40 mijë euro dëme në fabrikën e djegur, kosovarët në hall me plumbat qorr: Çka raportoi sot e dje Policia?
Pas mesnatës, kur edhe hymë në vitin 2023, në polici janë raportuar dhjetra raste të lëndimeve e dëmeve nga plumba bredharak, ka pasur raste të dhunës, ndërkaq, është djegur edhe një fabrikë në Ferizaj, ku dëmi parashihet të jetë rreth 40 mijë euro. Çka raportoi policia për dy ditë “feste”?
Fillimisht, 45 minuta pas mesnatës, pra më 1 janar 2023, në QKUK është dërguar për tretman një vajzë, e cila është lënduar nga plumbi bredharak dhe rasti po hetohet.
Në Prishtinë po ashtu, një person ka informuar policinë se vetura e tij është dëmtuar nga një plumb qorr, ndërsa policia ka konfiskuar një predhë në vendin e ngjarjes.
Tri raste të tjera në Prishtinë, janë raportuar për dëme të veturave, pikërisht nga plumbat qorr.
“Rr. Zhan Zhak Ruso, Prishtinë 31.12.2022 – 01.01.2023 - NN. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se i është dëmtuar automjeti i tij, dyshohet nga një plumb qorr. Në vendin e ngjarjes policia ka konfiskuar një predhë. Rasti është duke u hetuar.
Rr. Marie Shllaku, Prishtinë 31.12.2022 - NN. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se i është dëmtuar automjeti i tij, dyshohet nga një plumb qorr. Në vendin e ngjarjes policia ka konfiskuar një predhë. Rasti është duke u hetuar.
Rr. Mehmet Akif Ersoy, Prishtinë NN. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se i është dëmtuar automjeti i tij, dyshohet nga një plumb qorr. Në vendin e ngjarjes policia ka konfiskuar një predhë. Rasti është duke u hetuar.” – ka bërë të ditur policia e Kosovës.
Në rrugën Ilir Konushefci, fiks në orën 00:00 të 1 janarit, policia pas disa të shtënave me armë zjarri, ka sekuestruar 36 copë gëzhoja të kalibrave të ndryshëm.
Një rast tjetër ka ndodhur në Prishtinë, ku një person është ankuar se nga një drejtim i panjohur, në shtëpinë e tij ka depërtuar një plumb bredharak, derisa nuk raportohet për persona të lënduar.
Në Hajvali të Prishtinës, një person është goditur nga plumb bredharak, me ç’rast është dërguar për trajtim në QKUK.
Rreth orës 02:00 të 1 janarit, në rrugën “Bekim Fehmiu” në kryeqytet, është raportuar edhe për një rast tjetër të dëmtimit të veturës nga plumbi bredharak.
Në Fushë-Kosovë, policia ka arrestuar një person pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes, duke mos e lejuar të shkojë te familja e saj. I njëjti, është ndaluar për 48 orë.
Një tjetër rast dhune është regjistruar në Prishtinë. Një person ka tentuar ta sulmojë fizikisht nënë e tij, dhe pas trajtimit në Klinikën e Psikiatrisë, është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Një aksident trafiku me fatalitet ka ndodhur në Prishtinë më 31 dhjetor, ku një person, pasi ishte aksidentuar dhe pas trajtimit në QKUK, ka ndërruar jetë.
Dy raste të gjuajtjeve me plumba bredhacak kanë ndodhur në Gjilan, ku është dëmtuar një veturë dhe dritarja e një shtëpie. Për rastin e dytë, dyshohet se të shënat kanë ardhur nga një automjet në lëvizje.
“Janë arrestuar dy të dyshuarit meshkuj kosovar të cilët për shkak të një mosmarrëveshje njëri prej tyre e kishte sulmuar fizikisht tjetrin i cili si pasojë ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari i lënduar në stacion policor e kishte kanosë të dyshuarin tjetër. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.” – ky rast ndërkaq, sipas policisë së Kosovës, ka ndodhur në Ferizaj.
Në Shtime, policia e ka dërguar në mbajtje për 48 orë një person që ka sulmuar fizikisht dhe e ka kanosur, bashkëshorten e tij.
Një ngjarje e tmerrshme ka ndodhur në Ferizaj, 34 minuta pas ndërrimit të moteve, ku është djegur në rrethana të panjohura një fabrikë. Vlera e dëmit, sipas policisë, dyshohet të ketë qenë rreth 40 mijë euro.
