2022-ta në Kosovë me shumë mysafirë - statistikat tregojnë numër të lartë të vizitorëve - NACIONALE

2022-ta në Kosovë me shumë mysafirë - statistikat tregojnë numër të lartë të vizitorëve

1 vit më parë

nga Flakon Demaku

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar statistikat e hoteleve për muajin maj.

Statistikat tregojnë se në muajin maj ka pasur një numër të madh të vizitorëve në hotelet e Kosovës.

Sipas Statistikave të Hotelerisë në Kosovë për muajin maj 2022, të publikuar nga ASK, rezulton se 32 mijë e 444 individë kanë vizituar hotelet gjatë kësaj kohe.

Në matjet e ASK-së del se 62.88 për qind prej tyre ishin të huaj dhe 37.12 për qind ishin banorë të vendit.

“Në maj 2022 pjesë e anketës ishin 206 hotele, që ushtrojnë veprimtari hoteliere në territorin e Kosovës. Sipas anketës, numri i vizitorëve (vendorë dhe të huaj) ishte 32 444, prej të cilëve 37.12% ishin vendorë dhe 62.88% ishin të jashtëm, ndërsa numri i net-qëndrimeve ishte 50 247, prej tyre 32.10% nga vendorët dhe 67.90% nga të huajt” - njofton ASK-ja.

Në muajin maj të vitit 2021, Kosova numëronte 13 mijë e 322 vizitorë të jashtëm, ndërsa në muajin e njëjtë të këtij viti, Kosova numëron rreth 7 mijë e 80 vizitorë më shumë.

Numrin më të madh të vizitorëve dhe net-qëndrimeve të tyre e ka rajoni i Prishtinës me 15 mijë e 223 vizitorë dhe 24 mijë 358 net-qëndrime.

  1. Numri i vizitorëve dhe netqëndrimet e tyre për periudhat 2021 dhe 2022 - ASK.

“Numrin më të madh të vizitorëve dhe net-qëndrimeve të tyre e ka rajoni i Prishtinës me 15 223 vizitorë dhe 24 mijë e 358 net-qëndrime. Numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në Prishtinë, Prizren, Pejë e kështu me radhë.

Sa u përket vizitorëve të huaj numri më i madh ishte nga Shqipëria me 3 mijë e 175 vizitorë dhe 5 mijë e 705 net-qëndrime, Zvicra me 1 mijë e 857 vizitorë dhe 2 mijë e 989 net-qëndrime, Gjermania me 1 mijë e 749 vizitorë dhe 3 mijë e 207 net-qëndrime, etj.

Këtë vit, me rikthimin e “Sunny Hill” pas një pauze si rezultat i pandemisë COVID-19, edicionit të 14 të Manifestës dhe shumë festivaleve të tjera, numri i vizitorëve në vendin tonë për vitin 2022 është tejet i lartë.

Madje Manifesta kishte nisur një fushatë në të cilën u është kërkuar qytetarëve që të vënë në dispozicion dhoma në shtëpitë e tyre për pjesëmarrësit, pasi pritet që deri në fund të Bienales të marrin pjesë mbi 100 mijë turistë të huaj.

Lajme të ngjashme