"Trupin e mavijosur”, “S’u kanë djalë problematik” - familja e viktimës dhe e vrasësit me rrëfime të ndryshme
Familja e viktimës dhe e dorasit të dyshuar për vrasjen në oborrin e Gjinekologjisë së QKUK-së kanë folur tashmë për media. Motra e viktimës Hamide Magashit, Burbuqe Brahimi, është rrëfyer para mediave. Ndërsa, Halil Halili, babai i Sokol Halilit, i dyshuar për vrasjen e zonjës Magashi, është deklaruar për gazetën Nacionale pak orë parë.
Dy rrëfime me dy narrativa të ndryshme, kontradiktore. Familja e viktimës ka treguar skena të dhunës së tmerrshme, që sipas tyre, janë ushtruar në vazhdimësi ndaj zonjës Magashi, që gjeti vdekjen dje.
Burbuqe Brahimi tregoi për dhunën që e ushtronte i dyshuari për vrasje, duke përmendur edhe përdorimin e mjeteve të rënda për rrahje si “qykë të alltisë”.
Në anën tjetër, babai i dorasit të dyshuar i tha gazetares së Nacionales, Gentiana Hasanit, se nuk kanë pasur probleme me të renë e ndjerë. Madje, ai tha se djali i tij nuk ishte problematik, ndoënse permendi disa probleme të cilat tha se qenë “ca fjalë”.
Deklarata e motrës
Motra e Hamide Magashit ka rrëfyer tmerrin që ka përjetuar viktima gjatë kohës sa ishte e martuar. Ajo ka treguar edhe raportet ndër-familjare, duke rrëfyer gjëra shumë shqetësuese.
Burbuqe Brahimi ka deklaruar se motra e ndjerë ka përjetuar vazhdimisht dhunë të tmerrshme të ish-burri.

“Si thanë 35 vjeçare u vra, dhe në muajin e fundit të shtatzënisë, e kom ditë që është motra jem dhe kom piskat e kom thanë se është motra e jem. Kom thanë se e paska vra ish-bashkëshorti i saj”, ka thënë ajo para mediave.
Ajo ka treguar se martesa e motrës se saj ka zgjatur vetëm 3 muaj, duke shpjeguar në detaje edhe dhunën ndaj saj.
“U kanë e martume 3 muaj, pas 3 muajve ka pasë dhunë familjare dhe jemi detyruar me ndal, me djalin e mixhës së babës, që është polic. E kanë rreh e kanë maltretu, e kanë shti mrena. Me çykë të alltisë i kanë meshu në krye, krejt trupin e ka pasë blozhd, krejt e mavit u kanë. Nuk e kanë lanë më ardhë kurrë në Llugaxhi, të shpija e babës, me u bashku me motra”, deklaroi ajo para gazetarëve.
Madje, ajo tregoi se i ka vërejtur problemet e para.
“Problemet e para i kemi vërejtur, kur e thirrshim na motra për e ardhë me njetë, ajo na e çelke telefonin dhe thojke motër nihemi nesër. Ja bajshim, motër çka ki, thojke hajt se të kallxoj nesër dhe nuk na kallxojke. Pas një kohe, me motra jemi shku me e marrë, i kemi thanë hajde se jemi bashku krejt motrat, nuk na e kanë lëshu. Jemi detyru me ardhë të shpija. Mas dy jave, i kemi thanë motër hajde rrina, ajo ka thanë jo nuk mujë. Edhe kur ka ardhë ka ardhë me përcjellje, me vjehrrën e vet. Kurrë nuk e kanë lanë me ardhë vetë”, theksoi ajo.
Çka tha babai i dorasit të dyshuar?
Halil Halili, babai i të dyshuarit për vrasjen e gruas shtatzënë në QKUK, foli ekskluzivisht për Nacionalen, duke treguar për gjendjen në të cilën është familja e tij pas kësaj ngjarje.
Ai i tha gazetares së Nacionales, Gentiana Hasani, se është i mërzitur me rastin, duke theksuar që ky të jetë rasti i fundit.

“Jam i mërzitur, jam i nervozuar shumë. Shumë keq, shumë keq, shumë keq. E kam një mesazh, ishalla kurrë nuk ndodh kësi raste të rënda, të keqia, të liga, se jam shumë i mërzitur. Hiç nuk di sen për ta, ma mirë ai me pasë dekë me gjithë ta masi e ka vendos me bo ata, edhe ai me pasë metë qaty. Hiç s’du me pa, as mem marrë kohë, shumë keq ka bo, shumë keq, tash me gru s’po dijmë çka me bo." - theksoi ai.
Ai tregoi se ka tentuar të komunikojë me djalin e tij, që po vazhdon të jetë në kërkim, por i njëjti, sipas babait të tij, nuk e ka hapur telefonin dhe as nuk ka kthyer përgjigje në mesazhet e dërguar.
“E kam thirrë çdo orë, çdo minutë, kam shkru mesazhe. Ai s’u kanë problematik kështu kurrë, as s’u dalë nëpër kafe kurrë, as s’u ardh mas vakti kurrë. As nji send s’ma ka kthy” – theksoi Halili për Nacionalen.
Ai ka treguar se e ka takuar dje gruan shtatzënë, e cila dyshohet se u vra nga djali i tij, Sokoli.
“Na jemi kanë pardje, me ja çu teshat, unë, plaka jeme, çika jeme, edhe ja kanë çu teshat. Edhe i kanë thanë a të vyjnë pare për naj nevojë, najsen. “Jo” ka thanë, “nuk më vynë kurgjo”. Edhe ma s’di çka foli për këtë punë ma sen.” – theksoi Halili.
Halili ka thënë se ka pasur raporte të mira me të renë, por ka treguar se çifti kishte pasur probleme.
“Valla me neve fort mirë, sikur me çikën tonë. Kanë pasë problem qysh ka kallxu Sokoli si ka metë shtatzanë, i kishin pas do fjalë, do sene, ma thellë nuk di çka me thanë.” – përfundoi Halili.
Ndryshe, Sokol Halili, i dyshuar për vrasje, ende është në arrati, teksa vetura e tij tashmë është gjetur e parkuar në një shesh të Shtimes.