“Ankuesi mashkull K/Shqiptar ka raportuar se në rrethana të panjohura nga zjarri i është përfshirë fabrika e stiroporit ,, Al For’’. Njësit përkatëse dhe zjarrfikësit kanë dalur në vendi e ngjarjes dhe kanë shuar zjarrin. Vlera e demit sillet rreth 40000€, nuk raportohet për lëndime në njerëz.” – ka thënë policia rreth këtij rasti.
Në Prizren po ashtu, është raportuar se nga një plumb bredharak është dëmtuar vetura e një personi.
“Pas disa të shtënave me armë zjarri policia në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe sekuestruar 68 copë gëzhoja të kalibrit 9mm. Rasti në procedurë hetimore.” – ky rast ndërkaq, ka ndodhur në Gjakovë.
Në Vushtrri, është tentuar që të plaçkitet një bankë, por që të dyshuarit, nuk kanë arritur t’i vjedhin paratë. Policia nuk ka dhënë më shumë detaje rreth këtij rasti.
Policia kufitare dhe ajo në rajonin e Mitrovicës së Veriut, ka thënë se: “Nuk ka asgjë me rëndësi për t’u raportuar”.
Të gjitha këto ngjarje, janë konfirmuar në raportin e Policisë së Kosovës publikuar më datë 2 janar 2023.
Çka raportoi dje policia?
Rreth orës 00:00, të datës 31 dhjetor 2022, Policia e Kosovës ka arrestuar një të dyshuar në Prishtinë, pasi që i njëjti ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.
“Sipas viktimës në të kaluarën i dyshuari ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj, mirëpo e njëjta nuk e ndien veten të rrezikuar dhe nuk dëshiron urdhër mbrojtës. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.” – thuhet në raport.
Dy meshkuj, janë rrahur mes vete në Prishtinë, pas një mosmarrëveshje rreth një shume parash.
“Të njëjtit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, tre prej tyre janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje ndërsa dy të dyshuarit tjerë janë liruar.” – ka bërë të ditur policia e Kosovës.
Ndërkaq, një vajzë në Prishtinë ka raportuar në polici rreth orës 17:45 të natës së kaluar, se është sulmuar fizikisht nga tre të dyshuar meshkuj. Të njëjtit, janë intervistuar, dy prej tyre janë dërguar në mbajtje.
Një ngjarje e frikshme ndërkaq, ndodhi vetëm pak larg Prishtinës, në Fushë-Kosovë. Si pasojë e hedhjes së fishekzjareve, një banesë atje u dogj, por fatmirësisht, nuk pati viktima vetëm dëme materiale.
Rreth orës 19:30 ndërkohë, një person nga Prishtina ka raportuar në polici se persona të panjohur kanë hyrë brenda shtëpisë së tij, dhe kanë tentuar të kryejnë vjedhje, por nuk kanë arritur të vjedhin asgjë. Rasti, po hetohet.
Në Kaçanik, rreth orës 17:00 ka ndodhur një aksident trafiku, ndërsa 5 persona janë dërguar në emergjencën e Feriyajt, për të marrë trajtim mjekësor.
Mosmarrëveshja gjatë ngasjes së veturave, shkaktoi përplasje mes katër personave në Suharekë, të cilët e kanosën njëri-tjetrin, madje njëri, ekspozoi edhe një revole.
“Dy nga të dyshuarit kanë qenë nën ndikim të alkoolit. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që rasti të procedohet në procedurë të rregullt.” – ka bërë të ditur policia rreth këtij rasti.
Një rast vjedhje ka ndodhur edhe në qytetin e Pejës, ku një punëtor i postës së shpejtë ka raportuar se pasi i ka dërguar porosinë një të dyshuari, i njëjti ka marrë dy telefona nga kutitë, dhe ka kthyer dy kuti të thata.
“I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.” – thuhet në raportin e policisë.
Në Zubik Potok në veri të Kosovës, një person ka raportuar në Polici se disa persona të panjohur kanë dëmtuar xhamin e objektit të Qendrës Rinore, dhe se rasti, është në procedurë hetimore.
Policia përmes një komunikate për media, ka thënë se sipas raportimeve që kanë pranuar nga Drejtoritë Rajonale Policore, nata e Vitit të Ri, kaloi kryesisht e qetë, megjithëse në disa vende, janë raportuar incidente me lëndime trupore dhe dëme material, si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike.
“Nuk është raportuar asnjë rast apo incident me fatalitet, përfshirë këtu edhe aksidentet rrugore.” – ka bërë të ditur tutje policia.



