Rrena e vitit: Besnik Bislimi në Strasburg - NACIONALE

Rrena e vitit: Besnik Bislimi në Strasburg

3 vjet më parë

nga Leonitë Demaku

Politikanët e vendit, por edhe ata ndërkombëtarë, shpesh akuzohen për ndryshim të qëndrimeve, fshehje të detajeve, madje edhe për gënjeshtra. Për këtë të fundit, më së shumti akuzohen nga opozitarët. Por, këtë vit, kemi parë se si një zyrtar i lartë evropian, del dhe publikisht e përgënjeshtron një zëvendëskryeministër kosovar. Një fjali me 24 shkronja, do ta nxirrte në pah një skandal diplomatik të Kosovës, dhe atë, që kemi vendosur ta konsiderojmë “rrenën e 2022-ës”. Çka ndodhi më 10 mars të këtij viti?

Për aq kohë punë në media, vitin 2022 mund ta konsideroj me më së shumti zhvillime politike, duke nisur nga liberalizimi e vizave, intensiteti i dialogut, sidomos nga gjysma e dytë e këtij viti, aplikimi në Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian e shumë të tjera.

Mes këtyre ngjarjeve, nuk kishte si të mos qëndronte një person që e mban një pozitë mjaft të rëndësishme në qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti.

Rrena e Bislimit

Zëvendëskryeministrin dhe kryenegociatorin në dialogun me Serbinë, përveç për diskutimet për problemet e tij me gjumë për shkak të “punës së madhe”, do ta kujtoj edhe për një rrenë.

Ishte ky zhvillim i 10 marsit 2022, dhe një demant që iu bë atij. Unë thjesht nuk po mund ta besoja atë që po e lexoja.

Një ditë para kësaj date, z.Bislimi do të takohej në Strasburg të Francës me zëvendëssekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Bjorn Berge.

Takimi, ashtu siç u paraqit nga zëvendëskryeministri, kishte të bënte pikërisht me çështjen e përmendur më lartë, pra anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

“Kënaqësi ta takoj Bjorn Berge përgjatë qëndrimit tim në Strasburg, i cili mirëpriti iniciativën e Kosovës për të aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Diskutimi ynë u përqendrua edhe në theksimin e progresit të lavdëruar të Kosovës, reformave dhe harmonizimit me vlerat evropiane dhe politikat e jashtme.” – do të shkruante z.Bislimi në Twitter.

Një ditë më vonë, z.Berge do të bënte një deklaratë, që do të shkaktonte tepër shumë reagime dhe mua personalisht, e shumë kolegë gazetarë që po punonin gjatë asaj kohe, do të na linte të habitur.

Zyrtari evropian do ta demantonte publikisht Bislimin, duke thënë se ajo që u paraqit nga zëvendëskryeministri ynë, nuk ishte çka u deklarua rreth aplikimit të Kosovës në KiE.

“Ky fatkeqësisht, nuk është një përshkrim i saktë i asaj që deklarova në takim në lidhje me aplikimin e mundshëm për Këshill të Evropës.” – kishte thënë ai.

Në po të njëjtën ditë, Lidhja Demokratike e Kosovës kishte dalë me një konferencë për media, ku ishte kërkuar dorëheqja e z.Bislimit.

Atë kohë, zëdhënësja e partisë, Sibel Halimi, kishte thënë se ky është “skandal diplomatik që duhet trajtuar me urgjencë”

“Marrë parasysh që qeveria vjen nga një pushtet që prodhon skandale të vazhdueshme, mundohemi të trajtojmë me urgjencë skandalin diplomatik të zv.kryeministrit Besnik Bislimit në takim me zv.sekretarin e përgjithshëm Këshillit të Evropës, Bjorn Berge…” – kishte thënë ajo.

Si u arsyetua zv.kryeministri, dhe kryeministri?

“Nuk jam zëvendësministër i Twitter-it…” – kishte thënë mes tjerash në arsyetimin e tij z.Bislimi.

Por ai kishte pretenduar se nuk ishte përgenjështuar nga z.Berge, pasi veç ishte “përmirësuar një term”.

“Unë mund të them se prej të gjitha takimeve në Strasburg, takimi më i mirë dhe më produktiv ka qenë me z.Berge. Më duhet të ju përgënjeshtroj kur thoni që z.Berge ju ka përgënjeshtruar. Ai nuk më ka përgënjeshtruar, por vetëm e ka përmirësuar një term.” – kishte thënë ai.

Megjithatë, çka tjetër nënkupton pjesa e fjalisë “...ky nuk është një përshkrim i SAKTË”, përpos përgenjështrimit.

Le të flasim për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pasiqë edhe ky kishte folur rreth kësaj situate, që nga shumë po konsiderohej si skandal diplomatik.

“...qëllimi ka qenë i mirë”, thoshte Kurti derisa fliste për cicërimën e shpërndarë. Megjithatë, ky qëllimi i mirë i z.Bislimit shkaktoi një skandal diplomatik dhe për më pak, u përgënjështruam në sy të “Twitterit”.

Kur është formuluar ai tweet, nuk kanë qenë fjalët e duhur, ai ka kërkuar falje, e ka bërë korrigjimin, qëllimi ka qenë i mirë, dhe mbi të gjitha ai takim ka qenë shumë i mirë. Më vjen shumë keq që takimi më i mirë që ka pasur zv/kryeministri është përfolur për të keq.” – kishte deklaruar atë kohë Kurti në RTK.

Rrena në Strasburg, ky ishte një zhvillim kur ne gazetarët, nuk kishim nevojë të nisnim emaila, të bënim telefonata për të konfirmuar informatën. Ishte gjithçka aty, e shkruar qartë dhe anglisht.

Vitin tjetër, na pret shumë punë sa i përket politikës së jashtme, e ne ndërkohë, presim sa më pak rrena.

Lajme të ngjashme