40 orë nga krimi që e tronditi vendin: I dyshuari për vrasjen e gruas shtatzënë në QKUK, ende në arrati - NACIONALE

40 orë nga krimi që e tronditi vendin: I dyshuari për vrasjen e gruas shtatzënë në QKUK, ende në arrati

1 vit më parë

nga Gentiana Hasani

Të mërkurën, vendi u trondit nga vrasja e 35-vjeçares Hamide Magashi nga ish-burri i saj, Sokol Halili. Hamidja u vra para dyerve të Klinikës së Gjinekologjisë së QKUK-së. Në këtë institucion, ajo ishte shtrirë të shtunën dhe po priste që me datë 1 dhjetor ta lindte foshnjën e saj. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:00 të mërkurën. E nga ajo kohë, autori i krimit, ish-burri i saj, vazhdon të jetë i pakapshëm për policinë.

Kanë kaluar gati 40 orë që nga vrasja makabre që ndodhi në oborrin e Gjinekologjisë së QKUK-së. Por Sokol Halili, i dyshuari për vrasjen e ish-gruas shtatzënë, Hamide Magashit, ende nuk ka rënë në prangat e policisë, edhe pse hetuesia, në momentin kur e ka identifikuar autorin e dyshuar për krimin, i ka nisur menjëherë veprimet policore për arrestimin e tij.

Por kjo gjë, pra arrestimi i tij, deri të premten në mëngjes nuk raportohet të ketë ndodhur ende.

Por të enjten pasdite, policia e gjeti veturën e të dyshuarit për krimin e rëndë. Vetura u gjet në Sheshin “Ahmet Shtimja” në Shtime. Me të, Sokol Halili besohet se ka ikur nga QKUK-ja.

Por çka dihet deri më tani për këtë krim monstruoz?

Për nëntë muaj ishte keqtrajtuar psikikisht e fizikisht. Hamide Magashi nuk u la e qetë gjatë gjithë periudhës së shtatzënisë së saj nga ish-burri. Dhunë pati edhe në momenetin kur ajo u shtri në spital për ta sjellë në jetë foshnjën që po e mbante në bark nga martesa me Sokol Halilin.

Për gjithë përjetimet e dhunës ndaj saj, ishin në dijeni zyrtarët e Policisë së Kosovës. Për Hamiden madje ishte lëshuar edhe një urdhër mbrojtjeje nga ana e Gjykatës Themelore të Ferizajt.

Por ky urdhër dështoi së zbatuari për tashmë të ndjerën.

Në anën tjetër, policia e ka shpallur në kërkim 31-vjeçarin dhe madje e ka kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve që mund të kenë informacione për vendndodhjen e tij.

Tronditja emocionale e shoqërisë tashmë po kthehet në një skandal të vërtetë institucional.

Deri më tash, duket se fajin e përgjegjësinë nuk po i merr askush, derisa vrasja e grave në Kosovë tashmë është shndërruar në dukuri.

Familja e së ndjerës: Motra ka pasur dhunë të vazhdueshme nga ish-burri

Familjet e viktimës dhe të dorasit të dyshuar për vrasjen në oborrin e Gjinekologjisë së QKUK-së kanë folur tashmë për medie. Motra e viktimës Hamide Magashi, Burbuqe Brahimi, ka rrëfyer për dhunën e vazhdueshme që motra e saj po e përjetonte nga ish-burri Sokol Halili.

“Si thanë "35-vjeçare u vra dhe në muajin e fundit të shtatzënisë", e kom ditë që është motra jem dhe kom piskatë e kom thanë se është motra jem. Kom thanë se e paska vra ish-bashkëshorti i saj”- ka thënë Burbuqe Brahimi, motra e së ndjerës.

Ajo ka treguar se martesa e motrës se saj ka zgjatur vetëm tre muaj, duke e shpjeguar në hollësi edhe dhunën ndaj saj.

“U kanë e martume tre muaj, pas tre muajve ka pasë dhunë familjare dhe jemi detyruar me e ndalë, me djalin e mixhës së babës, që është polic. E kanë rrehë, e kanë maltretu, e kanë shti mrena. Me çykë të alltisë i kanë m'shu në krye, krejt trupin e ka pasë blozhdë, krejt e mavit u kanë. Nuk e kanë lanë më ardhë kurrë në Llugaxhi, të shpija e babës, me u bashku me motra”- deklaroi ajo.

U konfirmua se 35-vjeçarja kishte urdhër mbrojtjeje

Gjykata Themelore në Ferizaj ka konfirmuar se gruaja shtatzënë, e vrarë të mërkurën mbrëma në QKUK, kishte urdhër mbrojtjeje. Sipas njoftimit të gjykatës, urdhri mbrojtës ishte në fuqi deri në muajin mars të vitit 2023. Nacionale shpjegon në mënyrë të përmbledhur se çka thotë ligji lidhur me urdhrin mbrojtës.

Kush e lëshon e kush duhet ta zbatojë urdhërin e mbrojtjes?

Ligji për Mbrojtje nga Dhuna në Familje është mekanizmi me anë të së cilit shteti obligohet ta mbrojë viktimën.

Për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, i cili qëllime i ka parandalimin e dhunës në familje, mbrojtjen e personit që i është ekspozuar dhunës, kompetente është gjykata. Në rastin konkret, Gjykata Themelore e Ferizajt, duke u thirrë në nenet 13 dhe 14 të këtij ligji, e ka lëshuar një urdhër të tillë.

Nenet 13 dhe 14 flasin për mënyrën e paraqitjes së kërkesës për urdhër mbrojtës ose urdhër mbrojtjeje emergjente.

Në raste të tilla, kur dhuna shkaktohet brenda një familjeje dhe brenda vendbanimit të njëjtë, ligji, ndër të tjera, parasheh që viktima duhet të paraqesë një adresë alternative, për çka gjykata, nëse është e nevojshme, atë adresë e mban në dosje të mbyllura.

Lajme të ngjashme