Zyrtari i lartë amerikan nesër në Kosovë: E takon Osmanin, por jo edhe Kurtin - NACIONALE

Zyrtari i lartë amerikan nesër në Kosovë: E takon Osmanin, por jo edhe Kurtin

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Ndihmës Sekretari për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, Todd D. Robinson nesër vjen në Kosovë. Për dallim nga para 9 muajsh kur kishte tensione në veri dhe ky zyrtar anuloi vizitën, ai pritet të qëndrojë në Prishtinë.

Nga agjenda shihet se do të ketë takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Kurse, në Shqipëri do të takohet me kryeministrin Rama.

Ndihmës sekretari në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson, do të udhëtojë për në Tiranë, Shqipëri nga data 18 deri më 20 mars ku do të takojë kryeministrin Edi Rama dhe partnerët e INL-së të cilët mbështesin punën e Shqipërisë në forcimin e sundimit të ligjit, luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe ndërtimit të institucioneve të fuqishme.

Nga 20 deri më 22 mars, Robinson do të udhëtojë për në Prishtinë, ku do të takojë Presidenten Vjosa Osmani dhe partnerët e INL-së në mbështetje të forcimit të sundimit të ligjit dhe sektorëve të drejtësisë”, thuhet në agjendën e z.Robinson për vizitat në Kosovë dhe Shqipëri.

Megjithatë, ky zyrtar i lartë nuk do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Në agjendë nuk jepet ndonjë arsye, megjithatë duket se deri te kjo situate ka ardhur pas konfirmimeve edhe nga vet ambasadori Hovenier dhe emisari Escobar, që Qeveria nuk po koordinohet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për se sa serioze është çështja e moszhvillimeve të takimeve të nivelit të lartë Kosovë-ShBA e ngriti ditëve të fundit edhe Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, në një intervistë në Radion Evropa e Lirë.

Po kalojmë në vitin e dytë, ndoshta edhe vitin e tretë, dhe nuk ka pasur takime të nivelit të lartë mes askujt në Qeverinë e Kosovës dhe dikujt në administratën amerikane. Pra, ky duhet të jetë gjithashtu një tregues për njerëzit se ku është marrëdhënia”, tha Escobar ditë më parë.

Kohëve të fundit Kurtin nuk e takoi Zëvendës Shefja e USAID-it në Kosovë, e cila gjithashtu u takua vetëm me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin.

Edhe pse mund të përballemi me mosmarrëveshje apo sfida me qeveri specifike, përkushtimi ynë ndaj popullit të Kosovës mbetet i palëkundur dhe i qëndrueshëm”, ka deklaruar McKee pas takimit me presidenten Osmani.

Qysh prej fundit të majit ishte vetë ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier ishte shprehur se “do të çuditej” nëse dikush nga pushteti do të mund të zhvillonte takimet të larta me administratën amerikane në dritën e plasaritjes së marrëdhënieve Kosovë-ShBA prej kur qeveria kosovare kishte nisur instalimine me doemos të kryetarëve në godinat komunale në veri.

Vizita e anuluar

Ky zyrtar kishte planifikuar vizitë në Kosovë muaj më parë, megjithatë për arsye të tensioneve në veri ajo u anulua.

Para nëntë muajsh, Ambasada amerikane, në përgjigjen që Nacionale kishte kërkuar lidhur me shtyrjen e kësaj vizite, vetëm pati bërë thirrje ‘për deeskalim të situatës’

Në një përgjigje atëbotë për Nacionalen, Ambasada Amerikane kishte bërë thirrje edhe një herë për deeskalim të situatës.

“Për shkak të krizës aktuale në veri të Kosovë, ndihmës sekretari Robinson ka shtyrë vizitën e tij në Kosovë. Ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për deeskalimin e situatës dhe rikthimin në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.” – pati thënë një zëdhënës.

Mbetet të shihet cilat do të jenë mesazhet e këtij zyrtari të lartë amerikan.

Lajme të ngjashme