenë e profesionit dhe atë se çfarë do të bëjë porsa ta përfundojë shkollën e mesme.

Për të ishte opsion që të bëhej mjeke, por tashmë ky mendim i ka ndryshuar, pasi në momentin kur e ka filluar kodimin, gjërat kanë marrë një botëkuptim tjetër, edhe pse më parë nuk e kishte idenë se çfarë është programimi.

Më herët kam dashur të bëhem mjeke, mirëpo kur kam filluar që të vij në “Flutura Academy”, kam vendosur që të merrem më programim’’, tha me zell të madh njëra nga vajzat, e cila për më pak se 6 muaj ka rritur që të krijojë një uebfaqe për shit-blerje në internet.

Pse pikërisht Drenasi, e jo qytetet e tjera me të mëdha?

Drenasi është qytetet relativisht i vogël, me një popullatë e cila është duke u zvogëluar vazhdimisht për shkak të migrimit në qytete më të mëdha e emigrimit jashtë vendit.

Si një person që vij nga Drenasi, nuk kam parë asnjëherë ndonjë mundësi që të qëndroj apo ndonjëherë të kthehem këtu për të jetuar.

Sidoqoftë, kjo akademi ka filluar të ma ndryshojë mendimin.

Prej fillimit e kemi parë një potencial të jashtëzakonshëm në Drenas’’, tha Shabani.

Më sa duket, ky potencial është shpërblyer, pasi 24 nxënës, të cilët e kanë kryer trajnimin në këtë akademi, kanë arritur që të punësohen në kompani të njohura për programim. Bëhet fjalë për fëmijë të moshës 15 deri 18-vjeçare, të cilët kanë arritur të futen në tregun e punës ende pa e mbaruar shkollën e mesme.

Përderisa njëra nga ligjërueset, Lirije Kastrati, filloi të më tregonte për gjuhët programuese, të cilat janë duke i ligjëruar momentalisht dhe për gjuhët të cilat në të ardhëm do të fillojnë ligjërimin, truri me bëri një “glitch” të vogël. Kjo pasi mua më dukej se ligjeruesja ishte duke folur në një gjuhë të cilën nuk kisha as idenë se çfarë ishte.

Porsa pa konfuzionin në fytyrën time, filloi të më tregonte në një gjuhë më të thjeshtë se për çfarë bëhej fjalë.

Ta themi më një gjuhë më të lehtë, ajo se çfarë mësojmë këtu fëmijët ka të bëjë më dizajnimin e ëebit, krijimin e lojërave për smartphone dhe kompjuter, dizajn grafik, gjuhë angleze dhe gjermane. Me fëmijët me të vegjël, zakonisht i mësojmë baziken e programimit, por kur vie fjala për fëmijët e shkollave të mesme, sigurohemi që të mësojmë gjuhë programuese të cilat do të iu ndihmojnë që të hyn sa më shpejt në tregun e punës, pasi që ky është qëllimi, që të i aftësojmë sa më shpejt për tregun e punës’’, tha Lirjeta Kastrati.

Ajo se çfarë është befasuese për ligjëruesit, është aftësia e këtyre fëmijëve për të kuptuar programimin në një kohë rekorde.

Këto vajzat të cilat kanë krijuar disa lojëra kompjuterike, janë aq të vështira së një profesionisti i duhet goxha kohë, ndërsa këto kane arritur që të krijojnë disa lojë të ndryshme për më pak se një muaj”, vazhdoi ajo.

Ndoshta, gjëja me themelore që e karakterizon këtë akademi, është se mbi 80% e stafit janë gra.

Akademia Flutura, nuk mendon që të qëndrojë vetëm në Drenas, ata kin synim që të zgjerohen edhe në qytetet e tjera. Mirëpo, ky zgjerim nuk mund të ndodh pa ndihmën e donatorëve dhe komunave përkatëse.

Drenasi është vetëm pikënisja, pasi që idea është që të shpërndahet në të gjitha qytetet e Kosovës, për atë arsye kemi vendosur që akademinë ta emërojmë Flutura, pasi që procesi metaformoz i rritjes së Fluturës, paraqet at procesin e rritjes se përgatitje profesionale të secilit individ’’, tha Shabani.

Akademia Flutura, ketë vit dhe vitin e ardhshëm, ka në plan që të bashkëpunoje edhe më shumë kompani të tjera vendore e ndërkombëtare varësisht nga nevojat e tregut.

E mbi të gjitha, ajo do të vazhdojë të tregojë se ideja që programimi është fushë e burrave është veç një mit i paqëndrueshëm.

Lajme të ngjashme