Fluks turistësh nga e mbarë bota - ngjyrimi që Manifesta ia solli Prishtinës - NACIONALE

Fluks turistësh nga e mbarë bota - ngjyrimi që Manifesta ia solli Prishtinës

1 vit më parë

nga Anita Nikaj

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, nuk ka shumë për të ofruar për turistët e huaj, e në shumë raste as për ata vendas. Pa ndonjë atraksion turistik për të tërhequr turistët nga jashtë, Kryeqyteti këtë verë ka marrë një ngjyrim tjetër.

Zymtësisë së betonit dhe mungesës se atraksioneve turistike, Bienalja Manifesta ia ka dhënë sadopak një ngjyrim, si rrallëherë.

Rrugët janë të mbushura me instalacione artistike, po ashtu dhe hapësirat publike të cilat tash e 23 vite janë lënë pas dore nga institucionet lokale. Një fluks i madh i turistëve të huaj dhe vendas që kanë ardhur për t’u bërë pjesë e Manifestës, ka gjallëruar qytetin.

Mirëpo nuk është vetëm Manifesta. Edhe ardhja e diasporës dhe festivali Sunny Hill, bëjnë që në Prishtinë të pritet që vetëm gjatë muajit gusht të vijnë qindra vizitorë.

Sot Nacionale ka vizituar disa nga hotelet dhe hostelet e Prishtinës, për të parë se sa po përballohet fluksi i turistëve.

Grupi

“Vikendin e kaluar kemi pasur një fluks të madh, nga të gjitha shtetet e Evropës, por edhe nga SHBA. Mund të them se më shumë se 90% e mysafirëve në hotelin tonë kanë qenë nga Manifesta”, tha Afërdita nga Hoteli Royal, i cili gjendet në qendër të qytetit.

Hotelet e hostelet nuk janë më i vetmi opsion për turistët. Tashmë përmes një aplikacioni të quajtur ‘Airbnb’, qytetarët e kryeqytetit kanë vendosur në shfrytëzim banesat e tyre personale, ku për një shumë të konsiderueshme parash, mund të qëndrosh një natë apo edhe më shumë.

Çmimet variojnë nga 20 euro deri në 150, në varësi se sa persona mund të akomodohen brenda shtëpisë apo apartamentit.

Me një shfletim në internet mund të shohësh datat, lokacionin, çmimin, si dhe kushtet që i ofron një hapësirë e tillë private.

Ylli, një nga personat që ka dy apartamente në dispozicion gjatë tërë vitit, për Nacionale ka thënë se nga fundi i gushtit e deri në fillim të shtatorit nuk e ka asnjë datë të lirë.

“Po, ka ndiku shumë Manifesta. Që prej prill-maj, të gjitha datat i kam të zëna, për tërë verën. Ndoshta edhe lokacioni po e bon punën e vet, masi jemi në qendër, mirëpo asnjëherë nuk kam pasur fluks të tillë. Mos me ia lanë krejt Manifestës, se edhe diaspora kur vinë zakonisht e marrin për një natë ose dy, për arsye se e kanë më të lehtë me dalë deri vonë e mos me vozitë deri në Gjakovë ose Prizren në ora 4 të mëngjesit.”

Mirëpo kjo situatë, nuk po qëndron njëjtë me të gjitha hotelet. Në një hotel në qendër të qytetit, të cilët nuk dëshiruan të identifikoheshin, thanë që nuk kanë turistë për momentin.

Manifesta ka zhvilluar një fushatë ku ka kërkuar që qytetarët të lirojnë dhomat e shtëpive të tyre për pjesëmarrësit, pasi sipas tyre pritet që deri në perfundim të Bienales të marrin pjesë mbi 100 mijë turistë të huaj.

Ndërsa Fitorja, menaxhere në Inn Hotel, ka treguar per Nacionale se mysafirët e Manifestës kanë filluar të vijnë në hotelin e tyre që nga janari.

“Normal Manifesta ka tërhjekur turistë evropianë, por edhe të Ballkanit përreth. Përveç nga Gjermania, Anglia, Franca, kemi pasur edhe turistë nga Bullgaria, Kroacia, Shqipëria, të cilët kanë ardhur për Manifestën. Rezervimet zakonisht i bëjnë direkt në faqen tonë që e kemi. Tash javën tjetër dhe javët në vazhdim kemi vërejtur rezervime të cilat kanë të bëjnë direkt me Manifestën. Deri më 7 gusht kur përfundon Sunny Hill, të gjitha dhomat i kemi te zëna.”

Hotelet nuk janë të mbushura sa kemi pritur, tha Afërdita nga Royal Hotel, pasi sipas saj, personat të cilët janë duke marrë pjesë në Manifestë janë më shumë “free spirit” , dhe nuk e kanë nevojën që të pushojnë në hotele luksoze.

“Pjesëmarrësit e Manifestës janë më shumë artista. Në fillim ka qenë fluksi derisa e kanë kuptu dhe janë njoftu me qytetin. Ata janë ma “free spirit”, nuk e kanë problem me fjetë edhe në park. Kemi pasur fluks, do të kemi edhe në muajin gusht. Mirëpo si hotele gjithmonë kemi pasur pushues nga jashtë, shumë pak nga Kosova. Por, e ka bërë edhe jo, se tashmë janë më shumë se 150 hotele dhe motele në tërë Prishtinën, ku konkurrenca është e madhe.”

Për Prishtina Hotel, Manifesta nuk ka luajtur ndonjë rol të madh në klientelën e tyre, pasi që edhe vitin e kaluar kanë pasur pothuajse të njëjtin numër të klientëve, pasi që hoteli i tyre ofron edhe shërbime te tjera.

“Zakonisht muajt korrik edhe gusht, janë gjithmonë plot me pushues. E njëjta ka ndodhur edhe vitin e kaluar. Këtë vit kemi edhe mysafirë nga Manifesta, mirëpo për neve është gjithmonë e njëjtë gjatë kohës se verës, pasi që kemi edhe salla të konferencave dhe atraksione të tjera brenda hotelit”, tha Besa.

Shumica e hosteleve dhe hoteleve u pajtuan se Manifesta dhe Sunny Hill kanë ardhur si një infuzion për ta, sidomos pas pandemisë kur numri i turistëve ka rënë.

Gazeta Nacionalene ditët në vazhdim do të qëndrojë edhe në kafiteritë e Prishtinës, për të parë nëse këto dy festivale kanë ndikuar në punën e tyre.

Lajme të ngjashme